E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Porti i Durrësit/ Balla në Kuvend: Non-grata ka hallin e 3 koncesioneve korruptive të dhëna para vitit 2013

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me Portin e Durrësit, duke i akuzuar se kërkojnë që projekti të mos ndërtohet për arsye personale.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se kreu i PD, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha dhe kreu i PL, Ilir Meta, kanë “hallin” e 3 koncesioneve korruptive të dhëna në Portin e Durrësit para dhe gjatë vitit 2013.

“Për çështjen e Portit të Durrësit, për të gjitha shpifjet që thuhen kundër këtij projekti, ne nuk kemi për të pushuar. Saliu është nxehur sepse po filloi projekti i Portit, ju nuk fitoni më as në Durrës as në Shqipëri. E dini ju sesa koncesione ka dhënë Berisha në Portin e Durrësit që nuk kanë bërë asnjë investim dhe i kanë sjellë dëme shtetit. Halli i Saliut është prishja e këtyre koncesioneve që nuk kanë funksionuar. Halli i Saliut dhe Ilirit është koncesioni i terminalit të kontejnerëve që ju i jepnit një muaj para zgjedhjeve dhe i terminalit të trageteve në Portin e Durrësit. Janë tre koncesione që ju i keni dhënë dhe keni hall se mos ata që ja keni dhënë, mos ju kërkojnë lekët. Kanë shkuar te Saliu dhe po i kërkojnë lekët”, tha Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›