E Shtunë, 31 Tetor 2026

Allbancki Pasosh!

Inida Gjata (zhaku)

Policja e kufirit, e cila mbllaçiste një derr-o çëmçakiz, pasi më kish dhënë një buzëqeshje paraprake, falë fytyrës sime  ..."stil europian", shtrembëroi buzët e vrenjti vetullat kur i drejtova pasoshin tim Allbancki, të kuq e të vobektë plot me vula hyrjesh e daljesh të Malit të Zi, Maqedonisë e Kosovës. E pasi e rrotulloi nga të katër anët, pasi shfletoi mirë e mirë çdo faqe të braktisur nga çdo Shengen, pasi kushedi sa herë tha me vete: C'docki kjocki nëcki Sërbcki, (çdo kjo në Serbi), pasi mori pamjen e një laceje të vërtetë më pyeti në gjuhën e saj, pa e vrarë fare kokcin nëse unë do ta kuptoja apo jo: Pse ke ardhur? (e ç'mund të më pyeste tjetër?!) I përmenda emrin e kompanisë që më kish ftuar (një kompani ndërkombëtare, ndër më prestigjiozet në të gjithë botën) dhe më la të liiiiirë. Në fakt, e revoltuar prej delenxhillikut të saj, më erdhi t'i thoja se isha spiune. Apo kriminele. Apo hajdute. Doja t'i thoja se kisha ardhur për të grabitur Beogradin. Se kisha shkuar për terror në vendin e asaj, që nuk i mjaftoi fakti se unë kisha marrë një vizë të ligjshme në Ambasadën e shtetit të saj në shtetin tim, ku me thënë të drejtën çdo kush më kish pritur me shumë dashamirësi e më kish kërkuar me mirësjellje të thellë të prisja deri aq sa e kërkonin procedurat, e ku nuk kisha patur asnjë çarje koke për asgjë. Po sikur t'i kisha thënë se kisha shkuar për qejf?! Apo për hall?! Apo për... ku di unë ...çdo gjë?! Do më kish lënë?! Sigurisht që po. Patjetër. Ajo donte vetëm të kuptonte pse një Allbancki shkel në Beograd, pasi asnjë Allbancki nuk shkel në Beograd! Beogradi për Allbanckit është i huaj, po aq sa janë Allbanckit të huaj për Sërbckit.
Unë, natyrisht që mbarova punë menjëherë me surratckin e saj, i cili qe i vetmi çast i pakëndshëm në këtë qytet të mrekullueshëm, plot me njerëz të bukur, të mirë, e jashtëzakonisht miqësorë e të fisëm, dhe nisa takimin tim me një realitet të cilin lejomëni t'jua rekomandoj të gjithëve nëpërmjet këtij shkrimi, të cilin po e krijoj në dhomën e një hoteli me 5 yje, pas një darke me 50 yje, pas një dite me 500 yje, pas dy ditësh me 1000 yje, në Kryeqytetin e Serbisë, për të cilën deri pardje dija vetëm: Cërtancki Film, Lepa Prena, Tito, Millosheviç, Tadiç, Xhinxhiç, Koshtunica dhe ndonjë gjë tjetër që nuk më vjen ndër mend në këtë çast. Ah, ...po! edhe Elektrik Blu!
Ç'të të them... ç'të të them!? M'u rikthye në mendje Milano. Një vend shumë i ngjashëm me Milanon, por kur ia thoja këtë serbëve, jo vetëm nuk më besonin, por edhe më shihnin si të habitur. Jam e sigurt se, teksa u flisja për ngjashmërinë e jashtëzakonshme të Kryeqytetit të tyre me një super qytet si Milano, i bënin vetes pyetjen: Kaq keq të jetë Milano vallë?!
Sytë e tyre shprehnin habi, pasi edhe ata, njëlloj si ne (përveç teje që je politikan, apo biznesmen, apo me "letra"), e kanë gati të pamundur ta vizitojnë lirisht botën. Por unë doja t'ua mbushja mendjen me çdo kusht se Milano nuk ka asgjë më shumë se ç'ka kryeqyteti i tyre. Kështu është në të vërtetë. Arkitektura identike. Infrastruktura e ngjashme. Sharmi identik. Shtrirja identike. Dëfrimi identik. Stili i jetës, identik. Megjithatë, ata shqyenin sytë prej krahasimit, njëri më shumë se tjetri dhe me gjithë respektin që kishin për mua, (për pjesën më të madhe të njerëzve që takova, pas Enver Hoxhës, unë qeshë e para shqiptare në jetë. No Sali, no Ramë, no Nano, no Meta, no nathing thenks!), mendonin se unë mund të mos isha fort në rregull nga trutë.
Por, në fakt, unë isha shumë në rregull. Pasi, unë si qytetare Shqipërie që jam, në një vend të huaj kur shkoj, vlerësoj cilësinë e rrugëve. Ndërtesat historike e të mirëmbajtura. Rrugicat karakteristike e të mirëmbajtura. Pastërtinë e njerëzve e thjeshtësinë e admirueshme të stilit të paraqitjes së tyre. Parqet e mëdha dhe hapësirat e gjelbra. Mirësjelljen e njerëzve, e cila në Beograd është mbresëlënëse. Teatrot dhe muzeumet. Kështjellat dhe kopshtet zoologjike. Liqenet e lumenjtë. Dritat e ndezura gjatë natës (poçat e të cilave shkëlqenin pa asnjë ngërç), e që e zbukuronin Beogradin edhe më. Mungesën e depozitave të ujit majë tarracave të pallateve. Mungesën e gjeneratorëve nëpër trotuare. Mungesën e lypësve të hazdisur nëpër bulevarde. Mundësinë e parkimit në qendër. Mungesën e shtesave pa leje vend e pa vend. Mungesën e zallamahisë e të kaosit. Mundësinë e transportit publik. Respektin ndaj rregullave e ligjeve. Etj ...etj... Në Beograd asgjë prej ç'kam parë e jetuar në Milano nuk mungonte. Në Beograd u ndjeva jashtë shtetit tim, hallet e të cilit nuk po i ripërmend më se bëhem bajat. Mirëpo serbët nuk më besonin. Atyre nuk u duken asgjë këto që vura re unë, pasi atyre nuk u kanë munguar kurrë këto. Problemi i tyre kryesor është mungesa e mundësisë së lëvizjes së lirë.
Njëri prej tyre, kur më takoi u surprizua shumë. Ai kishte idenë se shqiptarët jetonin si në shekullin e 18 (askush të mos guxojë të mendojë se ai ishte injorant. Ai ishte një alamet djali). Kur unë i ftova miqtë e mi të rinj në Shqipëri, ata më pyetën me shumë druajtje nëse për shqiptarët është ok të takohen me një serb. Unë i thashë atë që po ju them me bindje të thellë edhe juve që po lexoni këtë shkrim: Pushimet duhet t'i kalojmë pranë njëri-tjetrit!
Mirëpo, edhe pse kisha shumë dëshirë t'ua tregoja Shqipërinë, pas çdo hapi që hidhja në Beograd thosha me vete: ç't'u tregoj unë këtyre nëse vijnë në Shqipëri përveç klubeve?!
Teksa bridhja nga njëra anë e kryeqytetit serb në tjetrin, e teksa shihja kështjellën, parqet, kopshtin e mrekullueshëm zoologjik, ku kafshët qenë jo vetëm nga më të ndryshmet, por edhe të trajtuara me shumë kujdes e dashuri, pasi shkova tek liqeni, (një park teorikisht i ngjashëm me Parkun e Liqenit tonë Artificial) i cili qe shndërruar në një park argëtimi për të gjithë të rinjtë e banorët që nuk kishin mundësi të shkonin gjetkë për pushime vere, pasi pashë arkitekturën e Beogradit të "vjetër" e zhvillimin galopant të Beogradit të ri, pasi pashë restorante e kafe të një stili krejt origjinal, e ku kishe kënaqësi të shpenzoje kohë, pasi pashë kishat e mrekullueshme, teatrot e muzeumet, rrugën e emërtuar "Gjergj Kastrioti" apo rrugën e "Shkodrës", si dhe pasi njoha njerëz shumë mikpritës e të dashur, të cilët më trajtuan si një zonjushë të vërtetë, nisa të bëj me mendje listën e vendeve që ia vlejnë të vizitohen në Shqipëri nga miqtë e mi të rinj. Oh… sa pak! Sa të mbajtura keq! Sa katunarë vërdallë! Sa njerëz të palarë e të paqetë, që jo vetëm nuk kanë respekt për tjetrin, por që me turfullimat e tyre ta bëjnë jetën të pakëndshme! Të gjitha shpresat i kam te gjiret e pazaptuara të bregdetit të jugut. Nejse, të shohim po erdhën!
Kjo periudhë në Serbi është e rëndësishme përsa i përket zhvillimeve të mëtejshme politike, pasi këto ditë do zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale. Sipas bisedave me njerëzit e ndryshëm që takova, dëshira e më intelektualëve është që zgjedhjet të fitohen prej Liberal Demokratëve, parti e cila drejtohet nga një djalë i ri e me personalitet simpatik, që deri më tani gëzon vetëm 5 ose 6% të elektoratit. Por kishin frikë, se politika e vjetër do të vazhdonte të sundonte, sërish! Milos më tha: E di cili është problemi i serbëve?! Njerëzit harrojnë shpejt!
Për ta ngushëlluar i thashë: Eh, mos u shqetëso, edhe në Shqipëri kjo ndodh! Njerëzit harrojnë shpejt! Harrojnë përgjithmonë! Preferojnë të harrojnë e jo të ndryshojnë.
Kur i ftova në Shqipëri, pasi u njohën me mua, premtuan se do të vijnë. Por kur i ftova në Prishtinë, një kryeqytet tjetër shumë i dashur për mua, edhe pse me sytë plot dëshirë për ta parë e njohur atë pjesë aq të rëndësishme të botës së tyre problematike (politikisht), ngurruan edhe më fort. Të gjithë më pyesnin nëse mundeshin! Ata kishin frikë. Ah, sikur ta dinin ata, se sa mikpritës e të sjellshëm e të mirë janë kosovarët!!!
Dua t'ua tregoj! Dua të jem aty e ta jetoj çastin kur kosovarët, të cilët ndryshe nga shqiptarët e serbët, jo vetëm nuk e harrojnë të kaluarën, por luftojnë deri në vdekje për ta ndryshuar atë, do t'u japin serbëve dhe shqiptarëve shembullin më të lartë e të virtytshëm të një kombi, që kur vendos të funksionojë e të zhvillohet, punon e i dedikohet këtij qëllimi me devotshmëri të lartë. Të një vendi që investon në përmirësimin e gjeneratave të mëvonshme, duke i ushqyer mbi të gjitha me krenari e dashuri për kombësinë e vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›