MARJANA LEKA. Kimistja që u bë soprano e njohur, jeta mes skenës dhe familjes
Petrika GROSI
Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për suplementin “Albania VVeekend”, sopranoja e njohur e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Marjana Leka, rrëfen për jetën e saj mes skenës dhe familjes, për atë pjesë të dukshme e të padukshme që ka të bëjë me zhvillimet e vogla e të mëdha të çdo artisti. Për rolet, përjetimet, xhelozitë, momentet e vështira në jetë, marrëdhëniet me familjen, kolegët e shumë të tjera...
Para se të nisnim bisedën tonë, po më thoshin se më 2 shkurt niseni për në Zvicër. Për çfarë bëhet fjalë?
Është një koncert gala me një pjesëmarrje të gjerë artistësh, kryesisht të atyre që jetojnë jashtë vendit dhe që janë shumë të njohur sepse këndojnë dhe kanë kënduar në skenat më të mëdha si psh Saimir Pirgu, Enkelejda Shkoza, Frano Nufi, Gëzim Mushketa, Ilira Dedja (pianiste). Kjo është ajo me të cilën jam marrë këtë kohë, pra me përgatitjen e këtij koncerti ku do të këndoj arie, duete e kuartete. Koncerti zhvillohet në një sallë të mirë në St. Gallen të Zvicrës dhe organizohet nga një fondacion i fuqishëm, “Kivanis”. Është si të thuash një koncert promovues, në kuadër të një projekti që ky fondacion dhe të tjerë në Zvicër kanë për fëmijët shqiptarë dhe arsimin në vendin tonë.
Cilat janë disa nga pjesët që do të interpretoni?
“Kasta Diva” në operën “Norma” të Belinit, Aria e Toskës nga opera “Toska”, Puçini dhe duete e kuartete nga “Bohema” e Puçinit, “Traviata” e “Rigoleto” të Verdit dhe së fundi “Don Xhovani” nga Moxart.
Çfarë tjetër është i afërt në planet tuaja?
Roli i Aliçes në operën “Falstaf” të Verdit.
Keni filluar provat?
Ende jo, sepse kam përgatitjet e Zvicrës. Besoj se brenda shkurtit duhet ta kem mbaruar fazën e parë të punës individuale për këtë rol.
Çmimet nuk ju kanë munguar herë pas here, si i keni përjetuar?
I kam përjetuar me shumë emocione dhe kënaqësi, por edhe me përgjegjësi kur jam paraqitur për t’i marrë këto çmime. Në fund të fundit janë një vlerësim i punës sime.
E keni menduar ndonjëherë që ndoshta do të kishit merituar më shumë se Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë?
Sigurisht që e kam menduar dhe e kam ndier, sidomos kur kam pasur raste të dal disa herë në vit me koncerte jashtë Shqipërisë. Aty kam marrë duartrokitje të shumta nga publiku dhe vlerësim, madje disa herë nuk kanë munguar ofertat për të jetuar dhe për të bërë karrierë jashtë.
Si ka mundësi që nuk jeni joshur kur keni pasur oferta për një karierrë jashtë kufijve?
Kjo ka qenë zgjedhja ime. Duke qenë se është një profesion sa i bukur dhe i vështirë, duhet të jesh gjithë kohës në lëvizje nga teatri në teatër. Për mua që kam familje, një djalë, me të cilin jam shumë e lidhur, do të ishte një hap i mundimshëm. Pastaj, duke parë vlerësimin dhe respektin që kam këtu, mund t’ju them pa frikë se nuk më mungon asgjë në të gjitha aspektet. Vendosa që është më mirë të shkoj sa herë kam ftesa dhe të kthehem prapë në Shqipëri. Është dhe diçka tjetër: teatri ku punoj prej vitesh më është bërë si shtëpia ime, pasi aty kalojmë pjesën më të madhe të jetës. Gjithashtu, vlerësimi i publikut dhe i artistëve ka bërë që të ndihem mirë.
Kur flasim për jetën jashtë Shqipërisë më tepër ju tremb ambientimi me të, apo skena?
Skena jo, nuk më tremb, sepse tashmë kam interpretuar kaq role e koncerte dhe kam fituar kaq eksperiencë saqë nuk ka si të jetë ndryshe. Për fatin tim të mirë, jam një tip që zotëroj qetësi absolute kur dal në skenë. Meqë më pyetët, më tremb më tepër koha. Më tremb largësia nga gjithçka e dashur. Është një profesion që kërkon sakrifica të mëdha. Nëse do të ikja jashtë, do të jetoja vetëm për karrierën, ndërkohë që këtu jetoj edhe për familjen, miqtë, shoqërinë.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tuaj?
Ndoshta para shtatë vitesh, atëherë kur duhet të këndoja operën “Norma”, dy vjet pas premierës. Ditën e shfaqjes jam gdhirë e sëmurë, me fytin që më dhembte aq shumë sa me zor flisja. Nuk kisha as zëvendësuese. Për mua qe tepër e rëndë që të anuloja një shfaqje, pasi gjithë atë kohë ishte përgatitur një trupë e tërë. M’u desh të merrja përsipër që të dilja dhe të këndoja, edhe pse isha e sëmurë.
Dhe ç’ndodhi më pas? Ia dolët mbanë?
Shfaqja shkoi shumë mirë. Aty u binda për herë të parë dhe nisa të besoj te forcat e mia. Edhe duke qenë e sëmurë, munda ta përballoj operën duke mos dhënë të kuptohet asgjë në publik. Në ato momente kam thënë: “Zot, më ndihmo që gjithçka të shkojë mirë!” Por nuk ishte vetëm një shfaqje. Duheshin dhënë tri të tilla. Këndova natën e parë dhe m’u desh të dilja në skenë edhe dy net të tjera, ndonëse isha e sëmurë dhe po pija ilaçe. Më dukej sikur do të isha tekanjoze nëse do të kërkoja që shfaqja të anulohej, që, në fund të fundit, është diçka që ndodh me artistët.
Vërtet, nuk jua uroj që të ndodhë, por a do ta kishit prapë një guxim të tillë nëse do të viheshit para një situate të ngjashme?
Tani them se jo. Nuk mund ta bëj dot atë gjë. Do të mendohesha shumë më tepër para se të merrja një vendim kaq të guximshëm.
Marjana, provat ju hanë kohë në shtëpi dhe në teatër. Si ia bëni këtij dyzimi mes familjes dhe karrierës?
Është shumë e vështirë, sidomos kur janë provat në prag premierash që bëhen paradite e pasdite. Është e mundimshme, por nuk jam e vetme. Gjithmonë kam pasur pranë familjen, e cila më ka mbështetur për ta përballuar çdo sfidë në mënyrën më të mirë.
Pra, nuk jeni vetëm ju si artiste që sakrifikoni në këtë mes?
Shumë e drejtë. Është edhe familja, bashkëshorti Bujari, djali Flavio, prindërit e bashkëshortit, të cilët, përveçse më ndihmojnë, e përjetojnë periudhën e provave, të lodhjes dhe për mua kanë qenë një mbështetje shumë e madhe.
Meqë i përmendët, si janë marrëdhëniet me prindërit e bashkëshortit, sidomos me vjehrrën?
Kanë qenë marrëdhënie shumë të mira, tolerance dhe respekti reciprok. E kam vlerësuar gjithmonë interesin e tyre për mua dhe artin tim, si dhe përkushtimin apo ndihmën që më kanë dhënë.
Kushedi sa krenohet vjehrra me një nuse të famshme dhe të talentuar si ju!?
(Qesh) Edhe asaj i shkojnë telefonata që e urojnë për mua. Për të gjithë familjen sukseset e mia janë kënaqësi.
Koha gjithmonë e pakët dhe impenjimet sa vjen e më të shumta. Si ia dilni me punët e shtëpisë, rregullimet, gatimin?
Sigurisht që është një ngarkesë jo e vogël, por mendoj që kush do me të vërtetë, mund të arrijë që të bëjë nga pak të gjitha. Për mua, gatimi, dreka që hamë bashkë, takimi me familjen janë pjesë shumë të rëndësishme. Më japin kënaqësi gjëra të tilla. Kohën mundohem ta gjej qoftë darkave, duke lënë diçka më tepër për të nesërmen në punë dhe duke ikur më shpejt, qoftë pasditeve, kur kthehem nxitimthi dhe përpiqem që të përgatis diçka të shpejtë për tavolinën. Kjo gjë nuk më jep kënaqësi veç mua, por dhe djalit e bashkëshortit.
Le të kthehemi te përjetimet. Si e mbani mend kontaktin e parë të vërtetë me skenën?
Pasi përfundova studimet për kanto në vitin ’83, u emërova në korin e Operas. Pra kam dalë për herë të parë në skenë së bashku me korin, me të cilin këndova rreth 6 vjet. Kjo periudhë më shërbeu si një eksperiencë mjaft e mirë për t’u mësuar me skenën, sepse gjatë kësaj kohe, përveçse këndoja me korin, jam aktivizuar edhe si soliste në koncertet e tij. Gjithashtu, nisa të përgatitesha edhe me rolet, të cilat do t’i realizoja më vonë si soliste.
Çfarë nënkuptoni me përgatitjen që bënit kur ishit në kor?
Nuk dola përnjëherë me një rol të madh në skenë, por e nisa me korin dhe me role të vogla. Synimi im ishte që të bëhesha soliste dhe të këndoja role të plota, gjë që ndodhi në vitin ’89, kur më kërkuan që para këshillit artistik të tregoja (interpretoja) rolin e Violetës te “Traviata”. Këshilli, me ta dëgjuar interpretimin, më dha të drejtën për ta kënduar këtë rol. Po në të njëjtin vit, pas pak muajsh, m’u dha mundësia të këndoj sërish, por kësaj here nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço. Ky ishte roli i parë që më dha shtysë për të kërkuar më shumë në të ardhmen.
Të mos harrojmë që në atë kohë ishit një artiste e re. Kush ishte burimi që e ushqente ambicien tuaj?
Them se vlerësimi që u bë për zërin tim dhe të dhënat vokale e teknike që kisha më bënin të mbushesha me besim se mund të jepja shumë më tepër se aq në skenën e Operas.
A ka pasur një moment kur i keni thënë vetes: “Marjana, ç’deshe që i hyre kësaj pune...?”
(Qesh) Ka momente të vështira që të bëjnë të mendosh shumë gjëra për zgjidhjet e tua. Mendon se sa i bukur është ky profesion dhe sa i mundimshëm..., por këto janë çaste kalimtare, që nuk duhen marrë në konsideratë në krahasim me kënaqësinë, duartrokitjet e publikut, lulet, urimet, emocionet e interpretimit në skenë. Në fakt kam një natyrë, që shpesh i marr gjërat me frymë optimiste. Mundohem të mos i dramatizoj situatat edhe kur kaloj momente të vështira.
Ku e gjeni gjithë këtë forcë?
Kam bindje dhe shumë besim në aftësitë e mia. Punoj jashtë mase. Të kesh talent nuk përbën asnjë vlerë, nëse nuk do të punosh fort për të ecur dhe për ta çuar këtë talent përpara. Kështu kam një lloj sigurie dhe qetësie që kur dal në skenë mendoj vetëm se si të komunikoj sa më mirë me publikun, duke i përçuar emocionet e rolit.
Nëse sot nuk do të ishit soliste... çfarë tjetër do të bënit, vallë?
Në këto momente që flasim nuk e imagjinoj dot veten se ç’mund të bëja tjetër, megjithëse hyrja në rrugën e artit ka qenë krejt rastësi. Unë kam mbaruar Shkollën e mesme Teknologjike për kimi dhe mbase sot mund të isha bërë një inxhiniere kimiste ose mësuese e Kimisë. Rastësia më bëri ta kuptoj se kisha zë, pavarësisht që nuk kisha interpretuar ndonjëherë, kisha një impostim natyral të zërit. Vendosa që të konkurroj në Akademinë e Arteve dhe duke qenë se eca mirë në shkollë, rrjedha e jetës sime mori një drejtim tjetër.
E kishit pasion Kiminë?
Ndoshta e kam pasur pasion në atë kohë kur nuk më shkonte ndër mend se mund të këndoja. Ka qenë babai ai që më dha një shtysë për ta marrë me qejf Kiminë. Them se pata fat që nuk u bëra kimiste.
E keni ndier ndonjëherë xhelozinë e kolegëve, duke qenë se jetojmë në një vend të vogël, me mundësi të pakta dhe vetëm me një teatër operistik?
Sigurisht që e kam ndier këtë xhelozi për të cilën më pyesni, por ka qenë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Dikush më ka punuar diçka pas kurrizit. Megjithatë, edhe në këto raste nuk jam prekur shumë dhe as nuk jam lënduar, sepse kam ecur me filozofinë që koha vendos gjithçka në vendin e vet. Për mua e rëndësishme është veç skena dhe vlerësimi i publikut. Xhelozitë janë normale në çdo fushë të jetës, po kështu konkurrenca, e ndonjëherë edhe e pandershme.
Janë më të rrezikshme xhelozitë e të rejave, apo të atyre më të vjetrave?
Ndonjëherë të të vjetrave janë më shumë.
Ju tremb mosha?
Për momentin jo, por ndonjëherë, kur mendoj pleqërinë, nuk mund të them se ndihem mirë. (Qesh.) Pavarësisht se koha kalon, njeriu mund të mbetet në shpirt i ri. Mendoj se mosha e pleqërisë duhet të ishte pak më larg se ç’është... Por këto janë lidhet e natyrës dhe nuk mund t’i kundërshtojmë. Mendoj se kur ndihesh në harmoni me ambientin që të rrethon, kolegët, familjen, kur jep dhe merr dashuri, çdo moshë të duket e bukur.
Thatë “ligjet e natyrës”, nuk besoni në Zot?
Besoj edhe në Zot... kështu më duket. Shpesh mendoj se ekziston një forcë e mbinatyrshme që krijon dhe harmonizon gjithçka. Kur mendoj në këtë mënyrë sikur gjej më shumë qetësi dhe paqe, pavarësisht se nuk i ndjek asnjëherë rritet fetare, megjithëse jam katolike.
Përveç zërit dhe plastikës, sa e rëndësishme është paraqitja në skenë?
Sigurisht që është shumë e rëndësishme. Përveç zërit apo anës regjisoriale, lëvizjeve, komportimit me partnerët, veshja është ajo që kompleton çdo rol. Në një përqindje të madhe veshja e plotëson shumë personazhin. Sa më e arrirë të jetë kostumografia, aq më mirë futesh në botën e personazheve. Është një element plotësues i rëndësishëm. Sikur diçka e vogël të mos jetë ashtu siç duhet, do të bënte të mos ndiheshe mirë në skenë. Kam parasysh këtu elementë duke nisur që nga këpucët, parukja etj., deri te kostumi...
Pra sipas kësaj që thatë, i bie të jeni kundër përshtatjeve të klasikes në ditët tona?
Ka raste që veprat sillen në kohë, por kjo absolutisht nuk është ndonjë gjë e keqe nëse gjithçka organizohet bukur dhe sipas funksionit.
Ka ndonjë rol që do të donit patjetër ta shtonit në repertorin tuaj si soprano?
Një rol që e kisha ëndërr për ta realizuar dhe është roli i parë që kam parë në jetën time, ishte “Luçia e Lamermurit” e Donizetit. M’u dha mundësia që ta interpretoj në fund të nëntorit të kaluar. Ishte një rol që e kisha ëndërr, me të vërtetë. Më pëlqente subjekti i operas, personazhi i Luçies mbi të gjitha, muzika shumë e bukur dhe vështirësia vokale e teknike për ta realizuar këtë rol. Mendoj që arrita të jap një shfaqje të mirë.
Po skena e ëndrrave tuaja, cila është?
Skena e ëndrrave të mia do të ishte pa dyshim “La Scala” e Milanos, një nga skenat kryesore operistike në botë.
Mendoni se do ta keni shansin një ditë?
Kësaj nuk i dihet asnjëherë.
31 Janar 2009