E Diel, 1 Nëntor 2026

Poni akuzon Ramën se përmbyti Tiranën: U zhduk dhe i la qytetarët në mëshirë të fatit

Korrupsioni i Ramës në bunkerizimin e kryeqytetit zhyt për të disatën herë qindra banesa nën ujë
Përmbytja e banesave dhe rrugëve në kryeqytet për shkak të mosfunksionimit të sistemit kanalizues, ka ngjallur polemika midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, si shkaktarin kryesor për të disatën herë të përmbytjeve të banesave në Tiranë. Vetëm dy ditë më parë, si rezultat i reshjeve të shiut dhe plasjes së kanaleve kulluese, u përmbytën me dhjetëra banesa në disa lagje të kryeqytetit. "Në kushtet kur në një mot edhe më të keq nuk ndodhin përmbytje në zonat tradicionalisht problematike e të vështira si Lezhë e Shkodër, Fier dhe Vlorë, Berat apo Gjirokastër, Tirana e Edi Ramës, për të disatën herë përmbytet për shkak të mungesës së kanalizimeve, paaftësisë, abuzivizmit dhe korrupsionit që ka pushtuar bashkinë, u shpreh zëvendësministri Poni gjatë deklaratës së tij për mediat. Vërshimi i ujërave të bardha nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimi i kanaleve kulluese, përmbyti dy ditë më parë 70 banesa private në rrugën e Qelqit në Kombinat, të cilat tashmë janë bërë plotësisht të pabanueshme, ndërsa banorët e përmbytur kanë dalë rrugëve, ose mund të strehohen tek të afërmit e tyre. Reshjet e shiut të rëna dy ditë më parë, provuan edhe një herë se sistemi i kanalizimeve në kryeqytet, jo vetëm që nuk funksionon, por nëse në kohët në vazhdim do të këtë reshje me intensitet më të madh, përmbytjet do të jenë katastrofike. Ndërkaq, e njëjta situatë paraqitet edhe në Sauk, ku janë përmbytur 10 shtëpi private. Edhe pse reshjet e shiut janë ndërprerë, banesat e përmbytura në lagjet e sipërpërmendura ndodhen ende nën ujë. Banorët e përmbytur kërkojnë ndihmë nga shtabi i emergjencave dhe organet shtetërore, që të ndërhyjnë në përmirësimin e situatës, sepse tashmë ndodhen jashtë banesave të tyre. Ndërsa ka konstatuar situatën e rënduar në kryeqytet, ka reaguar menjëherë Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, i cili akuzon Bashkinë e Tiranës se me paaftësinë dhe korrupsionin që ka mbuluar këtë të fundit, po dëmton interesat e qytetarëve, kudo dhe kurdoherë, kur jep dhe kur nuk jep leje ndërtimi, kur betonizon Tiranën dhe tani si edhe herë të tjera, kur e përmbyt Tiranën, me shkatërrimin e rrjetit kanalizues. Sipas Ponit, Ministria e Brendshme ofron shërbimet e saj, për të ndihmuar banorët në kapërcimin e gjendjes të rëndë që ata ndodhen. Kudo në Shqipëri, nga krejt strukturat qeveritare dhe administratat vendore pati superangazhim për të përballur situatën, ndërsa krejt e kundërta ndodhi në Tiranë, në Tiranën e bunkerizuar, në Tiranën e qytetarëve të lënë në mëshirë të fatit, në Tiranën ku është mbyllur çdo rrugë dhe çdo dalje. Tirana dhe qytetarët e saj në Komunën e Parisit dhe përreth, tek fabrika e qelqit, në Kombinat, tek Bregu i Lumit, qytetarë të Tiranës, mjedise të tyre u përmbytën dhe Rama ishte zhdukur. Tirana nuk kishte kryetar, përmbytja e tyre ishte shkaktuar nga kryetari dhe për shkak të kryetarit, për shkak të mungesës të tij, të administratës së tij, u shpreh ai. Ndërkohë tepër problematike situata e përmbytjes paraqitet në zonën e Tiranës së Re dhe Kombinatit, ku mendohet se numri i banesave të cilat ndodhen nën ujë arrin deri në100. Banorët e këtyre zonave janë shprehur se kjo është një situatë që përsëritet sa herë biesh shi me një intensitet të tillë, dhe asnjë masë konkrete nuk është marrë nga instancat shtetërore. Banorët theksojnë, se këso rastesh i kanë denoncuar sa herë, u janë premtuar se do të kryhen ndërhyrje në rrjetin kanalizues, por asgjë ska ndryshuar. Përmbytjet e banesave të kateve të para të pallateve dhe atyre private, në pjesën dërmuese të rasteve, konstatohen pikërisht në ato zona të kryeqytetit ku janë bërë më shumë ndërtime duke cënuar kështu rrjetin kanalizues. Megjithatë, edhe gjatë ndërtimit të rrjetit kanalizues në rikonstruksionin e rrugëve, nuk janë zbatuar kushtet teknike të domosdoshme.
Zonat e përmbytura
Probleme të mëdha për shkak të reshjeve të fundit dhe bllokimit të kanaleve kulluese janë shënuar në Sauk, ku janë përmbytur rreth 10 shtëpi private, duke u bërë plotësisht të pabanueshme. Në zonën e ndodhur nën ujë, janë dërguar punonjësit e emergjencave civile për tiu ardhur në ndihmë banorëve dhe pritet normalizimi i situatës në ditët në vazhdim. Si pasojë e reshjeve të fundit dhe bllokimit të kanaleve kulluese ka pasur në lagjen Komuna a Parisit në Tiranë të Re në kryeqytet. Një lagje kjo ku gjenden të zhytura nën ujë mbi më shumë se 100 shtëpi. Shkak i këtyre përmbytjeve janë bërë mosfunksionimi i kanalizimeve dhe ndërtimet e paligjshme të bëra në këtë zonë. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur makina të forcave të zjarrfikëseve, të cilat do të bëjnë të mundur normalizimin e situatës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›