“Portokalli”, aktorët e munguar të sezonit të ri dhe personazhe të rinj
Në sezonin 2010 të spektaklit “Portokalli”, që startoi më 7 mars në ekranin “Top Channel”, ra në sy mungesa e tre aktorëve shumë të njohur në këtë spektakël, pikërisht Gent Bejkos, Elvis Pupës dhe Gaz Pajës. Tri aktorët, që luanin role interesante në këtë show, kanë munguar në këtë fillim sezoni, ndërkohë që asgjë nuk është thënë për arsyet e mungesës së tyre. Arsyeja është gati e njëjtë, pasi të tre aktorët ndodhen jashtë Shqipërisë. Gent Bejko ndodhet në Kanada, Elvis Pupa në Amerikë, ndërsa Gaz Paja në Angli. Ndërkohë, që dy aktorët e parë kanë shkuar në Kanada dhe Amerikë për mbylljen e disa dokumenteve lejeqëndrimi, dhe do t’i rikthehen sërish spktaklit gjatë muajit prill, me rolet e tyre të njohura. Ndërsa përsa i përket Gaz Pajës, ai do të jetë sërish në spektakël pas përfundimit të masterit, që ka nisur në Londër. Në këtë sezon, mes karaktereve të reja veçohet ai i Jozefina Topallit. Javën tjetër, pjesë e stafit do të jetë dhe Sony NRG, për rolin e të cilit nuk dihet ende më shumë. Edhe pse është krijuar tashmë një galeri e tërë karakteresh, që shpesh hyjnë dhe dalin nga spektakli “Portokalli”, një pjesë të konsiderueshme të shfaqjes e zënë imitimet e personazheve VIP. Në sezonin 2009, trupës së aktorëve iu rikthye aktori korçar Arben Dervishi, i cili kishte luajtur më parë baristin pijanec.