E Diel, 1 Nëntor 2026

Te Marseja, mbrojtja ndërtohet rreth Canës

Lorik Cana është lojtari i vetëm që ka zhvilluar një sezon pozitiv tek Olimpik Marseja. Kjo është arsyeja përse sipas "football.fr", edicionin e ardhshëm mbrojtja e skuadrës do të ndërtohet rreth shqiptarit. Zubar, Fati, Rodriguez e Givet të paktën në letër japin siguri, por kjo nuk ka ndodhur në fushën e lojës. Më shumë se ata në repartin difensiv ka shkëlqyer zv/kapiteni i kombëtares shqiptare, i cili është sakrifikuar në qendër të mbrojtjes sa herë që skuadra kishte nevojë. Sipas opinionistëve të futbollit në Francë Cana ka ende mundësi të përmirësohet në këtë rol, e cila mund t‘i dhurojë një të "ardhme të re" në skuadër. Ndërkohë, pas humbjes 2-1 që Marseja pësoi në shtëpi me Bordonë, Lorik Cana ka qenë i vetmi lojtar që pranoi të prenoncohej. Mesfushori kuqezi ishte dukshëm i zhgënjyer, edhe sepse ky rezultat mund të komprometojë pjesëmarrjen e marsejezëve në Ligën e Kampioneve (zbritën në vendin e katërt në klasifikim). "Humbëm një ndeshje të rëndësishme në kuadër të Ligës së Kampioneve, por ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund", deklaroi Cana. Kapiteni shqiptar i Olimpikut pranoi superioritetin e kundërshtarëve, duke theksuar se problemi kryesor i skuadrës janë humbjet e shumta në shtëpi. "Në katër ndeshjet e fundit që kemi luajtur në shtëpi kemi humbur tre. Mendoj se janë shumë. Për fatin tonë të mirë fitojmë jashtë fushe, edhe pse mendoj se duhej të ndodhte e kundërta, tha 25-vjeçari. Megjithatë, duhet të pranojmë se në pjesën e dytë Bordoja ishte dukshëm më superiore se ne. Kishim shumë probleme në organizimin e lojës dhe e paguam përballë një ekipi që ishte i vendosur mirë në fushë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›