E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në KQZ, të majtët bojkotojnë mbledhjen

 

bledar hoti

Dy ditë përpara zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfshihet në debate të ashpra mes anëtarëve demokratë dhe socialistë të këtij institucioni. Debatet kanë qenë të ashpra aq sa kanë detyruar nënkryetaren Dëshira Subashi dhe anëtarin Artan Lazaj të bojkotonin mbledhjen. Mbledhja e paradites së djeshme është karakterizuar me tone të ashpra debate mes dy drejtuesve të KQZ-së, kryetarit Arben Ristanit dhe nënkryetares Dëshira Subashi, e më pas mes anëtarëve të tjerë Artan Lazaj, Klement Zguri, Hysen Osmanajt dhe Pandeli Varfit. Indicie e këtij debati është bërë deklarata e përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti për dhënien e dokumenteve nga administrata pa u protokolluar më parë. Kaq ka shërbyer që nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi të rikthejë në vëmendje problemin që sipas saj ndodhi për prodhimin e fletëve të votimit për dy burgjet e sigurisë në Fushë-Krujë dhe në Kosovë. Subashi e cilësoi si antiligjore votimin dhe që mund të rëndojë mbi standardet e procesit të 28 qershorit. “Janë 50 vendime që ka marrë KQZ ne kemi qenë të ndarë në votë. Unë deklaroj se kemi qenë të ndarë në pikat më të nxehta të procesit, atje ku ne nuk duhet të ndaheshim atje ku nuk funksiononte vota kundër. Ky është mesazhi që unë jap. Një vendimmarrje që hidhet sot dhe merr 7 vota nuk besoj që ka të njëjtën peshë të asaj kategorie që unë them. Më vjen keq seriozisht për juve”, deklaroi Subashi. Nënkryetarja iu është drejtuar më pas Ristanit se “nuk jam kotur për t’i bërë fresk askujt, jam për të bërë detyrën time ashtu siç e mendoj, me përgjegjësi të plotë dhe natyrisht nuk do rri në këtë tavolinë sa kohë që shikoj se procesi cenohet”. “Gjithë ajo punë e vendimmarrjes së KQZ mund të shkelmohet vetëm me një vendimmarrje dhe ky rrezik ka ekzistuar pikërisht në këto dy pika në miratimin e qendrave private dhe në vendimmarrjen e djeshme të fletëve të votimit për burgjet”, theksoi Subashi.
Por kryekomisioneri Ristani hodhi poshtë pretendimet e koleges së tij, duke theksuar se “procesi ka mbarëvajtje shumë të mirë. Por ju kujtoj se nëse mungoni dy herë rresht do u kërkoj të përjashtoheni nga komisioni në bazë të ligjit. Po mundoheni me të gjitha forcat të bëni pis procesin”. Kaq ka mjaftuar që nënkryetarja Subashi të largohej nga mbledhja në mënyrë demonstrative si shenjë proteste ndaj vendimin të KQZ-së. Ndërsa debati nuk është sheshuar me kaq, pasi debati ka vijuar akoma më tej. Anëtari i KQZ-së, Klement Zguri ka cilësuar si të qëllimshme këtë qëndrim të anëtarëve të majtë në këtë komision. “KQZ nuk i merr vendimet mbi konsensus, duke shkelur ligjin. Konsensusi është marrë për sa kohë është bërë Kodi Zgjedhor. Komisioni i merr vendimet duke respektuar ligjin dhe vetëm ligjin. Tendenca për të bërë pis KQZ-në me vendimet e saj, por dhe administratën e Komisionit, është dashakeqe”, deklaroi Zguri. Ndërsa anëtari Lazaj, i cilësoi si jo të drejta qëndrimet e Ristanit. “Është hera e parë që mbledhja merr këtë drejtim. Duke parë gjendjen e punimeve dhe duke u nisur nga kërcënimet e kryetarit se po të mungoni dy ditë ju përjashtoj dhe unë do largohem nga mbledhja. Nëse kolegët do kenë mendje të ftohtë do e konsiderojnë këtë si një reagim ndaj këtyre lloj punimeve të KQZ”, tha Lazaj ndërsa merrte rrugën të ike nga mbledhja. Ndërsa, Ristani u “burracakët largohen nga beteja, këtë ta dini mirë”. Por ai i ktheu se “më vjen keq që ju përdorni këtë gjuhë por ky është problem i atyre që u kanë zgjedhur. Nuk duhen të përdoren gjëra të tilla, burracak, morracak apo gjëra të tilla”.

debati

Dëshira Subashi: Janë 50 vendime që ka marrë KQZ, ne kemi qenë të ndarë në votë. Unë deklaroj se kemi qenë të ndarë në pikat më të nxehta të procesit, atje ku ne nuk duhet të ndaheshim atje ku nuk funksiononte vota kundër. Ky është mesazhi që unë jap. Një vendimmarrje që hidhet sot dhe merr 7 vota nuk besoj që ka të njëjtën peshë të asaj kategorie që unë them. Më vjen keq seriozisht për juve.
Arben Ristani: Mos të vijë keq për mua, qëndroni konform punës.
Dëshira Subashi: Sigurisht që unë bëj punën time dhe ju tuajën, por unë jam këtu që të bëj publike dhe ato gjëra që në finalen rozë të fshihen. Nuk jam kotur për t’i bërë fresk askujt, jam për të bërë detyrën time ashtu siç e mendoj, me përgjegjësi të plotë dhe natyrisht nuk do rri në këtë tavolinë sa kohë që shikoj se procesi cenohet. Gjithë ajo punë e vendimmarrjes së KQZ mund të shkelmohet vetëm me një vendimmarrje dhe ky rrezik ka ekzistuar pikërisht në këto dy pika, në miratimin e qendrave private dhe në vendimmarrjen e djeshme të fletëve të votimit për burgjet.
Arben Ristani: Do duhet të them që procesi ka mbarëvajtje shumë të mirë. Por ju kujtoj se nëse mungoni dy herë rresht do ju kërkoj të përjashtoheni nga komisioni në bazë të ligjit. Po mundoheni me të gjitha forcat të bëni pis procesin.
(Ikën Subashi)
Klement Zguri: Nuk shoh asnjë arsye që të jepen konsiderata kaq emocionale. Për më tepër sot në një mbledhje fare të parëndësishme. Ndoshta se sot me praninë e kamerave tentojnë për t’u dhënë mesazhe zgjedhësve të tyre për stoicizëm besoj. Është e paargumentuar logjika dhe diskutimi sot. Është fare e pafalshme që punonjësit dhe anëtarët rrinë në 2 apo 3 pas mesnate dhe mundohen të bëjnë punën. Nuk është KQZ vetëm mbledhje. Partitë politike nuk kanë sjellë komisionerët në qendrat e votimit, të sjellin anëtarët dhe të zbatojnë ligjin. Vendimi i djeshëm ishte për të mundësuar votën e njerëzve që janë në burg.  Thjesht mori këtë vendim që këta njerëz të votojnë. Kushdo përfaqësues, anëtarë përfaqësues të medias mund të vërtetojnë këtë gjë dhe të verifikojnë listat e këtyre njerëzve. Nuk keni asnjë të drejtë të bëni pis procesin.
Artan Lazaj: E para njëherë, fole dhe nuk ndërhyra dhe e kam zakon që nuk ndërhyj, duke respektuar të gjithë, e dyta unë nuk jam ty, por ju. Fakti që po flisni me zë të lartë nuk do të thotë se keni të drejtë. Po të ishit në një seancë gjyqësore ju do ishit paragjykuar thjesht nga toni. Mund të keni të drejtë që administrata punon dhe që punon deri në orët e vona, por nuk e di për kë punon.
Klement Zguri
Ti ikën që në orën 3, kur ke ndenjur ndonjëherë pas orës 24:00 më thuaj?
Artan Lazaj: Por nuk flemë bashkë dhe nuk jemi në një zyrë bashkë.
Klement Zguri: Po mirë është flemë që të shikoje si punon administrata.
Artan Lazaj: Është hera e parë që mbledhja merr këtë drejtim. Të lutem mos më ndërhy. Jemi këtu për hir të punës, duhet të ruajmë vlerat tona. Unë kam metodën time të punuarit brenda kushteve ligjore, e zgjidh unë vendin dhe mënyrën e punës. Administrata punon, por me të meta dhe kjo duket. Nuk është metoda e punës, që t’i lutem unë administratës, t’i paraqitem unë drejtorit. Vendimi i djeshëm ishte ndoshta gabim mapo nxitim, por nuk dua të jem votues në ato qendra si burgjet, dua të jem votues në gjendje të lirë. Duke parë gjendjen e punimeve dhe duke u nisur nga kërcënimet e kryetarit se po të mungoni dy ditë ju përjashtoj, dhe unë do largohem nga mbledhja. Nëse kolegët do kenë mendje të ftohtë do e konsiderojnë këtë si një reagim ndaj këtyre lloj punimeve të KQZ.
Arben Ristani: Burracakët largohen nga beteja, këtë ta dini mirë.
Artan Lazaj: Më vjen keq që ju përdorni këtë gjuhë, por ky është problem i atyre që u kanë zgjedhur. Nuk duhen të përdoren gjëra të tilla, burracak, morracak apo gjëra të tilla.
Arben Ristani: Kjo është çështje e pastërtisë suaj, por burracakë janë ata që largohen nga beteja.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›