Rama për “Zërin e Amerikës”: Çfarë do të bëj qeveria ime në 100 ditët e para të saj
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 28 qershorit, 100 ditët e para të qeverisjes së tij do t’i përqendrojë në reformimin e qeverisë dhe institucioneve shtetërore me qëllim kthimin e tyre në institucione funksionale në shërbim të qytetarëve. “100 ditët e para do të jenë të fokusuara te reformimi i qeverisjes për të krijuar kushtet që makina e qeverisë të vihet në lëvizje dhe t’i nënshtrohet një remonti kapital për operacione radikale që do të lejojnë që institucionet tona të fillojnë të përgatiten për të përballuar të gjitha kërkesat e programit tonë dhe ne të hyjmë në një proces të modernizimit të vendit, duke modernizuar më parë pushtetin, në mënyrë që qytetarëve t’u shërbehet më mirë”, - ka pohuar Rama gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Duke folur për planet e tij, kreu i PS-së ka theksuar se qeveria e re do të punojë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike globale, duke rihapur negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Ne do të rihapim negociatat dhe do të nënshkruajmë programin me FMN-në dhe do t’i mundësojmë Shqipërisë aksesin te ndihmat e këtij institucioni për vendet që janë prekur nga kriza. Vëmendje do t’u kushtohet edhe remitancave dhe kursimeve të emigrantëve në Shqipëri”, - ka theksuar Rama. Lideri i opozitës ka theksuar gjithashtu se qeveria e re do të jetë e hapur për të pranuar investimet e huaja, por ka nënvizuar se nuk do të lejojë ato investime që janë të dëmshme për Shqipërinë.
25 Qershor 2009