E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e dështuar e Sali Ramës

Petrit Vasili

Që Sali Berisha ishte në Bruksel, këtë nuk e vë në dyshim njeri, sepse ndodhi vërtet dhe në fakt kjo është edhe e vetmja e vërtetë e gjithë asaj që i ka ndodhur atij në Bruksel. Sigurisht që "nuk është pak" që kemi një të vërtetë sado e parëndësishme është kjo, sepse duke konsideruar "gjenialitetin manipulativ" të Berishës, mund të ndodhte që edhe të mos ishte fare atje dhe të na shitej sikur kishte qenë. Por çfarë ndodhi realisht në këtë vizitë të tij, në të parin takim të rëndësishëm zyrtar, ku ai shkonte me një mbiemër të ri të sapofituar në sajë të 115 deputetëve që shkatërruan Kushtetutën dhe e pagëzuan atë me emrin e ri Sali Rama.
Ndodhi ajo që pritej pas miratimit të Gërdec-Kushtetutës dhe kjo ishte ftohtësia, difidenca dhe mosbesimi i spikatur i drejtuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Pavarësisht se vizita e Saliut u parapri nga vizita e emisarit opozitar të tij ditë më parë, me kërkesën për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë, kështu së paku u publikua, por e vërteta mbase është krejt ndryshe, ngjarjet siç u panë rrodhën për dreq.
Askush nuk mund të thotë dot nëse vizita e emisarit opozitar ditë më parë çoi ujë për mirë apo për keq për vizitën e Saliut, por faktet provuan se dështimi i kryeministrit në Bruksel mund të ketë mjaft shkaqe që lidhen edhe me koalicionin e ri të sapokrijuar Rama-Berisha, ku paqëndrueshmëria proverbiale e të parit do t'i sjellë jo pak andralla të reja kryeministrit bipartiak.
Por thelbi i çështjes nuk qëndron këtu. E përfshirë nga euforia e marrjes së ftesës për në NATO, dyshja Rama-Berisha ngatërruan në mënyrë fatale promovimin që Aleanca i dha territorit të Shqipërisë, ekuilibrave gjeostrategjikë dhe, veçanërisht vokacionit të jashtëzakonshëm pro NATO të popullit shqiptar, me  qeverinë e krimit shtetëror të Gërdecit.
Dyshja bashkautore e shkatërrimit të Kushtetutës, e zënë në flagrancë nga populli pas 21 prillit, u përpoq të përfitonte edhe nga ndonjë deklaratë mediatike e ndonjë nëpunësi diplomatik të huaj të akredituar në Shqipëri, i cili me sa duket kishte filluar te mendonte përpara kohe për sezonin turistik, duke moskuptuar atentatin e madh që i ishte bërë demokracisë në Shqipëri, që kishte përjashtuar popullin nga e drejta për të vendosur me votën e tij për kushtetutën e tij.
Të përfshirë nga një krizë politike qeverisëse e pashoqe, nga dështimi i plotë si dhe nga një korrupsion eksploziv, këta fajtorë të mëdhenj për të mbuluar gjithçka menduan në mënyrë naive se çdo gjë mund të mbyllej me prodhimin e Gërdec-Kushtetutës, e cila thelloi në mënyrë katastrofike kaosin dhe çekuilibrimin politik të tyre, duke shndërruar dy bashkautorët Berisha e Rama në një binom puçist dhe anti-atdhe, armiq të egër të interesave të shqiptarëve.
Është e qartë se Evropa e parimeve të shenjta demokratike dhe e moralit politik të ekuilibrave të pushteteve, provoi një tronditje të vërtetë nga prodhimi "kaçakçe" i një kushtetute të tillë thellësisht antidemokratike, që shpërbënte kushtetutën e vitit 1998 të certifikuar gjerësisht nga institucionet evropiane.
Kjo kushtetutë e ndryshuar në mbi 70% të saj, ose më mirë të themi në 100% të thelbit të saj kushtetues, është sot saktësisht një Gërdec-kushtetutë, e cila ka dhunuar haptas principin e ndarjes së pushteteve dhe balancës së tyre, jetike për një shtet evropian, duke rrezikuar në themel pavarësinë e pushtetit gjyqësor si një premisë themelore dhe një nga kushtet më të rëndësishme edhe për realizimin e objektivave të integrimit euroatlantik të Shqipërisë.
Dy bashkautorët e puçit të 21 prillit harruan se kushtetuta e 1998 ishte arritja më e rëndësishme për funksionimin e demokracisë kushtetuese në një republikë parlamentare si Shqipëria dhe mundësoi nënshkrimin e MSA si dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Sigurisht për Berishën që shkoi në Bruksel me një kushtetutë të përçudnuar antidemokratike në xhep, nuk mund të kishte më data e afate dhe nuk do të ketë të tilla për sa kohë është ai në pushtet, sepse Evropa është sot më skeptike se kurrë për fatin e demokracisë në Shqipëri dhe reagimet që do të pasojnë në të ardhmen, do të jenë surpriza të rënda dhe të pakëndshme për bashkautorët shkatërrues të Kushtetutës dhe veçanërisht për Berishën si përgjegjësi kryesor.
Nuk do të ketë data dhe afate për Shqipërinë dhe sigurisht që Berisha u detyrua ta pranonte këtë publikisht, megjithëse ai e di mirë, sikurse edhe ne e dimë po kaq mirë se çfarë i thanë atij në Bruksel.
Nuk do të ketë data, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si prioritete madhorë për fatet e vendit dhe objektivave të integrimit, nuk mund të realizohen më kurrë pas përmbysjes së Kushtetutës dhe përqendrimit të pushtetit në duart kryeministrit, pra të  Berishës, kur dihet botërisht se dosjet e tija në Bruksel janë më të zeza se nata e 21 prillit, kur u asgjësua kushtetuta demokratike e 1998 dhe kur vullneti i mbi 1 milion shqiptarëve, që e miratuan atë u shkel me këmbë nga vota e 115 deputetëve, për të cilët sikurse për Berishën dhe Ramën, Shqipëria nuk është më atdheu i tyre.
Referendumi për të rivënë në vend Kushtetutën e dhunuar dhe dinjitetin e nëpërkëmbur të çdo njërit nga ne, është e vetmja rrugë për t'ju rikthyer demokracisë së humbur si dhe për të larguar dyshimet e mëdha që rëndojnë në Evropë që pas 21 prillit, e që trondisin realizimin e objektivave të integrimit, aq jetike për vendin.
Modelet 'alla Llukashenko' që vendos kushtetuta e 21 prillit, ose kopja kryeministrore e kushtetutës së hedhur poshtë nga populli në vitin 1994, janë modele izolues dhe aspak integrues dhe nuk i duhen Shqipërisë, e cila që fund të viteve '90 u tha jo pa ekuivok të gjitha diktaturave dhe ky vokacion antidikatorial dhe properëndimor e integrues i shqiptarëve, si dhe objektivat e integrimit të tyre, nuk mund të lejohet të rrezikohet nga flërti pleqëror Berisha-Rama.
Vizita e dështuar e Sali Ramës, të cilit Evropa nuk i jep më afate, na imponon që të vëmë ne afatet tona për demokracinë e rrezikuar dhe këto afate shqiptarët do t'i vendosin të gjithë bashkë më 10 maj në sheshin "Skënderbej", ku i pari afat do të jetë data e ndryshimit të Gërdec-kushtetutës së 21 prillit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›