Posselt:Të sigurojmë kufijtë e Kosovës

Europarlamentari Bernd Posselt, bashkëraportues për bisedimet mbi statusin e ardhshëm të Kosovës në grupin e partive popullore të Parlamentit Evropian, ka folur për zhvillimet më të fundit në Kosovë.
Në një intervistë dhënë për DW, ai thekson se qeveria gjermane ashtu, Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian, duhet të garantojnë sigurinë në kufi. “Kosova është një vend i pavarur, ai njihet nga shumica dërrmuese e anëtarëve të BE-së, është njohur nga Parlamenti i BE-së, treçereku i parlamentit të BE-së është shprehur pro pavarësisë së Kosovës dhe e ka përjashtuar qartë ndarjen e Kosovës si një zgjidhje të problemit, pra kufijtë janë sqaruar. Kjo do të thotë, se sa më shpejt që ta kuptojë këtë Serbia aq më mirë është për Serbinë dhe për paqen në rajon. Serbia e bllokon vetë rrugën e saj në strukturat evorpiane”, thekson ai. Sipas, Posselt problemi kryesor është në faktin që Serbia i instrumentalizon disa pjesë të pakicës serbe në Kosovë për qëllimet e saj politike, konkretisht në dëm të pakicës. “Pjesa më e madhe e pakicës serbe tashmë është integruar mirë në Kosovë, ajo ka të drejtat më të mira që mund të ketë një pakicë në Evropë dhe unë besoj se njerëzit në Mitrovicë ose një pjesë e madhe e tyre për fat të keq nuk e ndjekin këtë rrugë, por e lënë veten të keqpërdoren për politika pushtetare të Serbisë, nga njerëz që vazhdojnë të shikojnë pas e që nuk e kanë kuptuar ende se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se kufijtë e saj janë të pandryshueshëm”, ka theksuar eurodeputeti.
Posselt thekson gjithashtu se kufijtë e një shteti evropian, Kosovës, po cënohen në mënyrë agresive nga fqinji dhe përsa kohë që është kështu, Serbia nuk mund ta vazhdojë rrugën e saj në drejtim të BE-së. “Ky është mendimi i shumicës dërrmuese të Parlamentit Evropian dhe unë kam më shumë besim tek komisari zgjerimit Stefan Fule, i cili mendoj se flet një gjuhë më të qartë se zonja Ashton”, ka përfunduar ai.