E Diel, 1 Nëntor 2026

S’ka para për Kadarenë

Numri i fundit i revistës letrare ‘Jeta e Re’, i cili iu kushtua shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, nuk u financua nga Ministria e Kulturës. Për ta botuar këtë numër, udhëheqësit e revistës u desh ta vetëfinancojnë.

Edhe pse nuk përton të harxhojë para për çfarëdo festivali dhe për çfarëdo libri, Ministria e Kulturës është treguar dorështrënguar për të financuar numrin e fundit të revistës ‘Jeta e Re’, i cili iu kushtua shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare. Në fakt, prej që e ka rifilluar jetën e saj, revista ‘Jeta e Re’ është financuar vetëm për dy numra të saj. Nga një numër në vit.

“Ministri i mëparshëm ka financuar një numër vitin e kaluar, po ashtu edhe ministri i tashëm ka financuar vetëm një numër për këtë vit. Ndërsa redaksia nga viti i kaluar ka botuar pesë numra të revistës dhe është duke përgatitur të gjashtin. Projekti Ministrisë së Kulturës i është dërguar për financimin e tre numrave në vjet, por mandej, e shtrënguar nga mospërkrahja, redaksia ka dërguar një projekt tjetër për financimin e vetëm një numri. Pra, sivjet është ndihmuar nga Ministria vetëm numri i parë i revistës, ndërsa numri për Kadarenë (nr. 2. 2011) nuk ka gjetur përkrahjen e këtij institucioni, meqë, sipas fjalëve të këshilltarit H. Mulliqi, Ministria nuk ka buxhet të mjaftueshëm”, u shpreh për Express Ag Apolloni, kryeredaktor i revistës.

Ai theksoi se arsyetimi zyrtar i Ministrisë është mungesa e buxhetit, ndonëse revista nuk kap ndonjë shifër të madhe monetare.

“Ne punojmë pa zyrë dhe në kushte jonormale për një redaksi, prandaj për t'u stabilizuar njëherë e mirë revista, duhet të paguhet qiraja për së paku një zyrë të veçantë, duhet paguar redaksia, bashkëpunëtorët, mjetet teknike etj”, tha Apolloni. Kjo, sipas tij, do të kapte shifrën rreth 30 mijë euro për një vit, çka është një shumë modeste nëse e krahasojmë me revistat e tilla ballkanike e evropiane. Por, natyrisht, duke lënë mënjanë atë pjesë të lokacionit e të teknikës, Apolloni dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë projektin për një numër, që kap shifrën rreth 2500 euro, sa për t'i mbuluar shpenzimet elementare.

“Ndërsa për numrin për Kadarenë, gjatë bisedës që kam pasur me këshilltarin, kam kërkuar që të financohet së paku shtypi, por prapë përgjigjja ka qenë ‘mungon buxheti i mjaftueshëm’ dhe jemi detyruar që këtë numër ta vetëfinancojmë”, tregoi Apolloni.

Ai nuk pretendon që të përkrahet si revistat e vendeve fqinje, mirëpo, thotë se kanë shpresuar se një përkrahje minimale do ta sigurojnë nga Ministria e Kulturës.

Ai shton se tash janë në hallet e numrit të tretë, për të cilin uron të gjejë përkrahje institucionale dhe pastaj, për vitin tjetër, revista të dalë më rregull, pa pasur nevojë të diskutohen këto probleme financiare. Thotë se revista ‘Jeta e Re’ është revistë me traditë dhe do të ishte mëkat nëse kjo traditë ndërpritet.

Apolloni nuk mendon se ka ndonjë arsye të veçantë për të mos e financuar numrin për Ismail Kadarenë. Kadare, thotë ai, është shkrimtar i të gjithë shqiptarëve, i vlerësuar botërisht.

“Ajo që di është se sidomos ky numër është dashur të përkrahet dhe jo të injorohet”, shprehet ai.

Për të marrë një përgjigje nga Ministria e Kulturës lidhur me këtë, Express tentoi të flasë me disa prej këshilltarëve të ministrit por edhe me vet ministrin Krasniqi, por disa i kishin telefonat të ç’kyçur e disa nuk e hapnin telefonin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›