Mundësitë e emigrimit, zyra në mbarë vendin
Projekti i Ministrisë së Punës për informimin e qytetarëve
Hapi i parë i aplikimit të drejtpërdrejtë për emigracion
Një rrjet i plotë zyrash që do të këshillojnë, si fazë e parë, qytetarët në lidhje me mundësitë dhe kriteret e emigracionit, është hapur në të gjitha qarqet e vendit, pranë Drejtorive Rajonale të Punësimit. Burime nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bëjnë të ditur se kjo zyrë do të shërbejë për të informuar të gjithë qytetarët mbi mundësitë e emigrimit ekonomik dhe kriteret që vendosin shtetet e tjera. Ndërkohë, mësohet se në një fazë të dytë, këto sportele do të kthehen në ndërlidhëse të drejtpërdrejta mes emigruesve dhe shteteve që kërkojnë emigrantë, në mënyrë që të krijohet një instancë shtetërore e menaxhimit të emigrimit sezonal.
Sportelet
Burime nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bënë të ditur për “standard” se punonjësit e këtyre sporteleve po ofrojnë informacion dhe këshillim për emigracionin e rregullt tek të gjithë të interesuarit. Projekti në fjalë është i parashikuar në strategjinë e emigrimit, ku zyrat e emigracionit shihen si një institucion i dhënies së informimit sa më të shpejtë për kandidatët-emigrantë.
Në fushën e emigracionit, Ministria e Punës mban korrespondenca të vazhdueshme me përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit, të cilat e vendosin në dijeni mbi të gjitha projektet e pranimit të emigrantëve të rinj, kryesisht sezonal në këto vende. Në këtë mënyrë, informacioni i dhënë nga zyrat e emigracionit, por edhe mundësia e kthimit të këtyre zyrave nga sportele këshillimi, në sportele aplikimi, nuk është e pamundur.
Sportelet e emigracionit janë hapur pranë Drejtorive Rajonale të Punësimit në të gjitha qendrat kryesore urbane të vendit: Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë. Zyra të tilla janë çelur edhe në Kosovë, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, Kroacia, Republikën e Malit të Zi dhe në Republikën e Serbisë.
Strategjia
Strategjia për emigracionin është miratuar një vit më parë nga Këshilli i Ministrave dhe parashikonte integrimin e formimit profesional, e punëkërkuesve të papunë dhe emigrantëve.
“Emigrimi ka një ndikim të madh në ekonominë e vendit dhe në tregun e punës. Shtypi dhe televizionet raportojnë vazhdimisht për problemet e emigrimit të parregullt; vështirësitë që hasin shqiptarët në marrjen e vizave për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian ndihen nga të gjithë. Megjithatë, emigracioni ka edhe disa avantazhe. Në qoftë se menaxhohet siç duhet, ai mund të përdoret si mjet për zhvillimin e vendit”, – ky është thelbi i emigracionit, sipas strategjisë.
Hapja e sporteleve të emigracionit pranë drejtorive të punësimit duket se është hapi i parë drejt integrimit të këtyre elementëve, që nga njëra anë do të mundësonte uljen e nivelit të varfërisë në vend e nga ana tjetër do të krijonte një situatë më të favorshme për emigrantët shqiptarë, të cilët tashmë do të jenë të përzgjedhur nga autoritetet shtetërore të vendit tonë.
Banesat sociale, gati në vitin 2010
Banesat sociale të premtuara nga Bashkia e Tiranës për të pastrehët, do të jenë gati në vitin 2010. Burime nga Bashkia e Tiranës bënë të ditur se “në muajin pasardhës, bashkia do të shpallë tenderin për firmën fituese, që do të ndërtojë banesa sociale në verilindje të kryeqytetit, tek Fonderia Mekanike”. Në këtë zonë të pabanuar, Bashkia e Tiranës ka planifikuar ndërtimin e 393 apartamenteve, në të cilat pritet të strehohen 1.300 persona. Sipas burimeve zyrtare të bashkisë, "ndërtimi i këtyre banesave sociale, që pritet të jenë ndër investimet më të mëdha për të pastrehët në Tiranë, do të financohet 60% nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, (CEB) dhe 40% nga fondet e Bashkisë së Tiranës". Të 393 apartamentet e reja do të shtrihen në një sipërfaqe prej 28 mijë metra katrorë, ku përfituesit e parë do të jenë banorët e ish-Uzinës së Autotraktorëve, që jetojnë në kushte të papërshtatshme në mjediset e brendshme të saj. "Kjo përzgjedhje është bërë në bazë të ligjit të urbanizimit dhe sistemit të pikëzimit të bashkisë", - bënë të ditur burimet e saj.