E Diel, 1 Nëntor 2026

Polonia mbështet Shqipërinë në rrugën drejt BE-së

05/07/2011  Integrimi, ambasadorja Tatarzinska dorëzon prioritet polake

Polonia rikonfirmoi mbështetjen për zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor e kryesisht ndaj Shqipërisë. Një qëndrim i tillë u bë dje i ditur nga ambasadorja e Polonisë në Tiranë Irena Tatarzinska. Kështu, meqë prej 1 korrikut Polonia ka marrë presidencën e Bashkimit Evropian, ambasadorja polake dhe ambasadori i BE-së Etore Sekui zhvilluan takime të veçanta me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe kreun e shtetit Bamir Topi.

Prioritet

Gjatë ditës së djeshme ambasadorja polake Irena Tatarzinska dhe ambasadori i BE-së Etore Sekui i dorëzuan ministrit të Jashtëm të vendit tonë prioritet e presidencës polake, ndër të cilat më të rëndësishmet janë thellimi i integrimit evropian, si burim zhvillimi dhe rritje ekonomike për mbarë Bashkimin Evropian, si dhe një Evropë gjithnjë e më të sigurt dhe e hapur, përfshi këtu edhe promovimin e mëtejshëm të zgjerimit. “Jam këtu për të rikonfirmuar mbështetjen e Polonisë për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe kryesisht për Shqipërinë. Vendet që aspirojnë të jenë kandidate të tregojnë vendosmëri në këtë proces. Shpreh urimet më të mira për popullin shqiptar dhe për qeverinë shqiptare, në mënyrë që të ecë me shpejtësi për të përmbushur kriteret për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, - u shpreh ambasadorja Tatarzinska.

Takimi

Një tjetër takim i dy diplomatëve, Tatarzinska dhe Sekui, ishte ai me Presidentin Bamir Topi. Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit vuri në dukje angazhimin maksimal të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për bashkëpunim të plotë me presidencën polake dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë. “Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe evropiane dhe ne kemi shpresë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura e të kemi kapërcyer ngërçin e stërzgjatur politik, duke rivendosur dialogun funksional institucional e duke respektuar ligjet në fuqi dhe institucionet e pavarura kushtuese”, - nënvizoi presidenti Topi.

Ambasadori Sekui

“Ne mbështesim prioritetin e presidencës polake për zgjerim, ku përfshihet edhe Shqipëria. Ne dëshirojmë që ky proces të jetë i shpejtë dhe të konsiderohet si një prioritet kombëtar”, - vuri në dukje ambasadori i BE-së Etore Sekui.

Ministri Haxhinasto

"Unë besoj se Shqipëria i ka të gjitha mundësisë që, nëse do të angazhohet në një proces institucional e politik, janë të gjitha mundësitë për realizimin e prioriteteve në rrugën drejt BE-së”, - u shpreh ministri Haxhinasto gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›