E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Porto Romano”, rruga e pakalueshme



Prej gati një jave, banorët e Porto Romanos në Durrës dhe të zonës rreth tij janë të detyruar që të lëvizin në këmbë afro 5 km derisa të mbërrijnë në vendin ku ndalojnë mjetet e transportit publik. Ka disa ditë që pronarët e autobusëve, furgonëve dhe taksive (të cilat bëjnë pjesë te mjetet e transportit publik) kanë njoftuar klientët e tyre të kësaj zone të madhe urbane se e kanë të pamundur që të shkojnë deri në fund të rrugës e cila lidh Durrësin me Porto Romanon për shkak të gjendjes së saj shumë të rëndë. Këto mjete mund të lëvizin nga Durrësi deri në afërsi të Spitallës, pasi më pas rruga është kthyer në një ferr të vërtetë, aq sa nuk mund të quhet më rrugë makine.

Drejtuesit e autobusëve, furgonëve dhe taksive kanë disa ditë që kanë nxjerrë njoftime me shkrim, të cilat i kanë varur nëpër mjetet e tyre apo në stacionet e ndalimit apo në vende të tjera të dukshme përgjatë rrugës Durrës - Porto Romano, ku njoftojnë se për shkak të gjendjes tepër të rëndë të kësaj rruge, sidomos në aksin Spitallë - Porto Romano, janë të detyruar të anulojnë lëvizjet në këtë segment 5 km të gjatë. Në këto kushte, nxënësit e shkollave, burra e gra të cilët punojnë në Durrës e të tjerë që kanë punë për të kryer nëpër qendrat administrative, janë të detyruar që të lëvizin në këmbë deri në pjesën ku ende makinat mund të qarkullojnë për të vazhduar rrugën e tyre. Edhe më parë, gazeta “standard” e ka ngritur shqetësimin e banorëve të zonës për këtë aks nga më të rëndësishmit në Durrës, por gjërat nuk kanë ndryshuar aspak dhe rruga ka vazhduar të shkatërrohet, aq sa një pjesë e mirë e saj ka dalë jashtë përdorimit. Ndërkohë që bashkia duhej të kishte ndërhyrë me investime të pjesshme ose me tender të veçantë për ndërtimin nga e para të këtij aksi rrugor.

Institucioni i bashkisë, nga ana e tij, shfajësohet duke e hedhur fajin tek një tjetër institucion shteti. Ajo vazhdon të japë të njëjtin sqarim si më parë: “Këtë rrugë do ta ndërtojë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve me fondet e saj, sipas planit punimet duhej të kishin nisur me kohë, por ende ato nuk dihet se përse po vonohen”. Bashkiakët nuk thonë asgjë lidhur me ndonjë ndërhyrje të pjesshme nga ana e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve, e cila varet prej saj. Madje në bashki thonë se “tenderi është zhvilluar, por nuk dihet se përse vonohen punimet”. Ndërkohë, banorët e zonës dhe drejtuesit e automjeteve vazhdojnë të ankohen për gjendjen e rrugës së tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›