Pianistja Campaner: Shqipëria më ngroh!
Do të kalojë në anën tjetër të detit me një tjetër përshtypje për Shqipërinë. Një vend që e karakterizon ngrohtësia e humanizmi i njerëzve, si “mediteran” siç ajo na cilëson. Përfshin edhe kombësinë e saj, por tregon se gjen diçka krejt tjetër nga ç’kishte menduar apo dëgjuar prej të tjerëve. Pianistja Gloria Campaner erdhi nga Italia për të dhënë një koncert recital, interpretuar mbrëmë në TKOB. Pas eventit shpjegon gjithçka që e rrethon me syrin e një të huaje, si dhe befasitë që ka përjetuar brenda pak kohësh. Gloria ka mbajtur shumë koncerte në Evropë, Japoni, Turqi, Kazakistan, Izrael, Amerikën e Jugut, duke marrë vlerësimet më të larta të publikut dhe kritikës, ndërsa prej vitit 2008, ajo është emëruar artiste zyrtare e Steinway & Sons.
Intervistoi: Suela Furriku
Mbrëmë keni interpretuar një koncert tuajin recital në skenën e TKOB-së. Ju vini nga Italia. Si erdhi propozimi që të vini në Shqipëri për të luajtur pjesët tuaja në piano?
Mbrëmë isha shumë e emocionuar, sepse ishte një koncert, i cili më dedikohej krejtësisht vetëm mua në bashkëpunim me orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kjo është një ftesë shumë e rëndësishme për mua. E kam pritur me një impresion shumë të madh dhe në të vërtetë isha këtu falë një situate të rastësishme. Mund t’ju them se drejtori i TKOB-së, Zhani Ciko, është anëtar jurie i disa prej konkurseve që zhvillohen në Itali. Duke përfituar nga rasti i lidhjeve të tij shumë të forta me maestron Abado, i cili më njeh mua që në moshë të vogël dhe rrjedhimisht edhe vlerat e mia, pikërisht, ky i fundit më ftoi në një koncert timin në Milano. Ishte ky momenti prej të cilit arritëm të njiheshim me njëri-tjetrin duke pasuar më pas një ftesë për një koncert recital këtu në Teatrin e Operës në Tiranë. Në kuadër të Festivalit të Shopenit, i cili organizohet tani në Itali, dëshira e maestro Cikos ishte shumë e madhe që në atë koncert ku ai ndodhej, të luheshin pjesë nga ky kompozitor. Me këtë rast, menduam pse të mos sillnim pjesë nga Shopen edhe në Tiranë nëpërmjet meje.
Me kaq pak kohë që ju keni bashkëpunuar me orkestrën tonë, çfarë përshtypjesh keni krijuar për të?
Nuk mund të dal në një konkluzion përfundimtar për nivelin e orkestrantëve në Teatrin e Operës, pasi me ta kam arritur të punoj vetëm për një kohë shumë të shkurtër. Por veç kësaj, edhe për kaq pak kohë mund të them se mes tyre kam gjetur një ngrohtësi shumë njerëzore që më ka surprizuar. Me sa kam evidentuar deri më tani ky lloj sensacioni është karakteristikë e mesdhetarëve, gjë që në vende të tjera si në Gjermani, vendet nordike etj. nuk është e theksuar. E për këtë, në një atmosferë të tillë unë jam ndier shumë mirë, e qetë tamam si në shtëpinë time. Kam gjetur vlera të tjera, ndërsa me maestro Cikon pata mundësinë ta njihja edhe më mirë. Mund të them se është një muzikant i madh. Ka një kulturë të jashtëzakonshme dhe ajo që më bëri vërtet përshtypje, është se sapo unë bëra një provë, ai u bashkua menjëherë me orkestrën, duke e ndier veten të përshtatshëm. Në fakt, nuk e prisja që të ndieja këtë lloj komoditeti artistik, siç ishte ai në bashkëpunim me zotin Ciko dhe orkestrën.
Veç kësaj, kjo afri, sa është ndikuar nga fryma mesdhetare që karakterizon shqiptarët?
Deri diku e prisja dhe nuk jam surprizuar shumë, pasi siç dihet, ne një det na ndan nga njëri shtet në tjetrin. E njoh në njëfarë mënyrë ngrohtësinë tuaj, ashtu siç e kemi ne. Por, të them të drejtën, nëse bëjmë krahasimin me vende të tjera si Finlanda, Zvicra apo diku tjetër ku realizova disa koncerte, mbeta e mahnitur duke ndier në mënyrë të menjëhershme ndryshimin e ngrohtësisë mediterane.
Keni realizuar koncerte artistike në shumë vende të botës. Çfarë domethënieje ka për ju një koncert recital në skenën shqiptare?
Ajo çka është më e rëndësishme për mua, është gjithçka që transmeton. Për mua nuk ka shumë rëndësi se në ç’vend ndodhesh. Të gjithë njerëzit e kuptojnë muzikën dhe çdonjëri prej tyre kërkon të marrë një emocion të veçantë nga autorë të ndryshëm, sepse janë vepra që janë rritur prej vitesh, mbi njëqind, dyqind apo më shumëvjeçare, nga kompozitorë të ndryshëm e të famshëm, ndërsa unë dua të jap atë çka unë disponoj, çka jam, emocionet e mia, kundrejt çfarëdo lloj publiku. Edhe në Shqipëri dua të bëj të njëjtën gjë. Nuk ka rëndësi pra se ku jam, por në karrierën time të jap gjithmonë nga vetja, e më të mirën e mundshme edhe në ditët në vazhdim. Po ashtu kërkoj me çdo kusht që të jap një mesazh sa më njerëzor për muzikën, në mënyrë që të jetë sa më i kuptueshëm për publikun që e dëgjon.
E në fakt, cili është mesazhi që kërkoni të përcillni?
Ndoshta çdokush mund të gjejë vetveten në atë çka ndien dhe të marrë atë çka do në atë moment muzikor. Muzika ruse është një nga më romantiket që disponoj, pasi është fjala për atë lloj muzike që flet vetë në çdo batutë, moment. Në këtë mënyrë, gjithkush mund të krijojë një urë lidhëse mes ekzekutorit dhe publikut.
A mund të na tregoni se cila është lidhja juaj me pianon? A interpretoni duke zbatuar ndonjë filozofi të veçantë?
Lidhja ime me pianon është krejt e rastësishme, sepse unë nuk rrjedh nga një familje artistësh. Thjesht kam shoqëruar një mikeshën time afër shtëpisë sime, duke filluar kështu me instrumentin e violinës. Madje, mbaj mend që në atë kohë kur unë isha në një moshë të vogël, teksa luaja në violinë, babai im nuk i duronte dot tingujt e parregullt që krijoja. Më pas, fillova të luaja në piano dhe dashuria ime me të ishte si me shikim të parë. Rastësisht u lidha me tingujt e pianos dhe nuk u shkëputa asnjëherë deri në ditën e sotme.
Mësova se kjo është hera e parë që ju vini në Shqipëri. Cila është përshtypja juaj e parë?
Në të vërtetë, ende nuk e kam shijuar Shqipërinë ashtu siç duhet, por nuk e prisja që të shikoja malet dhe detin njëkohësisht kaq afër. Gjithsesi, jam e kënaqur, pasi edhe kultura deri diku është e njëjtë dhe nuk vërej ndonjë diferencë të theksuar siç mund të jetë në Japoni, Kazakistan. Por më shumë jam surprizuar nga shqiptarët, që flasin italishten si të ishte gjuha e tyre. Dhe kjo është edhe arsyeja që më bën të ndihem si në shtëpinë time, sepse asnjëherë nuk ndesh vështirësi për të komunikuar apo diçka tjetër. Po ashtu, nuk mund të pretendoja të gjeja një kryeqytet “high-tech”. Duke u nisur nga rrethanat historike që ka kaluar, është në një nivel të arrirë, madje nuk e prisja të tillë.
A do të vini më në Shqipëri, edhe pa ftesë?
Do të doja shumë të vija. Kam shumë dëshirë dhe mund ta bëj shumë shpejt realitet.