E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi i Zogby, PS merr 37 për qind, PD merr 30 për qind

Nga Top Channel

Nëse zgjedhjet parlamentare shqiptare do të zhvilloheshin sot, Partia Socialiste do të merrte 37 për qind të votave, Partia Demokratike 30 për qind me një marzh gabimi +/- 3.2 për qind.

Ky është rezultati për muajin janar, publikuar nga kompania prestigjioze e sondazheve “Zogby International”, pas anketimit të kryer për 1 mijë votues.

19 për qind e të anketuarve janë shprehur se nuk janë ende të sigurt, ndërsa 4 për qind kanë refuzuar të përgjigjen.

Rezultatet treguan se, nëse shqiptarët do të votonin sot, LSI do të merrte 5 për qind të votave, PDK, 1 për qind, PBDNJ 1 për qind dhe PR 1 për qind të votave.

Në 1 mijë të anketuar, 82 për qind e të pyeturve janë gati për të votuar, ndërsa 19 për qind janë shprehur se mund të votojnë.

(Shifra e dalë nga ky rezultat është 101 për qind, por kjo vjen si pasojë e rrumbullakimit të rezultateve).

Çështjet kryesore, me të cilat po përballet Shqipëria, sipas të anketuarve janë nëntë dhe tri kryesoret janë papunësia, ekonomia dhe varfëria.

Sipas anketimit, Shqipëria për 41% të të anketuarve po shkon në rrugën e gabuar, 44% në drejtimin e duhur dhe 15% shprehen të pasigurt.

Të pyetur për performancën e punës së dy liderëve kryesorë, Berisha dhe Rama, 1 mijë të anketuarit vlerësuan punën e kryeministrit me: 65%, si negative;

32%, si pozitive; 2%, jo i sigurt.

Për liderin e opozitës, Rama, vlerësimi është: 52% negative, 44% pozitive, 5% e pasigurt.

Opinioni për partitë kryesore është: Partia Demokratike vlerësohet nga 54% e të anketuarve dhe cilësohet si negative nga 38% e të anketuarve.

Partia Socialiste vlerësohet nga 62% e të anketuarve, ndërsa cilësohet si negative nga 28% e të anketuarve.

Një pikë tjetër e anketimit është përshkrimi i preferencave aktuale, ku 51% e të anketuarve e kanë vendosur se për kë do të votojnë, 29% anojnë në parti të ndryshme dhe 11% duhet ende të vendosin.

“Anketimi i Zogby vjen pas një kontrolli të përgjithshëm të të gjithë procesit të sondazhit. Rezultatet vijnë, pasi është mbaruar procesi editorial dhe Top Channel nuk ka asnjë ndikim për linjën editoriale të këtij sondazhi”, - u shpreh Tom Rogers, përfaqësues i “Zogby International”.

Rezultatet e sondazhit për muajin janar u publikuan në televizionin Top Channel. Deri në maj, do të ketë publikime të përmuajshme rezultatesh, të kryera nga kompania prestigjioze “Zogby International”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›