E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i Durrësit, nis puna për parkingun e automjeteve



Porti detar më i madh në vend ka nisur zbatimin e projekteve të investimeve madhore në infrastrukturë, çka do të thotë se viti 2009 do ta klasifikojë atë në pesë portet ballkanike me infrastrukturën më moderne në rajon. Një projekt i cili sapo ka nisur të realizohet synon rikonstruksionin e rrugës kryesore që përshkon tejpërtej portin detar të Durrësit, si dhe te parkingjeve të automjeteve. Drejtori Ekzekutiv i APD, Eduart Ndreu, tha për “standard’ se “Autoriteti Portual Durrës me fonde nga buxheti i tij ka nisur riparimin e rrugës më të gjatë të portit, e cila nis te hyrja nr. 1 pranë godinës së Drejtorisë dhe përfundon te hyrja nr. 4 te Ura e Dajlanit”. Pjesë e këtij projekti janë edhe 2 parkingje automjetesh të cilët janë pjesë e këtij aksi. Ka qenë firma e ndërtimit “Varaku. E”, ajo që fitoi tenderin për riparimin e kësaj rruge strategjike, pasi paraqiti ofertën më të leverdisshme pranë komisionit përkatës. APD ka vënë në dispozicion shumën prej 66.4 milionë lekësh, me të cilat do të riparohen, asfaltohen, ndriçohen dhe gjelbërohen 1,5 km rrugë, si dhe 800 m2 parkingje për automjetet e të gjitha tonazheve. Sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët,, punimet do të përfundojnë brenda një afati kohor prej 180 ditësh.

Në këtë segment rrugor kalojnë mbi 1000 automjete të të gjithave tonazheve në ditë. Më parë ishte rikonstruktuar një segment i këtij aksi pranë terminalit të trageteve, që ka lehtësuar mjaft qarkullimin në këtë zonë të portit detar. Ky projekt është pjesë e studimit të madh, i cili synon modernizimin e pjesës perëndimore të portit të Durrësit. Brenda këtij studimi është edhe krijimi i një sheshi të madh atje, ku sot ndodhet godina e forcave të kufirit, si dhe reparti i zjarrfikësve, pasi ato do të spostohen brenda vitit në një godinë të re ngjitur me murin rrethues të portit detar.

Për këtë qëllim janë vënë në dispozicion 1 milion USD nga ana e APD-së. Ndërkohë vazhdon puna me intensitet edhe për rikonstruksionin dhe zgjerimin e terminalit të trageteve nga ana kompanisë “ACT”. Për këtë qëllim është siguruar një kredi me vlerë 15.2 milionë euro. Punimet do të përfundojnë në muajin prill 2010.

ASHR: Klinikat private janë të pastra

Të gjitha klinikat private mjekësore në qytetin e Tiranës dhe komunat përreth plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, rezulton nga kontrollet e ushtruara nga Inspektorati Sanitar, pranë Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, tha dje se "klinikat private mjekësore, stomatologjike, laboratorë të veçantë, si dhe farmaci, janë pajisur me leje higjieno-sanitare për objektin dhe përmbushin kushtet higjieno-sanitare si objekt dhe mjedis". Zoti Gecaj informoi se ndër të tjera se kontrollet janë të përmuajshme. Për probleme të tjera, sikurse janë rrezatimet, ndikimet ne mjedis, liçencimi etj, veç Inspektoratit Sanitar, këto subjekte kontrollohen dhe nga organe të tjera shtetërore, si Inspektorati i Mjedisit. Sipas të dhënave nga ASHR, vetëm në shërbimin stomatologjik operojnë 769 klinika të licencuara. Për periudhën janar 2007-maj 2008, janë dhënë 358 licenca në këtë fushë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›