E Diel, 1 Nëntor 2026

Portugalia turpëronKorenë e Veriut

JOHANESBURG- Portugalia ka arritur fitoren më të thellë të këtij Botërori, duke mposhtur 7-0 Korenë e Veriut në ndeshjen e vlefshme për grupin G. Skuadra iberike nuk ka treguar aspak mëshirë për një kundërshtar që në takimin me Brazilin tregoi shumë gjëra të bukura në fushë. Portugezët vuajtën vetëm për të gjetur golin e parë, ndërsa më pas gjithçka ka qenë një shëtitje.
Ndërkohë, koreano-veriorët treguan se pavarësisht dëshirës së madhe, mbeten ende të vegjël në futboll. Raul Meireles zhbllokoi takimin në minutën e 28-të të pjesës së parë, ndërsa në të dytën, Simao e Hugo Almeida shënuan dy gola të tjerë, duke siguruar fitoren. Por, Portugalia nuk është kënaqur me kaq dhe ka vazhduar të sulmojë.
Tiago shënoi golin e katërt pas një pasimi të Kristiano Ronaldos, ndërkohë që i pesti u shënua nga Liedson 10 minuta para fundit. Ndeshja pati kohë edhe për golat e Kristiano Ronaldos dhe të Tiagos, që e çuan rezultatin në 7-0. Për sulmuesin e Realit të Madridit goli i parë pas gati dy vjetësh me fanelën e ekipit kombëtar.
Kjo fitore i jep Portugalisë vendin e dytë në grup dhe thuajse kualifikimin, pasi Bregut të Fildishtë i duhet të fitojë 9-0 dhe shpresojë që Portugalia nuk do të marrë pikë me Brazilin për të kaluar më tej.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›