E Shtunë, 31 Tetor 2026

Post-zgjedhjet, pushuesit kosovarë dynden në plazhet e Durrësit

DURRËS - Pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, qindra kosovarë kanë mbërritur për pushime në plazhin e Durrësit. Ashtu si çdo vit, edhe ky sezon veror ka sjellë kryesisht pushuesit "patriotikë" nga trevat shqiptare jashtë kufijve, ata të cilët nuk e kanë braktisur plazhin më të madh të vendit, që prej hapjes së kufijve. Më pak pushues janë vendas, të cilët kanë "harruar" apo duan të harrojnë të gjithë zhurmën e krijuar nga zgjedhjet. "Tani që përfunduan votimet, të gjithë do t'i kthehemi normalitetit. Dhe është normale të vijmë në pazh, në ditë kaq të bukura për të pushuar", tha dje një qytetare nga Tirana.

Gjatë dy ditëve të fundit, pothuajse e gjithë vija bregdetare e Durrësit është mbushur me pushues. Ata më të kursyer në shpenzime kanë zgjedhur banesat me qira të ulët për 10 deri në 12 euro nata, ndërsa buxheti maksimalisht për dy veta shkon deri në 400 euro për 10 ditë pushime.

Pushuesit pohuan për "Gazeta Shqiptare" se plazhi i Durrësit ofron çmime normale dhe të përballueshme për akomodimin, ndërsa ushqimi në restorante është më i shtrenjtë dhe si alternativë përdorin gatimin në dhomat me qira. Mesatarisht çdo pushues që mbërrin në Durrës shpenzon deri në 25 euro në ditë për fjetjen ushqimin dhe argëtimin. Mbi 100 hotele hapin dyert në plazhin e Durrësit për sezonin veror. Ndërkaq, mësohet se deri në mes të muajit korrik prenotimet në hotele kanë arritur jo më shumë se 40% krahasuar me një vit më parë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›