Shpallen listat e zgjedhësve, Teliti: Hoqëm 50 mijë dublime
Gjendja Civile përfundon pastrimin e regjistrit nga dublikatat dhe nxjerr numrin përfundimtar të zgjedhësve që do të marrin pjesë më 28 qershor. Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Armand Teliti, tha dje në një konferencë për shtyp se pas kontrollit janë hequr rreth 50 mijë emra të dubluar. "Në përfundim të kontrollit të dublimeve të mundshme u identifikuan në sistem: 5,818 persona të dubluar brenda të njëjtës zyrë, të njohura si dublime të brendshme. 45.074 persona të dubluar ndërmjet zyrave, të njohura si dublime të jashtme. Në një total të përgjithshëm prej 50,892 personash, të dyshuar si të dubluar.
Me përfundimin e pastrimit të dublimeve deklarojmë se kemi për herë të parë një Regjistër Kombëtar të Gjendjes Civile të pastër nga dublimet", theksoi Teliti. Në përfundim të pastrimit të dublimeve nga sistemi i RKGjC-së, bazuar në informacionin e sjellë nga vetë ZGJC-të, u arrit të pastroheshin të gjitha dublimet, sipas Drejtorit të Gjendjes Civile. Gjithashtu nga të dhënat e nxjerra rezulton se numri total i popullsisë është 4,249,942, ndërkohë që numri i zgjedhësve më 28 qershor do të jetë 3,133,248. Por problem mbetet ende një kategori qytetarësh, që për shkak të lëvizjeve të kryera nuk kanë një qendër të saktë votimi. "Lista e zgjedhësve për çdo njësi është e grupuar sipas Qendrave të Votimit. Për shkak të lëvizjeve të kryera ndërmjet njësive, rezulton një numër total prej 88,000 zgjedhësish pa një numër të saktë Qendre Votimi. Në përputhje me Kodin Zgjedhor, Kryetari i njësisë duhet t'u caktojë të gjithë zgjedhësve në listë një qendër të vlefshme votimi brenda datës 28 shkurt 2009", tha më tej Teliti.
te dhenat
Numri i popullsisë: 4,249,942 shtetas
Numri i zgjedhësve: 3,133,248 zgjedhës
Emra të dubluar që u hoqën: 50,892 persona