Posta Shqiptare, tani shkëmbimi i dokumenteve online
Bizneset dhe institucionet shtetërore e private do të mund të dërgojnë dokumente elektronikisht, në mënyrë të sigurt. Çdo biznes, që do të regjistrohet për të përfituar nga ky shërbim do të ketë kodin e vet të sigurisë. Ky shkëmbim dokumentesh mes institucioneve të vendit dhe të huaja bëhet në asistencën e plotë të postës italiane. Ky është një shërbim i ri që ka nisur në të gjithë Europën. Në aktivitetin e organizuar nga Posta Shqiptare u shpërndanë dhe certifikatat e para elektronike, mes të cilave institucione si Credins Bank, instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Radio Televizioni Shqiptar, Autoriteti i Mbikëqyrjes Finaciare etj. Ky shërbim i Postës Shqiptare është ndër më të rinjtë edhe për vendet europiane, pak i njohur, por shumë i nevojshëm në fushën juridiko-financiare. Posta Shqiptare si i vetmi operator në bashkëpunim me Postën e Italisë, prej 3 muajsh hedh në treg Certifikatën Elektronike për individin dhe Certifikatën Elektronike për institucionet. Ky është një hap i ri drejt integrimit, një hap i ri drejt sigurisë, personalitetit dhe të drejtave të njeriut. Nënshkrimi i dokumenteve në mënyrë elektronike për herë të parë u ligjërua në vitin 1995 në shtetin Utah të SHBA (Utah Digital Signature Act) dhe në vitin 1997 ky ligj u adaptua në Gjermani dhe Itali. Përhapja e nënshkrimit elektronik në shtetet e tjera të BE detyroi komitetin kompetent pranë Bashkimit Europian të ndërhynte dhe në vitin 1999 u miratua direktiva kornizë (EU Directive 1999/EC), së cilës i përmbahen të gjitha ligjet e shteteve anëtare të BE. Edhe Shqipëria si pjesë e zonës ekonomike europiane dhe kandidate për anëtarësim në BE, në vitit 2008 ka miratuar ligjin “Për nënshkrimin elektronik”, i cili mbështetet plotësisht në Direktivën Europiane të cituar me sipër. Nënshkrimi elektronik përdoret për të njëjtën arsye si nënshkrimi klasik i bërë dorazi. Nënshkrimi dorazi tregon aprovimin e nënshkruesit, siguron origjinalitetin e dokumentit, lidh nënshkruesin me dokumentin, ka vlerë ligjore dhe ka një rol ceremonial. Nënshkrimi elektronik, i cili aplikohet në dokumentin elektronik, përjashto rolin ceremonial, ka të njëjtat cilësi me atë të bërë dorazi.