E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shija e origjinalit në shqip

(Peroratio e Agathonit)

Teksa vozit nëpër një mori skenash lëvizëse plot ngjyra të thekshme, teksa shkon pas një repertori të larmishëm personazhesh që kalërojnë marramendshëm kuajt parmenidianë të përfytyrimit, vrundujt e furishëm të shpirtit, trokthet dhe ashkun e zemrës, lexuesi haset pa vështirësi edhe me një repertor të ngjeshur stilesh, ku përmasat e Platonit si mjeshtër i pendës dhe lëvrues i fjalës artistike shfaqen të padytshme.

Tërë këto prurje dhe prirje të Platonit, në sjelljen në shqip nga Shpëtim Doda, janë ruajtur thuajse me të njëjtën shije me origjinalin në greqisht. Në sjelljen në shqip, ajo çka është rrahur më së tepërmi të përcillet, krahas besnikërisë kuptimore, është edhe efekti që shprehësia e greqishtes së vjetër dëlirte te dëgjuesit. Mjaft të marrim si shembull çastin, kur Sokrati vë këmbë në ndenjësore dhe përdor një gjuhë, që nuk është e tij.

Ndonëse kjo skenë do të ish më se e mjaftueshme për të sjellë jo pak në vëmendje punën dhe arritjet e përkthyesit, ne kemi vendosur të vijojmë më tej, pasi ajo çka na grish në këtë hapësirë është ndalja e vështrimit te një nga pikat më kulmore të dialogut nga pikëpamja retorike dhe, më konkretisht këtu, te peroratio tashmë e famshme e Agathonit, e vlerësuar nga pothuajse të tërë përkthyesit e Platonit si e papërkthyeshme.

Mira MEKSI

Bashkëpirja e Platonit është një vepër e vështirë, madje, “e frikshme” për këdo që i qaset si përkthyes. “Frika përkthimore” lidhet pa dyshim me artin e fjalës, i cili gërshetohet mahnitshëm me thellësinë e mendimit. Krahas formës së përsosur artistike dhe bukurisë së qashtër të një “statuje silenike”, Bashkëpirja dallohet nga të tërë dialogët e tjerë për nga gjuha safi platonike, e cila arrin formën më të lartë e më të arrirë.
Teksa vozit nëpër një mori skenash lëvizëse plot ngjyra të thekshme, teksa shkon pas një repertori të larmishëm personazhesh që kalërojnë marramendshëm kuajt parmenidianë të përfytyrimit, vrundujt e furishëm të shpirtit, trokthet dhe ashkun e zemrës, lexuesi haset pa vështirësi edhe me një repertor të ngjeshur stilesh, ku përmasat e Platonit si mjeshtër i pendës dhe lëvrues i fjalës artistike shfaqen të padytshme.
Sikundërse kemi patur rastin të vëmë në dukje edhe në hapësira të tjera, në këtë vepër të mrekullueshme Platoni nuk na shpalos vetëm një varg folësish, por edhe portretizimin e tyre gjuhësor, i prirë nga dy shtysa, që përbëjnë edhe thelbin e pikëpamjeve që kish mbi artin: nga natyra mimetike e fjalës dhe nga izomorfia mes njeriut (folësit) dhe gjuhës. Si në asnjë dialog tjetër, te Bashkëpirja Platoni vendos në ekuacion paqësor personazhin me sintaksën e gjuhës që flet (idiolektin). Çdo personazh ka gjuhën, timbrin dhe zërin e tij. E jo vetëm kaq, çdo personazh ka edhe përvojën, botëkuptimin, prirjet etike, pikëpamjet dhe idetë, që e lidhin pas jetës dhe e udhëheqin në lëvizjet brenda hapësirës së saj.

* * *
Tërë këto prurje dhe prirje të Platonit, në sjelljen në shqip nga Shpëtim Doda, janë ruajtur thuajse me të njëjtën shije me origjinalin në greqisht. Në sjelljen në shqip, ajo çka është rrahur më së tepërmi të përcillet, krahas besnikërisë kuptimore, është edhe efekti që shprehësia e greqishtes së vjetër dëlirte te dëgjuesit. Mjaft të marrim si shembull çastin, kur Sokrati vë këmbë në ndenjësore (shih: 175a-176a) dhe përdor një gjuhë, që nuk është e tij. Platoni, krahas portretit të mëparshëm (si njeri që mediton thellë dhe me këmbëngulje), jep një portret tjetër të Sokratit, atë të njeriut që, në vend që të nisë përligjen e tij për faktin se kish ftuar një njeri tjetër (Aristodhimosin) pa u pleqëruar më parë me të zotin e shtëpisë, nuk përton të vërë në lëvizje ironinë e tij të thekshme, atë që sot njihet si “ironia sokratike”.
Ironia, siç dihet tashmë, është efekt i kërkuar, i cili krijohet nga përplasja mes asaj çka thuhet dhe asaj që rrihet të kumtohet në të vërtetë. Në rastin e Sokratit, ironia shprehet përmes prosedesë retorike, jo poetike, çka lipset mbajtur mend, pasi do të na ndihë në analizën e mëposhtme. Prosedeja retorike, ndryshe nga ajo poetike, nuk synon të operojë përmes kumtit të fjalës, por përmes tingullit dhe elementëve të tjerë formalë (siç është rendi i fjalëve në fjali, figurat retorike, që nuk e zgjerojnë kuptimin e fjalëve, por kapen thjesht pas efektit që fjalët krijojnë në rrafshin tingullor etj.) Këtë ironi “retorike” Doda e jep në shqip në mënyrë të goditur, madje, pa i cenuar aspak kompleksitetin dhe shtrirjen e saj: “Do kish qenë diçka vërtet e mrekullueshme, o Agathon, - i qenkësh kthyer sakaq (Sokrati), - sikur urtësia, gjatë kohës kur, të shtrirë pranë e pranë, pjergullohemi pas trupave të njëri-tjetrit, të ish në gjendje të rridhte nga më i ploti te më i zbrazëti ndër ne, njëlloj si uji që rrjedh nëpër kiliksë përmes një fijeje të leshtë, domethënë: nga kiliksi më i plotë tek ai më pak i mbushur... Nëse diçka e tillë do kish qenë e mundur edhe për kulturën, unë vetë do e vlerësoja jo vetëm si përparësi, por si nder e kaluar nderit faktin që në këtë ndenjësore po shtrihem pranë teje, pasi jam i bindur se do isha mbushur prej teje me kulturë të bollshme dhe të mirëformuar. E imja, ç’është e vërteta, s’mbart askurrfarë peshe, madje, më keq dhe për dreq, shfaqet fort e luhatshme, tejet e ngjashme me një ndezullitje, apo me një ëndërritje, po ta qasësh me kulturën tënde, e cila, pavarësisht nga mosha që ke, është shpërthyese dhe me një të ardhme rrezëllyese; pikërisht ajo kulturë, që jo shumë larg por pardje vezullimtarshëm vezulloi, dritëranshëm dritëroi, kometë e vërtetë përpara syve të më tepër se tridhjetë mijë helenëve!”

* * *
Sidoqoftë, nuk është e nevojshme të ndalemi gjatë te tërë elementët dhe prosedetë retorike përmes të cilave Doda na jep një nga skenat më pikante të dialogut, atë të përplasjes së filozofit me poetin, për aq sa një pjesë e mirë e tyre jepen të shtjelluara në Komentarin që shoqëron ardhjen në shqip të Bashkëpirjes. Ndonëse kjo skenë do të ish më se e mjaftueshme për të sjellë jo pak në vëmendje punën dhe arritjet e përkthyesit, ne kemi vendosur të vijojmë më tej, pasi ajo çka na grish në këtë hapësirë është ndalja e vështrimit te një nga pikat më kulmore të dialogut nga pikëpamja retorike dhe, më konkretisht këtu, te peroratio tashmë e famshme e Agathonit, e vlerësuar nga pothuajse të tërë përkthyesit e Platonit si e papërkthyeshme.
Ndryshe nga Doda, përpos ironisë, skena pikante mendojmë se qëndron si parahyrje e fjalës së Agathonit. Madje, në veshët e të ftuarve, fjalët e fundit të Sokratit krijojnë jo pak efekt, për shkak të kthesës së menjëhershme retorike, kalimi i beftë nga fjalori i tij i zakonshëm në një verborum bombus, karakteristikë e gojëtarisë së Agathonit, dishepullit të Gorgias. Çka do të thotë qartas se, ndërsa pak më parë, mbë udhë e sipër, Sokrati ish zhytur në en-tazë, teksa nxjerr të tilla fjalë, ai është në ek-stazë, që do të thotë jashtë vetes, duke shkërbyer të folurën e Agathonit. Prej këtu e ka zanafillën edhe sfida që i lëshon Agathoni, i cili vendoste në ekuacion paqësor kulturën me diturinë, retorikën me poetikën. Vetëm se, në këtë skenë pikante të përplasjes së filozofit me poetin, ky i fundit nuk arrin ta kuptojë se filozofi thjesht po i shkërben gjuhën (arti si shkërbim, si mimesis); përkundrazi, Agathoni mendon se Sokrati po rreh të krekoset, t’u tregojë të tjerëve se edhe ai është poet. Në krah të Agathonit qëndron edhe lexuesi, i cili arrin ta kapë shkërbimin gjuhësor të Sokratit vetëm pasi mban vesh fjalën e Agathonit. Përpos kësaj (këtu mbështetemi në interpretimin tonë, i ndryshëm nga ai i Dodës), Platoni na jep një tjetër shenjë të kësaj aftësie “aktoreske” të Sokratit, i cili, sërish duke iu drejtuar Agathonit indirekt, tashmë pas fjalës së këtij të fundit, shprehet: “Hm, po tani, a m’u bindësh ndopak, o pinjoll i Akumenit, se u frikësuash pa patur frikë se po frikësohesha më kot.”
Përmes këtij shkërbimi, mendojmë se Platoni rreh të përvijojë ndryshimin mes poetikës dhe retorikës, çka Aristoteli më pas do ta përvijonte në formë teorike te Poetika dhe Retorika (fakti që shkroi dy traktate të veçantë dëshmon qartas se për grekët, ndryshe nga sa vërejmë në kohët moderne, retorika shihej e ndarë nga poetika); ajo çka mund të shkërbesh te një shkrimtar/poet s’lidhet me poetikën, me sistemin e tij ndjesimor dhe perceptues, por thjesht me retorikën, prosedetë formale, stilemat dhe sintaksën. Nëse mban parasysh këtë, lexuesi e ka të lehtë të shijojë tërë vlerat e sjelljes në shqip të peroratio-s së Agathonit, duke u nisur nga afëria retoriko-formale, stilistike dhe sintaksore, mes fundit të skenës pikante (175e), peroratio-s së Agathonit (197d) dhe “pickimit” të Sokratit (198a dhe 198d, ku Sokrati luan sërish me përngjashmëritë mes “Gorgia” dhe “Gorgona”).

* * *
Në peroratio-n e fjalës së tij, Agathoni përjeton një shpërthim, kemi një kthim të ek-stazës, por tashmë jo në formën e ironisë, por në formën më të qashtër patologjike. Është momenti kulmor i fjalimit; sipas kanoneve të retorikës së ndërtimit të fjalimit, pas hyrjes dhe shtjellimit, vjen mbyllja, ku në vend të trajtimit, objekti i ligjërimit është “lavdi” (shih: 177d). Patologjia retorike nis në momentin kur Agathoni përjeton një patologji tjetër, atë celebralen; teksa nis të ndihet mendjepërndezur nga “triumfi” mbi Fedhron, Agathoni i jepet retorikisht një zeugme, e cila pasohet nga një constructio ad sensum: “duke qenë, pra, Erosi, më së pari më i mbari dhe më bujari dhe qebartari”, dhe: ”është edhe krijetari për gjithsa në gjithsa shfaqin, shfaqin po këtë natyrë”. Më pas vijon një fjali e gjatë, e ndërtuar tërësisht me parataksë, çka i siguron edhe ritmin e brendshëm, ku përdorimi i njërrokëshve të rimuar krijon efektin e një rap music, apo pop music. Është një çast nxehmje; si një atlet verbal, Agathoni po gatitet të nis garën, atë të parashtruar nga Eriksimahu. Është një garë në himnologji, ku Agathoni, në një mënyrë aluzive, fillon të vrapojë me një gjashtëkëmbësh me kumbime homerike; por shumë shpejt ndërron drejtim, ndërmendet se Homeri është poet, ndërsa ai është dishepull i Gorgias, “gojëtarit të tmerrshëm”, siç ironizon më pas Sokrati, i mjeshtrit të retorikës, jo poetikës. Andaj dhe, pa një pa dy, lëshohet i tëri në retorikë të ngjyrshme, çka Doda, nisur nga sa thamë më lart në lidhje me shkërbimin e gjuhës së tjetrit, e shfrytëzon jo pak, duke rrahur të shkëmbejë çik më çik një stil, një retorikë, një sintaksë, e cila i përafrohet “epizmit” të skenës pikante të 175e. Në këtë peroratio, Doda ka arritur të japë thuajse tërë karakteristikat e stilit të Agathonit, të tërë atë aparat të ngjeshur retorik, duke nisur nga dy trikolat paralele, të cilat formojnë një antitezë, ndërkohë që po paralelisht shfaqin edhe homoteleutën: 1) “largon ndjenjën e largësisë” dhe 2) “afron ndjenjën e afërsisë”, për të vijuar me një fjali parataktike të ritmuar përmes përdorimit të frazave paralele, homoteleutës dhe asonancës: “na mbledh tok, porsi sot, si shokë të jetojmë, së bashku të gëzojmë gjithë në çfarë ngjasojmë.” I vetmi ndryshim është fakti se Doda zëvendëson bikolat me tetrakolat, porse, për të ruajtur të njëjtin efekt, Doda e këtë e mbulon mjaft mirë me futjen e ritmit përmes gërshetimit të njërrokëshve me dyrrokëshat, çka qëndron si vlerë e pamohueshme. Mjaft të sjellim ndërmend Ëalter Benjamin-in, kur në Misioni i përkthimit pohon më se një herë se “të përkthesh do të thotë të përcjellësh efektet e kërkuara”. Dhe Doda ia ka arritur më së miri kësaj, duke vënë në lëvizje një aparat të ngjeshur figurash retorike, metaforash letrare dhe një sintaksë me ritmikë marramendëse, ku figurat retorike të nxjerra në pah nga skena e 175e shërbejnë si çelës edhe për pjesën e peroratio-s, të cilën po e risjellim në këtë hapësirë, për t’u shijuar dhe vlerësuar edhe nga lexuesi nëse kemi të bëjmë apo jo me një vepër letrare dhe me një përkthim të arrirë:
“Largon ndjenjën e largësisë, afron ndjenjën e afërsisë; na mbledh tok, porsi sot, si shokë të jetojmë, së bashku të gëzojmë gjithë në çfarë ngjasojmë; për kremtimet dhe lodrimet dhe blatimet nga ai burojnë frymëzimet; rrënjos shpirtbutësinë, çrrënjos shpirtegërsinë; çnduk dashamirësinë, zhduk dashakeqësinë; mbarësor për bujarët, dritësor për dijetarët, hirësor për hyjëtarët, vegimor për vdekatarët, lumëror për lumëtarët; është burim i Butësisë dhe Brishtësisë, i Hijeshisë dhe Hirësisë, i Zjarrmisë dhe Zilisë; përfillës i shpirtmirëve, shpërfillës i shpirtligëve; ndër rënkime e frigime, ndër zjarrmime e kuvendime, atë kemi bashëtar, ndihmëtar e shpresëtar e shpëtimtar, si ndozot me ne bujar; për çdo hyjni a njeri është stoli e paparë, i dobishëm bashëtar dhe i hijshëm dhe i fisshëm, pas të cilit plot me gas çdo njeri duhet të ngasë ta himnojë e hirësojë dhe bashkë me të të këndojë atë këngë ngazëlli për çdo hyni apo njeri për aq sa është kënga e tij.”

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›