Ambasadorët e futbollit, ja si e ka pushtuar botën
Dash Frashëri
Kapiteni i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, në fund të dhjetorit të vitit 2008 u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Ambasador i kombit”, teksa më parë është përzgjedhur nga UNICEF-i edhe ambasador i kësaj organizate, ku këtë status e gëzojnë emra të elitës botërore si Kaka, Ronaldinjo, Andrij Shevçenko, Ronaldo, Zinedin Zidan etj. Arjan Beqaj u shpall portieri më i mirë në kampionatin qipriot të vitit 2008 (çmim të cilin e fitoi për të dytin vit rresht). Igli Tare u emërua nga presidenti Klaudio Lotito në detyrën e lartë drejtor Sportiv i klubit të Lacios, i pesti për nga rëndësia në Itali. Të gjithë i kanë konsideruar sportistët si ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. Udhëtimi i tyre nis para viteve 1940, ku në Itali gjejmë emrat e disa prej lojtarëve më të mëdhenj shqiptarë, si Naim Kryeziu, kampioni legjendar i Romës, Riza Lushta me Juventusin e Napolin, apo Loro Boriçi me Lacion. Gjatë 20 viteve të demokracisë, në opinionin sportiv shqiptar është shtruar jo pak herë pyetja se çfarë mund të bënin me magjitë e tyre lojtarë të kalibrit të tillë si Panajot Pano apo Medin Zhega nëse do të luanin jashtë Shqipërisë. Por, gjithsesi, specialja e “Albania”-s ndërmerr këtë udhëtim në futbollin e “hapur” shqiptar, atë pas viteve 1990 e deri në ditët e sotme.
UDHËTIM NË BOTË
Të ndërmarrësh një udhëtim për të ndjekur të paktën një ndeshje të futbollistëve që luajnë jashtë Shqipërisë, apo të marrësh edhe një opinion formal të drejtuesve të klubeve ku ata kanë luajtur më parë, duhet të ndërtosh një itinerar të mirëpërcaktuar deri në detaje, pasi të duhet të prekësh një numër jo të vogël shtetesh dhe të dhjetëfishuar qytetesh. Nëse këtë do ta ndanim gjeografikisht, pa dyshim që Europa zë “pjesën e luanit”, por “avioni” do të ndalojë edhe në Azinë e Largët, në Japoni e Kinë, por dhe në Azerbajxhan e Kazakistan. “Këpucët me thumba” të futbollistëve shqiptarë kanë lënë gjurmë në të gjithë botën: nga Italia në Norvegji; nga Gjermania në Japoni; nga Ukraina në Kinë; nga Bullgaria në Kazakistan; nga Izraeli në Azerbajxhan; nga Franca në Zvicër; nga Sllovenia në Spanjë, nga Portugalia në Qipro; nga Greqia në Rumani; nga Malta në Austri; nga Turqia në Kroaci, nga Rusia në Arabinë Saudite.
GJEOGRAFIA
Dikur, në fillim të viteve 1990, ishte Greqia (për shkak të afërsisë gjeografike) vendi më i madh mikpritës i futbollistëve shqiptarë, por tashmë, në fillim të vitit 2009, pra gati 20 vjet më pas, është Gjermania ajo që numëron më shumë futbollistë shqiptarë, që luajnë në nivel të lartë nga Bundesliga 1 te ajo 3, pa përmendur një duzinë në kategoritë inferiore e futbollin amator. Ukraina është bastioni i dytë me 6 lojtarë, e më pas Italia. Qiproja është shndërruar në destinacionin e ri. Në ishullin e Afërditës kanë luajtur e luajnë dhjetë futbollistë.
YJET AKTUALË
Ia vlen të pranojmë, të paktën sipas parametrave tanë, se dhe Shqipëria ka yjet e saj në disa prej kampionateve më të forta në botë. Lorik Cana, lojtari më i shtrenjtë shqiptar, luan në Francë në një prej ekipeve më të mëdha të këtij vendi, Olimpikut të Marsejës. Madje është kapiteni i tij, ashtu si Dorian Bylykbashi te Kribvasi në Ukrainë, i konsideruar nga IFFHS (Instituti Ndërkombëtar i Historisë e Statistikave të Futbollit) si kampionati i 10-të më i fortë në botë. Emër tjetër i vlerësuar është edhe Altin Lala, ish-kapiten dhe lojtari më besnik i Hanoverit të Bundesligës 1 gjermane. Me të njëjtin respekt flitet edhe për Ervin Skelën, “brazilianin” shqiptar të goditjeve të lira. Mediat ukrainase gjithmonë gjenden në garë për t’i marrë një intervistë Debatik Currit apo Armend Dallkut, madje së fundi dy kosovarët kuqezinj janë intervistuar dyshe.
YJE NË RRITJE
Jahmir Hyka te Mainc 05 në Gjermani, Samir Ujkani te Palermo, Edgar Çani i huazuar te Palermo, Brian Filipi i blerë së fundi nga Palermo, por i huazuar te Ravena (të tre këta në Itali), Geri Malaj te Deportivo la Korunja në Spanjë, Semiran Çela te Angers në Francë, mund të konsiderohen pa hezitimin më të vogël si e ardhmja e futbollit modern shqiptar.
LEGJIONARËT “VETERAN˔
Janë të shumtë, por gjithsesi më të paktë se futbollistët që luajnë aktualisht në Europë. Gjithsesi, janë të lavdishëm dhe kanë meritën se krijuan emrin e madh që vazhdon të hapë dyert e futbollistëve shqiptarë në klubet më të njohura të kontinentit tonë. Foto Strakosha në Greqi, Lefter Millo në Greqi, Rudi Vata në Skoci, Sulejman Demollari në Rumani, Kliton Bozgo në Slloveni, Ylli Shehu në Kroaci, Igli Tare në Itali, Altin Rraklli në Gjermani, Eduard Abazi në Portugali, Besnik Hasi në Belgjikë, të gjithë këta edhe sot e kësaj dite kujtohen si futbollistë cilësorë dhe të respektuar.
TRANSFERTAT E BUJSHME
Shifrat e transferimeve të lojtarëve shqiptarë nuk mund të konkurrojnë kurrsesi me ato të “yjeve” të përmasave botërore, megjithatë janë të respektuara. Erjon Bogdani është futbollisti shqiptar për të cilin është paguar më shumë. Duket e pabesueshme, por për shtatlartin kuqezi deri tani është derdhur shifra e 6.1 milionë eurove në transferimet që ai ka bërë nga njëra skuadër në tjetrën, ku numërohen 6 skuadra. Pas tij në renditje vjen kapiteni kosovar i Olimpik Marsejës, Lorik Cana. Për të presidenti marsejez Papa Diuf, u pagoi 4 milionë euro drejtuesve të Paris Saint-Germanin në verën e 2005-s. Për talentin e Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, drejtuesit e klubit të Manz në Bundesligën 2 gjermane gjatë merkatos së verës 2008 paguan 3.7 milionë euro, rekord për një futbollist shqiptar vetëm 20 vjeç. Kalimi i Besart Berishës nga Hamburgu (Gjermani) për tek Burnli (Angli) kushtoi 500 mijë euro. Para në dorë janë paguar edhe për Edgar Çanin, Brian Filipin, Mërgim Mavrajn, Enco Malindin, Renato Arapin, Ahmed Januzin, Klodian Seminën, Parid Xhihanin.
Riza Lushta, shqiptari i parë i Italisë
Riza Lushta është shqiptari që ka luajtur për ngjyrat “azzure” të Napolit, edhe pse bëhet fjalë për një histori më shumë se 60 vjet më parë. Kosovari Riza Lushta, i lindur në Mitrovicë, u aktivizua me Rudarin, por në Itali shkoi pasi më parë kishte luajtur me Tiranën – fitoi 4 tituj kampionë, 1934, 1936, 1937 dhe 1939 dhe të parën Kupë të Shqipërisë, 1939. Lushta ka luajtur si sulmues me Napolin në vitet 1945-1947, teksa është aktivizuar në 27 ndeshje, duke shënuar 6 gola. Në Itali Lushta ka luajtur edhe me Juventusin, Barin, Alesandrinë, Forlin e Rapalon, ndërsa në Francë me Kanën. Në Serinë A, Lushta ka luajtur në total 170 ndeshje, duke shënuar 68 gola. Lushta, i lindur në vitin 1916, vdiq në moshën 81-vjeçare, në vitin 1997.
Loriku, lojtari më i shtrenjtë shqiptar
Lorik Cana mban dy rekorde: transferimin më të shtrenjtë, 4 milionë euro nga Paris Sën Zhermeni te Olimpiku i Marsejës (gusht 2005) dhe futbollisti shqiptar me vlerën më të madhe në treg, 14 milionë euro, sipas faqes së specializuar në merkato, transfertmarkt.de. Ia vlen të kujtojmë se Lorik Cana dhe presidenti i Olimpikut të Marsejës, Pape Diuf, hodhën poshtë një ofertë prej 12 milionë eurosh të bërë nga ana e skuadrës angleze, Evertonit.
Akset e largëta të transferimeve
JAPONI-KINË
“Këpucët” shqiptare nuk kanë mbetur pa lënë gjurmë edhe në Japoninë e Kinën e largët. Rudi Vata, një nga kapitenët legjendarë të Shqipërisë, pas përvojës unike në klubin më të famshëm skocez, Sëlltikun e Gllazgout, ka luajtur në Japoni, ndërkohë që mbrojtësi aktual i Elbasanit, Nevil Dede, të vetmen përvojë ndërkombëtare e ka në Kinë me Shenyang Ginde, gjatë vitit të kaluar.
AZERBAJXHAN-KAZAKISTAN
Edhe në tokën hebraike Shqipëria pati përfaqësuesin e saj “diplomatik”. Mbrojtësi i Vllaznisë e i Kombëtares shqiptare, Elvin Beqiri, u transferua nga Metallurg Donetsk (Ukrainë) te Maccabi Haifa (Izrael) për 1.5 milionë euro (vlera është dhënë nga transfertmark.de). Në Kazakistanin e largët luan ish-lojtari i Dajtit, Driton Stafsula, teksa vetëm disa javë më parë u transferua në Azerbajxhan mbrojtësi i Kombëtares, Admir Teli.
31 Janar 2009