Harrojeni autonominë
Ende pa u zyrtarizuar, kërkesa e palës serbe për autonomi territoriale për Veriun e Kosovës ka marrë përgjigje negative në Prishtinë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të ketë rregullim të ri të territorit të Kosovës, pavarësisht ideve që do të dalin nga zyrtarët serbë.
Ai ka thënë se është vetëm një ëndërr e parealizueshme që dikush dëshiron t’i japë autonomi Veriut.
“Kjo ka qenë një ëndërr e kamotshme e Serbisë. Është një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë. Është diçka që një përgjigje të tillë e kanë marrë nga e gjithë bota demokratike, por përsëri ajo ide që është prezantuar nëpër mediumet serbe do të jetë e parealizueshme në Kosovë”, ka thënë Thaçi, të shtunën.
Një ditë më parë, mediat serbe kanë raportuar se Serbia do të kërkojë autonomi territoriale për Veriun e Kosovës në Bruksel gjatë takimit Thaçi – Dacic.
Takimi në mes të dy kryeministrave pritet të mbahet të mërkurën e javës së ardhshme. Është paralajmëruar se aty do të diskutohet edhe hapja e Zyrave Ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në dialogun me palën serbe do të përfshihet edhe pjesa e opozitës që ka përkrahur Rezolutën e Kuvendit për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Zyrtarët e AAK’së janë shprehur të gatshëm të bëhen pjesë e ekipit dialogues të Kosovës, me arsyetimin se kjo parashihet edhe me rezolutën e Kuvendit.
Megjithëkëtë, udhëheqësi aktual i AAK’së, Blerim Shala i ka quajtur spekulim informacionet se ai do të jetë pjesë e delegacionit kosovar që do të takohet me palën serbe
Ndërkohë, LDK’ja ende nuk ka dhënë një qëndrim të qartë se a do të bëhet pjesë e dialogut, apo do të mbështesin takimet me palën serbe, duke qëndruar jashtë procesit.
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka thënë të shtunën në Gjilan se pavarësisht se janë në opozitë do ta përkrahin dhe monitorojnë dialogun.
”Dialogu do të përkrahet nga LDK’ja sepse nuk e rrez
ikon integritetin e vendit dhe është në harmoni me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i LDK’së dhe i Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje të qartë nëse edhe parti e tij do të bëhet pjesë e ekipeve dialoguese me Beogradin.
“Dialogun do ta udhëheqin institucionet e Kosovës”, ka thënë Mustafa, për Rajonipress.
Isa Mustafa ka premtuar se pavarësisht se nuk janë në pushtet, LDK’ja do të veprojë ashtu siç kërkojnë rrethanat.
“Ne si opozitë do të sillemi në mënyrë konstruktive ndaj të gjitha zhvillimeve të rëndësishme dhe historike që i kërkon momenti dhe koha”, ka shtuar ai.
Por, krejt ndryshe po vepron partia tjetër opozitare – Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Zyrtarët e VV’së përveçse kanë protestuar kundër takimeve me palën serbe, pa u kushtëzuar Serbia, ata kanë paralajmëruar edhe forma të tjera të kundërshtimit të dialogut.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka cilësuar takimet e Kryeministrit Thaçi me zyrtarët serb si tradhti kombëtare, derisa ka parashikuar se Veriu i Kosovës do të jetë temë e bisedimeve.
Bisedimet e nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi kanë nisur më 19 tetor, një ditë pas Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë për normalizimin e raporteve me shtetin serb.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Dacic kanë thënë se në takim kanë biseduar për disa tema, duke përfshirë edhe mundësinë e hapjes së Zyrave Ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd.
Zyrtarët e Kosovës kanë thënë se janë të gatshëm të hapin Zyrën në shtetin serb, por se nuk kanë qenë në gjendje të tregojë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
Edhe në Beograd kanë thënë se janë të gatshëm të marrin vendime të rënda në dialog me Kosovën, duke mos përjashtuar edhe hapjen e Zyrës së Kosovës atje.