Rezultatet, shpallja e fituesit nis pas mesnatës
BLEDAR HOTI
Për një orë KQZ-ja parashikon të zbardhë rezultatin për një qendër votimi. Kjo është koha që parashikon KQZ-ja në shpalljen e rezultatit për një kuti votimi, duke përfshirë edhe shënimin në procesverbal të kutisë së numërimit. Projekti i shpalljes së rezultateve paraprake zyrtare nga ana e KQZ-së u bë prezent dje në mbledhjen e këtij institucioni. Drejtoria e Teknologjisë ka prezantuar përpara anëtarëve të KQZ-së projektin se si për herë të parë do të bëhen publike rezultatet e votimit. KQZ-ja parashikon në nismën e saj për të realizuar shpalljen e rezultateve paraprake. Procesi i votimit nis në ora 23.00 brenda një ore KQZ-ja do të ketë të dhënat e para zyrtare për kutitë e numëruara. Specialistët shpjeguan se maksimumi për shpalljen e rezultatit të QV-ve mund të jetë 70 minuta, ndërsa përllogaritet që kutia e votimit të variojë nga 100-1000 fletë. Nëse gjithçka shkon normalisht, shpallja e parë e rezultateve të kutive të votimit mund të realizohet në ora 24.00. Në të gjithë vendin ka 66 VNV, ku do të funksionojnë pranë tyre deri në 5 tavolina numërimi. Pranë këtyre tavolinave do të jenë të vendosura kamerat, që do të filmojnë procesin e numërimit të votave. Anëtarët e GNV-së duhet të vendosin para kamerës fletën në dy momente, në të dyja pjesët e saj, para dhe prapa, secila do të regjistrohet për 4 dhe 3 sekonda. Specialistët e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit pranë KQZ-së, demonstruan para anëtarëve të Komisionit mënyrën e funksionimit të transmetimit elektronik të së dhënave nga VNV-të në KQZ. Nëse procesi i numërimit shkon normalisht, i bie që fillimisht KQZ-ja të shpallë rezultatet e votimit të mbi 300 kutive të numëruara nga GNV-të. Me këtë sistem, i cili aplikohet për herë të parë në Shqipëri, sipas specialistëve synohet transparenca, efektshmëria, rezultati online dhe siguria. Videot e transmetuara do të pasqyrojnë atë që ndodh në kohë reale gjatë procesit të numërimit. Këto transmetime dhe rezultate do të shfaqen në kohë reale në monitorët e vendosur në ambientet e KQZ-së dhe do t’i ofrohen mediave. Kamerat e tavolinës do të bëjnë të mundur shikimin e procesit të vlerësimit të fletëve të votimit në secilën tavolinë, duke transmetuar për vëzhguesit e pranishëm në 16 monitorë 32 polësh, i mjaftueshëm për pamje të qartë të fletës së votimit. Procesi i numërimit do të jetë në regjistrim të plotë për të pasur në rast kontestimi. Përveç kamerave për çdo tavolinë GNV-ve do të jenë instaluara dhe 66 kamerat me rezolucion 360 gradë që do të mundësojë regjistrimin e ambientit të VNV-së gjatë gjithë kohës së zhvillimit të procesit. I gjithë ky proces do të përcillet direkt në KQZ, ku janë instaluar në hollin e saj 16 televizorë 32 polësh. Në të njëjtën kohë KQZ-ja do të përpunojë dhe të dhënat e mbërritura nga KQV-të, duke i demonstruar në formë grafikësh të dhënat mbi bazën e çdo qarku dhe çdo QV, që kanë marrë partitë politike apo koalicionet që garojnë në votimet e 28 qershorit. Për herë të parë në këto votime do të ketë dy shpallje paralele të rezultateve të votimeve, njëra do të bëhet nga ana e KQZ-së, ndërsa tjetra do të realizohet nga ana e dy shoqatave ECA dhe KRIIK, me anë të vëzhguesve të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Kjo shoqatë ka bërë të qartë se dhënia e rezultateve nga ana e saj nuk do të përbëjë kurrsesi shpalljen zyrtare të tyre, pasi e gëzon ligjërisht vetëm KQZ-ja.