E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i plotë i Panelit të Inspektimit Hetimor për skandalin e dhëndrit të Berishës*

Nga Werner Kiene, Kryetari i Panelit të Inspektimit Hetimor

Memorandum për drejtorët ekzekutivë dhe përfaqësuesve të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) për projektin në Shqipëri: Menaxhimi i Zonës Bregdetare të Integruar dhe Projekti i Pastrimit

Bordi i Drejtorëve ekzekutivë autorizoi Panelin e Inspektimit, më 1 nëntor 2007, të kryente një hetim për çështjet e dyshuara në “Kërkesë për inspektim” që mori nga Paneli në lidhje me projektin e përmendur më sipër.

Një proces i vështirë hetimi

Hetimi i tanishëm u nxit nga prishja e një sërë shtëpish në bregun jugor të Shqipërisë dhe nga një pretendim nga personat e prekur se zyrtarët shqiptarë u thanë atyre që prishja ishte direkt e lidhur me projektin e financuar nga Banka. Panel i Inspektimit nuk e kishte imagjinuar, kur i rekomandoi hetimin Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve, se ky do të rezultonte një nga hetimet më të vështira në 14 vitet e veprimtarisë së tij.

Hetimi zbuloi një radhë faktesh të pazakonshme në përgatitjet dhe zbatimin e këtij projekti. Megjithatë, në përpjekjet e tij për të kuptuar çfarë kishte çuar në përfshirjen e Bankës, Paneli u ndesh shpesh me qëndresën e stafit për të mos bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me historinë e projektit dhe situatën aktuale për të ofruar informacion të saktë dhe të plotë për Panelin. Kjo sjellje pengoi hetimin e Panelit dhe punoi kundër interesave institucionale të Bankës për ta sjellë projektin në përputhje me politikat dhe procedurat operacionale të bankës dhe të trajtonte shqetësimet e ngritura në “Kërkesën për inspektim”.

Paneli po merr hapin e paprecedent për t’i paraqitur bordit në këtë memorandum disa nga pengesat dhe faktet e ndeshura gjatë këtij hetimi.

Korniza politike dhe bashkëpunimi i stafit

Paneli pranon se Banka punon në një mjedis teknik dhe politik. Shpesh vendimet është dashur të merren në kushte të paqarta dhe gabime kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Për më tepër, rrezikimi është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit, megjithëse Banka ka nevojë të garantojë se rreziku nuk bie mbi më të dobëtit. Banka ka zhvilluar një kornizë politike operacionale dhe ka krijuar një mekanizëm që trajton këto rreziqe dhe Paneli është një pjesë integrale, e pavarur e kësaj kornize. Një tjetër element i kësaj kornize është gatishmëria e menaxhmentit dhe aftësia e tij të njohë gabimet dhe t’i trajtojë ato me konstruktivitet dhe efektivitet.

Bashkëpunimi i stafit dhe transparenca janë të nevojshme, kur shfaqen gabimet, ato pranohen dhe korrigjohen. Nga kjo përfiton jo vetëm institucioni, por edhe njerëzit, që Banka është mandatuar t’u shërbejë. Nëse menaxhmenti dhe stafi, siç ndodhi shpesh gjatë këtij hetimi, nuk kanë dëshirë të merren me këto çështje me kokëfortësi, kjo ngadalëson aftësinë e Bankës për të korrigjuar problemet dhe nxjerrë mësime të rëndësishme në veprimet e së ardhmes.

E drejta për t’u informuar - roli i stafit

E drejta për të marrë informacion të saktë është themelore për punën e Panelit të Inspektimit. Është pjesë e një çështjeje më të gjerë mënyra e trajtimit të informacionit në Bankë, horizontalisht dhe vertikalisht, e cila ndikon tek aftësia e Menaxhmentit të Lartë dhe Bordit Ekzekutiv i Drejtorëve për të trajtuar çështje të rëndësishme të lidhura me Projektin. Gjithë puna e Panelit dhe cilësia e shërbimit që ai bën për Bankën dhe aksionerët e projektit, varen në një masë të madhe nga mundësia e Panelit të ketë të drejtën e informimit, zbulimi i fakteve kyçe dhe analizat.

Keq-paraqitja e fakteve

Paneli është shqetësuar të raportojë se gjatë hetimit zotëroi disa dokumente të caktuara, të cilat keq-paraqitnin fakte të rëndësishme të projektit.

Në një rast është një dokument kyç në vetë Dokumentin e Vlerësimit të Projektit (PAD). PAD thotë se ishte arritur një marrëveshje me huamarrësin për të ndaluar prishjen në projekt, derisa të përmbusheshin disa procedura dhe kritere. Siç zbuloi vetë Paneli gjatë hetimit, ky dokument nuk ishte i vërtetë.

Po kaq shqetësues është fakti se, gjatë vizitës së tij Panelit iu dha një kopje e atij që mendohej të ishte kopje e fjalimit të menaxhmentit të Bankës të mbajtur në Bord në aprovimin e Projekt Kreditit. Kopja që iu dha Panelit përfshinte një paragraf që korrigjonte keq-shfaqjen në PAD të përmendur më sipër. Siç e zbuloi sërish Paneli po vetë, ky paragraf i rëndësishëm që do të kishte korrigjuar keq-informacionin në PAD, nuk ishte përfshirë si pjesë e fjalimit të mbajtur në Bord, duke fshehur informacionin e Bordit në lidhje me projektin.

Në fakt, siç tregojnë të dhënat e Bordit, megjithëse anëtarët e Bordit e mirëpritën marrëveshjen e supozuar për ndalimin e prishjes, sipas PAD, menaxhmenti nuk e korrigjoi këtë keq-shfaqje në takimin e Bordit.

Më shumë se 3 vjet pas këtij takimi të Bordit, menaxhmenti nxori një Corrigendum (korrigjim), me synim korrigjimin e versionit të botuar të PAD, pa dhënë asnjë fakt në lidhje me keq-shfaqjen dhe arsyet e vonesës së korrigjimit. Ky Corrigendum tregonte se menaxhmenti kishte informuar Panelin në lidhje me keq-shfaqjen. Është e rëndësishme të theksohet se menaxhmenti as nuk e informoi Panelin për “gabimin” në PAD dhe as nuk dha shpjegime racionale në lidhje me ngjarjet që rrethonin keq-shfaqjen para Bordit në lidhje me “gabimin”. Përkundrazi, Panelit iu desh të bënte përpjekje të mëdha për të mësuar rreth keq-shfaqjes.

Paneli është shumë i shqetësuar për këtë seri keq-informacioni. Paneli e sheh të nevojshme të raportojë gjithashtu se, pavarësisht përpjekjeve që përfshijnë një shikim të hollësishëm të gjithë dokumentacionit në zotërim dhe intervistat me menaxherët dhe stafin e përfshirë ngushtë me këtë çështje, ende nuk ka marrë një shpjegim racional dhe të besueshëm, përse ishte përfshirë në PAD ky informacion i pasaktë dhe përse nuk ka pasur përpjekje për t’ia shpjeguar situatën Bordit, derisa e zbuloi Paneli.

Paneli e di që zv/presidenti në detyrë dhe Konsull i Përgjithshëm i ka dërguar Bordit një shkresë, ku përshkruhen rrethanat në lidhje me çështjen e referuar në Corrigendum dhe kjo shkresë u diskutua takimin e Bordit, më 11 nëntor 2008.

Paneli e di që janë bërë edhe përpjekje nga menaxhmenti për ta lidhur Panelin me insinuatën në këtë Corrigendum. Paneli dëshiron të deklarojë, për arkiva, se nuk ka qenë i përfshirë dhe as nuk aprovuar insinuatën e këtij Corrigendum-i. Në fakt, shefi i Panelit të Inspektimit i dërgoi një shkresë zv/presidentit në detyrë dhe Konsull i Përgjithshëm që tregonte se “Paneli nuk e aprovon apo mbështet veprimin e menaxhmentit të Bankës për të nxjerrë Corrigendum.”

Mungesa e dëshirës për të dhënë informacion

Në hetimin e tanishëm pati disa forma për të penguar Panelin të njihej me të dhënat. Për shembull, Paneli ndeshi shmangien e fakteve të rëndësishme gjatë intervistimit të stafit dhe paaftësinë për të rikujtuar ngjarje të rëndësishme të Projektit nga disa pjesëtarë të stafit të pyetur veçanërisht në lidhje me keq-shfaqjen e informacionit në PAD, përmendur më sipër dhe rrethana të tjera të projektit. Kishte raste, kur mungonte dëshira për të ofruar ose identifikuar dokumente të projektit, të cilat iu dhanë Panelit vetëm më vonë gjatë hetimit dhe në shumë raste vetëm pas këmbënguljes së Panelit.

Megjithëse bashkëpunimi me Panelin u përmirësua dukshëm në fazat e mëvonshme të hetimit, Paneli mbeti me përshtypjen se, nëse nuk do ta kishte ditur më herët për ekzistencën e disa dokumenteve, dhe bëri pyetje direkt lidhur me to, disa dokumente të rëndësishme nuk do t’i ishin dhënë Panelit fare.

Marrja e stafit në pyetje

Një nga metodat bazë të punës së Panelit është marrja në pyetje e stafit dhe menaxherëve të projektit. Për të inkurajuar transparencë të plotë, Paneli ka vendosur rregulla dhe procedura bazë, përfshi mbrojtje për stafin, për të promovuar bashkëpunim kolegjial dhe sinqeritet. Paneli dëshiron të theksojë se anëtarët e stafit në përgjithësi e përkrahin tërësisht rolin e Panelit dhe përgjegjësitë e mëdha dhe bashkëpunojnë me të me sinqeritet dhe objektivitet. Kjo sjellje profesionale ndihmon për përparimin e analizave të Panelit dhe ndihmon për të informuar Bordin dhe menaxhmentin e Bankës.

Megjithatë, në rastin konkret ka pasur raste, kur ata që merreshin në pyetje nuk ishin të prirur të flisnin. Në më pak raste, duket se ka pasur raste sistematike për të shmangur Panelin nga informacioni i nevojshëm, me pretendimin se nuk mbanin mend fakte, ngjarje, vendime ose dokumente.

Gjatë intervistave, disa nga anëtarët e stafit lanë përshtypjen se ata ishin “trajnuar” për intervistën. Paneli thekson se në qendër dhe në terren atij iu dha në vazhdimësi informacion keqorientues dhe në disa raste jo i saktë. Ky informacion në disa raste ishte i kundërt me atë që Paneli dinte tashmë apo, siç u zbulua më vonë, me atë që anëtarët respektivë të stafit kishin shkruar ose mësuar gjatë punës. Në një intervistë, personi i pyetur nuk pranoi një pyetje faktike direkte me pretendimin se menaxhmenti do të jepte më vonë një përgjigje zyrtare në lidhje me çështjen në fjalë.

Paneli është shumë i shqetësuar, se një mënyrë e tillë dhënieje informacioni nuk mundëson transparencë dhe sinqeritet për të informuar një proces hetimi të paanshëm dhe të efektshëm.

Transparenca e projektit lidhur me informacionin

Paneli është gjithashtu i shqetësuar se përgjigjja e menaxhmentit ndaj “Kërkesës për inspektim”, nuk ofroi ose përmendi informacionin material në lidhje me faktet rreth prishjes që ishin bazike për “Kërkesën” dhe që diheshin prej kohësh nga ata që ishin përfshirë në projekt. Ky informacion rezultoi të kishte lidhje të rëndësishme, dhe të ishte në kundërshtim me deklaratën në përgjigjen e menaxhmentit se projekti nuk është lidhur - “direkt apo indirekt” - me prishjet në Jalë.

Paneli e zbuloi vetë një pjesë të këtij informacioni, ndërsa përgatiste raportin, se po të ishte mbështetur në pohimet kategorike të përgjigjes së menaxhmentit, ky hetim i rëndësishëm mund të mos kishte ecur para.

Supervizimi dhe zbulimi i fakteve

Paneli thekson se menaxhmenti i kishte besuar përgjegjësinë e “zbulimit të fakteve” një ekipi me anëtarë të stafit, menjëherë pasi kishte ndodhur prishja (në Jalë). Ky ekip me anëtarë të stafit përgatiti një raport për menaxhmentin e Bankës, ku faktet e rëndësishme, përfshi komunikimin zyrtar të Projektit, debate të rëndësishme parlamentare dhe lajme për këtë çështje në media - të njohura gjerësisht gjatë kësaj kohe në Shqipëri dhe të rëndësishme për të kuptuar dhe analizuar ngjarjet - nuk ishin përfshirë. Këto fakte fillimisht nuk iu dhanë as Panelit.

Kjo i ofronte menaxhmentit të lartë një pamje të cunguar të përmasave reale të situatës dhe nuk realizon qëllimin e një supervizimi të mjaftueshëm.

Kur një mision për zbulimin e fakteve fsheh informacion të rëndësishëm, procesi i punës komprometohet dhe Banka nuk është në gjendje të ndërmarrë veprimet e duhura. Kjo sjellje nuk është vetëm çështje keqinformimi apo mospërputhje me politikat kryesore të Bankës, por ajo bie ndesh me parimet themelore të funksionimit të një institucioni të decentralizuar.

Përfundime

Paneli nuk është në gjendje të thotë me saktësi, pse fillimisht mungoi bashkëpunimi.

Megjithatë, duket se vendimi fillestar për të përdorur një aplikim më të ashpër të politikës së Bankës e ka nxitur stafin të mos jepte informacion, që konfirmon se një drejtim tjetër i ngjarjeve do të kishte qenë më i përshtatshëm.

Fakti që Paneli ndeshi në vështirësi të pazakonta për të siguruar informacion të saktë dhe të plotë mund të jetë një rast i veçantë, por fakti që ka ndodhur është shumë shqetësues. Ngjarjet e numëruara më sipër penguan procesin hetimor të Panelit. Ato duket se kanë kontribuar në krijimin e një klime mbrojtëse dhe marrëdhëniesh armiqësore. Kjo nuk i shërben as Bankës si institucion ose njerëzve të lidhur me projektin.

Paneli konfirmon se puna e tij duhet të shikohet si kontribut në misionin e përgjithshëm të Bankës dhe me këtë frymë janë përgatitur memorandumi dhe raporti i hetimit i paraqitur në bord.

Shpresojmë që raporti dhe zbulimet tona do të kenë vlerë për aksionarët e projektit dhe IDA-n.

Gazeta “TemA” nis botimin e raportit të Panelit të Inspektimit për skandalin me projektin e Bankës Botërore për bregdetin e jugut. Sot botohet memorandumi për drejtorët ekzekutivë të BB, përgatitur nga kryetari i këtij Paneli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›