Reja drejt Mesdheut, nga Rinasi vetëm në Turqi e Greqi
Hiri i vullkanit të Islandës që ka mbushur qiejt e Evropës veriore duke paralizuar trafikun ajror po spostohet drejt Mesdheut, sipas lëvizjes së erërave. Parashikimet meteorologjike tani tregojnë për një spostim gradual të resë, e cila sipas Eurocontrol do të qëndrojë në një pjesë të madhe të qiejve të Evropës edhe për orët në vazhdim. Aktualisht ndodhen të mbyllura aeroportet e Austrisë, Belgjikës, Kroacisë, Republikës çeke, Danimarkës, Estonisë, Britanisë së Madhe, Lituanisë, Letonisë, Finlandës, Hungarisë, Holandës, Norvegjisë, Serbisë, Sllovenisë, Polonisë, Rumanisë, Zvicrës, Ukrainës, apo edhe një pjesë të aeroporteve të Gjermanisë, Italisë dhe Francës. Edhe aeroporti i Rinasit është paralizuar gjatë ditës së djeshme. Ndërsa për disa orë ka mbetur totalisht i bllokuar, më pas janë kryer fluturime vetëm për në dy destinacione, në Stamboll dhe Athinë. Fluturimet në të paktën 10 destinacione të tjera janë anuluar sërish. Ka pasur diskutime për fluturimet drejt Romës, por autoritet italiane e kanë refuzuar kërkesën.
Teste ajrore
Ministrat evropianë të transportit pritet të japin një vlerësim të hënë pas një seri testesh të kryera nga kopani të ndryshme ajrore evropiane. Disa prej tyre kaluan me sukses fluturimet e tyre të provës pa pasagjerë duke mos u ndeshur me hi vullkanik. Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian njoftoi mbi një takim special që do të ndodhte të dielën. Autoritetet thanë se ministrat do të analizojnë të dhënat nga një seri fluturimesh që u bënë mbi Evropë të shtunën dhe të dielën, ndërsa kontinenti e ka ende të paralizuar trafikun ajror. Linja holandeze ajrore “KLM Royal”, tha se ka realizuar katër fluturime në mënyrë normale në rreth 3,000 metra lartësi nga Amsterdami në Duseldorf të dielën. Pilotët nuk kishin hasur re tymi dhe avionët nuk ishin dëmtuar. “Lufthansa” ka kryer 10 fluturime bosh nga Frankfurti në Mynih pa incidente, dhe “Air France” ka kryer dy fluturime të suksesshme. Por analistët dhe ekspertët meteorologë besojnë se është ende e rrezikshme të kryhen udhëtime me pasagjerë. Ata thanë se rryma të paparashikuara ajrore momentalisht mund ta bëjnë transportin ajror shumë të rrezikshëm.
Frikë për shpërthim më të madh
Shpërthimi i vullkanit relativisht të vogël akullnajor Eyjafjallajökull në Islandë, historikisht i ka paraprirë shpërthimeve masive të malit të frikshëm vullkanik, Katla. Sipas “Huffington Post”, ekspertët janë të shqetësuar se shpërthimi aktual i vullkanit mund të nxisë aktivitetin në malin Katla, i cili potencialisht është shumë më i rrezikshëm. Shpërthimi i tij i fundit ishte në vitin 1918. Vullkanologët në Islandë e konsiderojnë të mundur shpërthimin e Katlas dhe kjo është arsyeja që ata po e monitorojnë me shumë kujdes atë pikërisht tani. Ka kanale shpërthimi ndërmjet Eyjafjallajökull-ut dhe Katlas dhe magma mund të zgjojë vullkanin Katla. Ndikimi i një shpërthimi të mundshëm të Katlas do t’i jepte fund për një kohë të gjatë fluturimeve në Evropë, duke shkaktuar humbje akoma më të mëdha ekonomike. Depozitat nga retë e hirit të formuar nga Katla, kur shpërtheu në 1755 mundet ende të gjenden në disa pjesë të Evropës veriore. Ekspertët kanë këndvështrime të ndryshme mbi aktivitetin e vullkanit akullnajor, Eyjafjallajökull. Disa mendojnë se aktiviteti i tij do të fillojë dalëngadalë të shuhet, ndërsa të tjerë mendojnë se ai do të vazhdojë të prodhojë hi vullkanit për edhe 1 vit të tërë.