Turneu i Tiranës, etapa e parë e kampionatit
Federata Shqiptare e Bouling ka zhvilluar dje aktivitetin e parë kombëtar të vitit, "Turneun e Tiranës" në kompleksin "Blur" në kryeqytet. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë skuadrat nga Tirana dhe Elbasani, të cilat janë ndeshur përballur me njëra-tjetrës si në garën ekipore me 6 lojtarë, ashtu edhe në atë individuale. Ekipi kryeqytetas ka qenë më i suksesshëm në këtë turne të parë të vitit, duke dalë fitues në të dy garat, të cilat kanë pasur rivalitet të madh. Federata Shqiptare e Bouling ka përcaktuar që gjatë këtij viti të zhvillohet një tjetër turne kombëtar në qytetin e Elbasanit, nga përfundimi i të cilit do të shpallen edhe kampionët e Shqipërisë në rang ekipor dhe individual. Duke përfituar nga popullariteti që ka sporti i bouling edhe në Kosovë, kjo federatë po mendon që në muajin qershor të zhvillojë një turne miqësor në Prishtinë. Një iniciativë e tillë është ndërmarrë për të promovuar këtë sport dhe për të ftuar ekipet kosovare të marrin pjesë në aktivitetet që zhvillohen në vendin tonë.