E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet ndihmësmjeku, shpërndarës droge në paraburgim



Përveçse punonte si ndihmësmjek në paraburgimin e Durrësit, ai kishte edhe një profesion të dytë, atë të shpërndarësit të drogës. Por, Sokol Uka u zbulua nga punonjësit e policisë dhe u kap në flagrancë me një sasi droge prej 7.5 gramë.

Uniformat blu, gjatë kontrollit të kryer ndaj 36-vjeçarit, gjetën sasinë e lëndës narkotike, duke i vënë atij prangat. Hetuesit pas informacioneve të marra kishin nisur hetimet në lidhej me aktivitetin e tij. Prej disa kohësh Uka punonte si ndihmësmjek në institucionin e paraburgimit në Durrës. Megjithatë, ai kishte shfrytëzuar më së miri përfitimet e këtij pozicioni, duke arritur që të fuste edhe drogë në mjediset e paraburgimit. Kjo gjë bëhej ndërsa ai ushtronte profesionin e tij të parë. Por ditën e djeshme, pas kontrollit të kryer, u gjet e fshehur në rroba sasia e drogës prej 7.5 gramësh e llojit kanabis sativa.

Sipas burimeve nga policia, nga veprimet hetimore rezulton se i arrestuari e kishte lëndën narkotike me qëllim për ta futur brenda institucionit të paraburgimit për t’ia dhënë të dënuarit Aldo Axhenti.

Klientë të tij ishin të arrestuar të ndryshëm, përdorues të lëndëve narkotike, të cilët ndodheshin në paraburgim dhe nuk mund të siguronin drogat. Kërkesat e tyre kishin bërë që 36-vjeçari të gjente një mënyrë për t’ua siguruar “mallin”, sigurisht duke përfituar nga ana monetare. Megjithatë, aktiviteti i ri i ndihmësmjekut nuk mbeti pa rënë në sy të shërbimit të kontrollit të brendshëm në policinë e qarkut në Durrës. Ata filluan hetimet dhe pas disa kohësh kryen edhe arrestimin në flagrancë të Ukës. Sipas burimeve nga policia, 36-vjeçari kishte disa kohë që merrej me këtë aktivitet. Gjithashtu, ai u siguronte droga të llojeve të ndryshme klientëve të tij, në bazë të kërkesave të këtyre të fundit. Por, agjentët e policisë kanë pritur momentin, kur ai ka hyrë sërish në ambientet e paraburgimit me një sasi lënde narkotike. Pas kontrollit të kryer, punonjësit e policisë kanë gjetur të fshehur nën rroba dhe të mbështjellë me një qese, një sasi prej 7.5 g kanabis sativa. Këtë “porosi” Uka ia kishte marrë një prej të burgosurve të dënuar për shitje të lëndëve narkotike dhe po bëhej gati t’ia dorëzonte. 36-vjeçarit iu vunë prangat. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Uka akuzohet për konsumimin e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›