E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Ende 170 mijë karta të pa tërhequra

 

Kur kanë ngelur edhe 3 ditë nga zgjedhjet e 28 qershorit, ende 170 mijë qytetarë që kanë aplikuar për t’u pajisur me kartat e identitetit nuk i kanë tërhequr ato. Shifrat i bëri të ditura dje zv/ministri i Punëve të Brendshme, Ferdinand Poni, i cili theksoi se deri tani kompania koncensionare ka prodhuar të gjitha kartat e qytetarëve që kanë aplikuar deri në 18 qershor. “Kartat po tërhiqen me intensitet. Kanë mbetur pa u marrë ende rreth 170 mijë letërnjoftime. Qytetarët duhet t’i tërheqin kartat për të mos i lënë për ditën e fundit”, u shpreh Poni. Duke i kërkuar edhe njëherë të gjithë shtetasve, që kanë aplikuar për dokumentin elektronik dhe nuk e kanë tërhequr atë, zëvendësministri i Brendshëm informoi se “nisur nga kapacitetet prodhuese të kompanisë “ALEAT”, pothuajse ka përfunduar prodhimi i të gjitha letërnjoftimeve elektronike për ata shtetas që kanë aplikuar”, ndërsa vuri në dukje se diferenca mes atyre të prodhuara dhe letërnjoftimeve të tërhequra, është e vogël. Ndërkohë, në rrethe vihet re interes i vogël për të tërhequr kartën e identitetit. Në Gjirokastër, Prefektura bën të ditur se çdo ditë tërhiqen deri në 150 karta, por punonjësit e gjendjeve civile theksojnë se ky numër nuk është më i madh se 30-40. Mjaft prej banorëve janë paraqitur disa herë për të tërhequr dokumentin e ri identifikues, pasi punonjëset e kësaj zyre kanë qenë tepër stoike në paraqitjen e fletëve, që dëshmojnë që kanë aplikuar. Në mungesën e tyre shtetasit që janë paraqitur nuk kanë mundur dot t’i tërheqin ato, pasi u kanë humbur dhe kësisoj tërheqja e kartave të reja elektronike është e pamundur, çka dëshmon se do të jenë të privuar të votojnë. Një tjetër problem duket se është ai i emrave të dubluar në listat e zgjedhësve. Në qytetin e Pukës, pjesë e qarkut të Shkodrës, janë vënë re më shumë se 130 emra të dubluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›