E Diel, 1 Nëntor 2026

Portret - Tomislav Nikoliç, një ish-ultranacionalist i përjetshëm

BEOGRAD - Lideri i forcës kryesore të opozitës në Serbi dhe kandidat për presidencën e Serbisë gjatë zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen të dielën, Tomislav Nikolic është një ish-ultranacionalist që pa braktisur retorikën populiste mbështet tashmë anëtarësimin në BE dhe e do Serbinë si në Perëndim ashtu edhe në Lindje.

Pasi ka qnë për disa vite dora e djathtë e ultranacionalistit Vojislav Seselj në Partinë radikale serbe (SRS), Nikoliç themeloi në vitin 2008 Partinë serbe për Progres (SNS).

I quajtur ''varrhimës'' pasi ishte përgjegjës për një varrezë në Kragujeva, Nikolic ka qenë kandidat në zgjedhjet presidenciale në vitin 2004 dhe në vitin 2008, por ai është mundur çdo herë në turin e dytë të zgjedhjeve nga presidenti në ikje, Boris Tadic.
Sipas sondazheve, dy politikanët do të përballen në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 20 maj dhe Tadiç parashikohet të fitojë sërish.

Tomislav Nikoliç, 55 vjeç, drejton radikalët që nga shkurti i vitit 2003, kur kryetari i partisë, Vojislav Sheshelj u dorëzua në Gjykatën e Hagës për t'u përballur me akuzat për krime lufte gjatë viteve '90.
I demonizuar nga Perëndimi dhe liberalët serbë si trashëgimtar shpirtëror i Sllobodan Millosheviçit, i cili e drejtoi Serbinë në një dekadë luftrash dhe varfërie, Nikoliç është munduar t'i japë imazhit ultranacionalist një pamje më të moderuar duke bërë premtime populiste si lufta kundër korrupsionit dhe rritja e nivelit të jetesës.

Ai mbështet anëtarësimin në BE, por vetëm sipas pikëpamjes serbe. Kundërshton anëtarësimin e vendit në NATO. Kërkon marrëdhënie të ngushta me Rusinë, Kinën dhe botën arabe.
Në maj të vitit 2007 mori postin e kryetarit të parlamentit, në kulmin e krizës politike mes partive properëndimore serbe. Reagimi ndërkombëtar dhe vendas për postin e marrë çoi në largimin e tij vetëm pas pesë ditësh.

Me një pamje të vensosur, flokët gri dhe fytyrë katrore, Nikolic shpesh shfaqet me një pamje të ngrysur dhe buzëqeshja e tij në posterat e fushatës zgjedhore duket e sforcuar.

Ai është i njohur për deklaratat e tij të kontrolluara. Gjatë një ndërhyrjeje në Parlament, ai konfirmoi gjithashtu se Serbia do të bënte mirë të ishte ''një provincë ruse'', sesa të anëtarësohej në Bashkimin Evropian.

Që prej asaj kohe ai ka ndryshuar fjalimet e tij për të konfirmuar se Bashkimi Evropian është i rëndësishëm për rimëkëmbjen e ekonomisë serbe.

"Ne dëshirojmë të bëhemi pjesë e BE-së. Ajo ka projekte dhe investime për ne'', deklaroi ai kohët e fundit.

Linja e tij e kuqe që nuk e pranon mbetet padyshim pavarësisa e Kosovës shpallur në vitin 2008, që Serbia vazhdon ta refuzojë.

"Nëse do të thonin që ne mund të integrohemi në Bashkimin Evropian, por që Kosova nuk na përket ne, do t'u thoja atyre, mirupafshim, ne kemi rrugën tonë'', është shprehur ai së fundi.

Nikolic ka ndryshuar shpesh retorikën e tij përballë Kosovës duke pranuar se ishte logjike të diskutosh me autoritetet kosovare për statusin e këtij territori.

Demagog apatik, ai synon të kapitalizohet në pakënaqësitë e bashkëatdhetarëve të tij të prekur nga situata e vështirë ekonomike, për të cilën ai fajëson zyrtarët aktualë të pushtetit reformator.

Tomislav Nikolic ka gjetur mbeshtetje mes votuesve me komentet e tij populiste duke kritikuar padrejtesitë e mëdha sociale dhe korrupsionin në Serbi si dhe me premtimet për vënde pune, siguri financiare dhe investime te huaja prej miliarda dollaresh në qofte se ai dhe partia e tij do të fitojnë.

Në fushatën e tij, ai premtoi se do të investonte më shumë në sektorin bujqësor dhe industrial, do të reduktonte volumin e administratës publike për të rritur pensionet dhe për të tërhequr investimet.

Megjithatë, analistët dyshojnë në kapacitetin e tij për të realizuar premtimet zgjedhore duke i akorduar më pak besueshmëri.

I lindur në muajin shkurt 1952 në Kragujevac (100 kilometra në jug të Beogradit), me profesion akademik, ai u bë objekt i një skandali gjatë fushatës zgjedhore, pasi tema e tij në shkenca ekonomike u vu në dyshim nga kundërshtarët e tij.

I martuar dhe baba i dy fëmijëve, Nikoliç hodhi poshtë çdo akuzë, por pa bindur kundërshtarët e tij.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›