Policia e Shtetit, 6.143 punonjës të trajnuar gjatë vitit 2008
Policia e Shtetit ka trajnuar gjatë vitit 2008 të paktën 6.143 punonjës, të cilët janë certifikuar duke konfirmuar kryerjen me sukses të këtyre kurseve. Ky institucion përmes një deklarate për shtyp sqaroi lajmet në lidhje me sistemin e arsimit policor dhe trajnimet me efektivat e Policisë së Shtetit, për të cilët është shkruar se kanë dalë me rezultate të dobëta, në kurset e zhvilluara së fundi. Sipas Policisë së Shtetit, gjatë këtij viti janë trajnuar 3.198 punonjës të specializuar për natyra të veçanta të punës, 1.502 kanë marrë trajnimin bazë policor, 1.067 kanë përfunduar trajnimin në terren, 242 janë përgatitur si oficerë të trajnimit në terren dhe 134 janë trajnuar si instruktorë. Gjithashtu, janë zhvilluar gjithsej 190 kurse të ndryshme trajnimi, të ndara në 166 trajnime të Specializuara dhe Avancuara, 9 për përgatitjen e instruktorëve, 7 për përgatitjen e oficerëve të trajnimit në terren (OTT), 5 për përgatitjen e punonjësve të rinj të policisë (shkollimi bazë policor) dhe 3 për trajnimin bazë policor për punonjës policie në detyrë.