E Diel, 1 Nëntor 2026

Porte të tjera? Gabim!

Nga Sadedin Çeliku

Kohët e fundit u morën disa vendime qeverie, ku spikatin marrëveshjet për ndërtimin e portit të kontejnerëve te pylli i Sodës, Vlorë, sipas kryeministrit “më i madhi në Evropë”, dhe në Porto Romano.

Kjo tregon se prioritetet e qeverisë janë të gabuara, madje ato bien ndesh me vetë programin e qeverisë. Në emër të reformave po privatizohen apo jepen me koncesion gjithë çfarë i ka mbetur Shqipërisë. Reformat janë të dyshimta dhe meritojnë vëmendje sot dhe nesër.

Shqipëria ka një port relativisht të madh, në Durrës, dhe tre të tjerë të vegjël (Shëngjini,Vlora dhe Saranda), në përputhje me nevojat e saj. Të gjithë së bashku përpunojnë rreth pesë milion tonë në vit; vetëm Autoriteti Portual i Durrësit përpunon 3,2 milionë tonë në vit. Kuptohet që për të vendosur a është me vend ndërtimi i porteve të tjera kërkohet studim (jo si rruga Durrës-Kukës-Morinë) fizibiliteti, studim ky që nxjerr efektivitetin dhe leverdishmërinë e tyre. Në kushtet shqiptare nuk duam porte të tjerë dhe nuk duhet të shpikim metoda e mënyra për t’u bërë qejfin të tjerëve apo për t’i pasuruar ato.

Le të merremi me Vlorën. Vështirë se gjendet ndonjë port në Evropë që të ketë port të specializuar vetëm për përpunimin e kontejnerëve, siç kërkohet të bëhet te ne. Portet Roterdam dhe Anvers janë dy portet më të mëdha në botë, por dhe më modernet. Nuk kanë porte të veçantë kontejnerësh, por vetëm kalata ku përpunohen ato. Vazhdojmë më tej, Kostanca, Varna, Pireu, Selaniku, Rjeka, Trieste, Bari, Brindisi, Hamburgu, Lë Havrë, Marsejë etj., nuk gjendet ky model që kërkon të bëjë qeveria.

Po mirë, çfarë duhet bërë?

Së pari, porti i Vlorës që pretendon zoti Berisha si më i madhi në Evropë e ka gabim, dhe duhet eliminuar fare për shkak se, përveç asaj që thamë më sipër rrit koston e transportit dhe del pa efektivitet.

Në Porto Romano as që bëhet fjalë.

Ajo që është e domosdoshme të bëhet, është ndarja e porteve detare të përpunimit të mallrave me ato të peshkimit.

Në Durrës, Shëngjin, Sarandë dhe Vlorë duhet të largohen anijet e peshkimit, të cilat sot i kemi me shumicë (vetëm në Durrës ka 100 anije peshkimi), dhe ato sipërfaqe infrastrukture dhe superstrukture të mundësojnë zgjerimin e porteve. Synimi kryesor i politikave të transportit duhet të jetë transformimi i porteve të Vlorës dhe Sarandës në port jahtesh. Në këtë mënyrë marrim masa për uljen e ndotjes së mjedisit, e cila aktualisht është në gjendje alarmante dhe krijojmë premisa për zgjerimin e portit të Durrësit si porti kryesor i vendit.

Porti i Shëngjinit mund dhe duhet të zgjerohet për shkak dhe të pozicionit gjeografik me fqinjët. Një kalatë peshkimi e ka dhe një tjetër, marina luftarake, që e mban kot. Ai port me thellësinë që na ofron dhe me katër kalata mund të përballojë gati të gjithë volumin e përpunimit të mallrave për qytetet e veriut.

Porti i Durrësit gjatë vitit që shkoi përpunoi 1200 anije. Ai port mund dhe duhet të përpunojë dyfishin e sasisë së mallrave të përpunuara, pra deri në 7 milionë tonë në vit. Në këtë mënyrë ajo përballon nevojat e vendit sot dhe në perspektivë, përfshirë edhe mallrat transit për Maqedoninë. Ministria e Transportit prioritet duhet t’i japë përmirësimit të normave të njëkohshme të përpunimit, uljen e tarifave të manipulimit të mallrave për të thithur sasitë e mallrave në transportin rrugor.

Në fakt, këto tarifa kohët e fundit u rritën. Në mënyrë të veçantë investimet duhet të bëhen në fushën e modernizimit, në pajisje e mekanizma që doemos synojnë rritjen e kapaciteteve të përpunimit të mallrave.

Sot në botë nuk praktikohet dhe nuk është rentabël ndërtimi i shumë porteve, por përmes modernizimit rriten normat e përpunimit e për rrjedhoje kapacitetet përpunuese.

Terminali i trageteve në mënyrë të veçantë në Durrës duhet të jetë njësi administrative më vete (ndërmarrje më vete), pasi nuk ka lidhje aspak me objektin e asaj ndërmarrjeje, mjafton të shikoni portet italiane, ku përpunohen tragete.

Në funksion të kësaj reforme është e pakuptueshme që gjithë Shqipëria po privatizohet, agjencia detare “Taulantja” dhe “Transalbania” vazhdojnë të mbeten shtetërore. Pse?

Së fundi, më vjen keq të theksoj se jo vetëm ato dy porte nuk duhen, sepse janë kot dhe luks i madh për Shqipërinë, por ka ardhur koha të përcaktohen drejt prioritetet e zhvillimit në funksion të nevojave të vendit. Vetëm kështu do të mund të reduktojmë varfërinë, të pakësojmë papunësinë e mjaft plagë të tjera që sot po i ndjejnë të gjithë shqiptarët duke futur në këtë mënyrë Shqipërinë në rrugën e vërtetë të zhvillimit.

*Autori është ish-zv/ministër Transporti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›