Anijet “parazite” bllokojnë një pjesë të portit të Durrësit
Anijet e quajtura “parazite” ende nuk po lirojnë një pjesë të mirë të territorit portual në Durrës, duke mos zbatuar kështu një vendim të KM-së të vitit 2007. Bëhet fjalë për një vendim me nr. 45 i KM-së i datës 31 janar 2007, i cili nuk ka gjetur zbatim. Ky vendim bën fjalë për portin e Vlorës ku do të akomodoheshin anijet “parazite” të portit të Durrësit. Nga 10 mjete që do të strehoheshin atje, vetëm 2 prej tyre është arritur të zhvendosen nga porti më i madh i vendit, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të mbajë të bllokuar një pjesë të mirë të kalatave të portit. Pikërisht moszbatimi i këtij vendimi ka qenë madje edhe shkaku i shkarkimit nga detyra i ish-kapitenit të përgjithshëm të Porteve, Vladimir Beja, në muajin maj të këtij viti e megjithatë situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Në datën 31 janar të vitit 2007, Këshilli i Ministrave vendosi “shpalljen e Gjireve të Raguzës 1 dhe 2, porte për strehimin e mjeteve të detare të bllokuara në portin e Durrësit”. Ky vendim u shpall në Fletoren Zyrtare, viti 2007, nr. 14, faqe 241, data e botimit 21.02.2007. Ligji detyronte kapiteneritë e porteve Durrës, Vlorë dhe Sarandë që të drejtonin operacionet për largimin e anijeve parazite nga porti i Durrësit dhe sistemimin e tyre në portet rifuxho të cilat ndodhen në Karaburun. Më datë 9 gusht 2007, nisi puna për evakuimin e këtyre anijeve nga porti i Durrësit. Atë ditë nëpërmjet tërheqjes me rimorkiatorë u zhvendosën dy anije nga porti i Durrësit kurse në deklaratat e tyre drejtuesit e portit njoftuan largimin e 10 anijeve në total. Por që nga ajo ditë asnjë anije tjetër nuk u largua nga porti më i madh i vendit. Kjo solli që në datën 6 maj 2008, t’i komunikohet me shkrim urdhri i shkarkimit ish-kapitenit të përgjithshëm të Porteve, Vladimir Bejo, me motivacion “për moszbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për largimin e anijeve parazite nga porti i Durrësit”. Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar gati 8 muaj nga dita e shkarkimit të Bejos, situata në port lidhur me transferimin e anijeve në fjalë nuk ka ndryshuar aspak. Ato vazhdojnë të qëndrojnë të ankoruara dhe herë zënë vend në kalatën zero, dhe herë në atë lindore.