E Shtunë, 31 Tetor 2026

Post-Gërdeci dhe shoqëria e rrezikut

 

NJË SINJAL PËR TË GJITHË

Në analizat e shumta që janë bërë për tragjedinë e Gërdecit, më ka bërë përshtypje të thellë fakti që ka tentative për të futur në fokus vetëm analizën e personalizuar të shkaqeve dhe evidentimin nominal të fajtorëve. Ky shikim i personalizuar është i domosdoshëm dhe nuk është i gabuar. Madje, në pikëpamje të hetimit dhe të përgjegjësisë, individualizimi i saj ka rëndësi. Por për politikën, shtetin dhe shoqërinë tonë, rasti i Gërdecit nuk mund të trajtohet vetëm si "mëkat personal", apo duke e parë atë në mënyrë të thjeshtëzuar si një "gabim njerëzor".

Shikimi i njëanshëm, vetëm "personal" apo vetëm "impersonal", është shikim i gabuar që prapa drurit nuk shikon pyllin. Ky qëndrim i mbajtur deri tani, kam frikë se nuk na ndihmon të "shikojmë përtej Gërdecit", apo për të prevenuar eventualisht ngjarje të tilla në të ardhmen. Personalisht, mendoj se ngjarja është përtej "mëkatit personal" të padiskutueshëm të atyre që janë vënë ose që do të vazhdojnë të vihen nën akuzë, për pasojat katastrofike që lidhen me punën dhe përgjegjësitë ligjore të tyre.

Por më duket se tani "pas Gërdecit", nuk po merremi me shkaqet politike dhe sociale që e sollën Gërdecin. Problemi i ngjarjes është kompleks dhe duhet parë si i tillë, në mënyrë komplekse dhe jo vetëm si problem që "do ta zgjidhin organet e drejtësisë". Natyrisht ato kanë punën e tyre, mënyrat e vlerësimit, gjykimit dhe procedimit me natyrë ligjore.

Por Gërdeci ishte një sinjal për të gjithë, për të vlerësuar përmasat e sigurisë dhe nevojës për të përballur me rreziqet, të cilat nuk janë të lidhur vetëm me municionet ushtarake. Rreziku në shoqërinë moderne është polivalent. Ai mund të jetë ushtarak, mjekësor, i ndotjes katastrofike të mjedisit, i ushqimeve. Por rreziku sot në shoqërinë moderne mund të jetë edhe me natyrë sociale, i lidhur me lulëzimin e "sëmundjeve të pasionit" që deformojnë shoqërinë përmes zgjerimit të përhapjes së drogës, alkoolit, prostitucionit. Pse jo, në kushtet tona nuk është i pamundur as rreziku planetar.

Mëkatet e pështira personale, që lidhen me natyrën kriminale, neglizhencën, pakujdesinë, tolerancën absurde, dëshirën e papërmbajtur për fitim, mund të kenë pasoja fatale, si në rastin e Gërdecit, i cili ishte në përmasa të tilla, saqë "faji nuk ka vend". Askush nga personat përgjegjës nuk mund ta ndjejë veten të qetë për atë që ndodhi. Vetëm një sadist mund të jetë i qetë në ndërgjegje, apo të gjejë argumente ngushëlluese për atë tragjedi të vërtetë. As justifikimi me tezën e "gabimit" njerëzor apo teknologjik nuk është argument i mjaftueshëm, për të larë duart me këtë tragjedi.

Ne duhet të nxjerrim mësimin e madh që të mbrojmë shoqërinë tonë nga njerëz të tillë, si ata që bënë tragjedinë e Gërdecit, pavarësisht natyrës së shkaqeve: financiare, të biznesit, karrierës, servilizmit politik, apo të çdo motivi tjetër. Nuk mund të lëmë shoqërinë tonë të "çrregullohet" nga "çrregullimet" e disa personave, që nuk duhet të jenë në krye të punëve që kërkojnë seriozitet, ndershmëri, skrupulozitet moral, për të garantuar shoqërinë tonë nga rreziqet.

Gërdeci tregoi se mund të kemi raste të tjera "harmonish fitimprurëse" që kanë brenda rrezikun për nesër... Duhet të mendojmë sot, që të mos kemi më "Gërdecë" nesër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›