E Diel, 1 Nëntor 2026

Postfactum

Është e pamundur që të mos i rikthehemi edhe një herë tjetër katastrofës së përmbytjes në Veri dhe veçanërisht në zonën e Shkodrës. Por, këtë radhë në një plan tjetër.
Ajo që na ka rënë në sy, është se tashmë në media, pra në publik, e kanë marrë fjalën edhe specialistë të shfrytëzimit të energjive hidrike, të ndërtimit të digave, inxhinierë hidrocentralesh dhe specialistë të tjerë me përvojë. Ata përpiqen të bëjnë analiza teknike, të papolitizuara të asaj që ndodhi, të shkaqeve që e prodhuan atë si edhe të strategjive afatgjata që ka nevojë të vihen në jetë për ta sjellë problemin në rrugën graduale të zgjidhjes. Sigurisht, duke mos qenë specialist i këtyre fushave, nuk jam në gjendje të them ndonjë fjalë sa më sipër. Është e kotë që një pjesë e publikut, në fakt një grusht individësh, u kërkon analistëve të modeleve shoqërore dhe politike të japin edhe verdikte për anë inxhinierike. E kuptoj dëshirën, por është një kërkesë e kotë. Aq më shumë kur u kërkojnë të bëjnë edhe prokurorin për të gjetur se ku qëndrojnë shkeljet penale apo nuk qëndrojnë ato. Kemi një ngatërrim tërësor të roleve, çka vjen shpesh edhe nga politizime, të cilat me hamendje, me patos, pa prova e fakte të administruara profesionalisht, sjellin hamendje qoftë në njërën anë qoftë në anën tjetër.
Problemi që dëshiroj të ngre është si më poshtë:
Si shpjegohet që specialistët e këtyre problemeve flasin pasi ka ndodhur katastrofa dhe nuk e kanë paralajmëruar publikun më parë?
Si është e mundur që katastrofat na vijnë si rrufe në ditë me diell, na pllakosin brenda pak orësh dhe ditësh në mënyrë të papritur ndërkohë që asnjëherë nuk kishim parashikuar mundësinë e tyre?
Dhe mbi të gjitha, përse të gjitha analizat dhe debatet në shtyp bëhen “postfactum”, pra pasi e keqja është bërë?
Pra, është fjala të gjejmë se çfarë do të bëjmë me rreziqet që na kanosen në të ardhmen, për katastrofat që do të na vijnë, sepse për këtë që duket se po zbutet në valën e saj të parë shkatërrimtare, çështja ka hyrë në kanale të tjerë.
Si është e mundur pra, në sintezë, që specialistët kanë kaq pak hapësirë për të na ndriçuar për rreziqet që na kanosen si shoqëri, si shtet, si kolektivitete rajonale, ndërkohë që duket se ata i paskan ditur gjërat?
Si është e mundur që interesohemi për ta “pas pilafi”, i intervistojmë pas ngjarjes, dhe nuk dimë se kush janë dhe çfarë bëjnë përpara katastrofave, atëherë kur kemi pikërisht nevojë t’i parandalojmë rreziqet e jetës bashkëkohore, që nuk janë të vogla?
Kjo më duket e rëndësishme dhe qendrore. Edhe e paskemi aftësinë për analiza dhe parandalime, edhe nuk e kemi ushtruar.
Përse?
Sepse, kjo na lejon të mendojmë që po nuk reaguam në mënyrë kritike ndaj këtij fakti, kjo do të thotë që nesër mund të kemi një ngjarje tjetër të rëndë dhe përsëri të ndodhemi fare të paditur e të papërgatitur para saj.
Arsyeja e parë që do të vendos në dukje, është se nuk ka një përputhje në sistemin tonë institucional midis ritmit të jetës politike dhe parashikimeve afatgjata në mbrojtjen dhe përsosjen e territorit apo mbrojtjen e mjedisit, si edhe në investimet afatgjata për këto qëllime. Ky mbetet një nga problemet më të mprehta të demokracive, nëse ato nuk e kanë gjetur dot ende modelin e tyre të duhur institucional. Ne mbetemi një shoqëri, e cila në ritmin e vet politik mendon për katër vitet e ardhshme, shpesh fare për dy vite (nga zgjedhjet e përgjithshme deri te ato lokale dhe anasjelltas). Në njëfarë mënyrë këtë e imponon beteja politike dhe faza e rinovimit të pushteteve. Ka rëndësi shpesh herë se me çfarë do t’i paraqitem elektoratit pas dy apo katër vjetësh, kurse se çfarë do të duhet të bëhet për një objektiv që kërkon njëzet vjet punë e sforco? – kjo pyetje do të dukej paksa luksoze dhe e tepërt në kushtet e logjikës së ndeshjes politike afatshkurtër. Në një farë mënyre kjo bën që edhe administrata dhe elitat administruese të pasurive kombëtare të mbisundohen nga një këndvështrim afatshkurtër, ndërkohë që investimet afatgjata ndodhen në vështirësi. Ndofta këtu bën përjashtim vetëm rruga Durrës – Morinë, por edhe ajo nën presionin e faktorëve politikë për t’u kufizuar në një logjikë afatshkurtër dhe jo të një investimi dhe projekti kantieri dhjetëravjeçar.
Duket gabimisht sikur projektet faraonike janë për diktaturat e ashpra, sikur njeriu duhet të zgjedhë mes Shilës dhe Karibdës: Ose një demokraci që i jep të drejta politike, por e privon shoqërinë nga strategjitë ndërtimtare në kantiere madhorë afatgjatë, pra e privon nga punimet e mëdha dhe të kushtueshme, ose diktatura të përgjakshme, por mbas tyre projekte kantieresh faraonike, paranojake, por gjithsesi përqendrues të forcave dhe të energjive. E vërteta është, në fakt, se përvoja e demokracive të mëdha dëshmon të kundërtën e kësaj dileme. Gjithsesi, ka nevojë që sistemi ynë duhet të strukturojë aktorë institucionalë që të kenë jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri në administrim. Një senat afatgjatë në rinovimin e tij shpesh konsiderohet një instrument shumë i mirë për të përpunuar dhe ushtruar presione që të ndërmerren kantiere të mëdha ndërtimore, strategjike, në fushën e reformave sociale, juridike, arsimore dhe të prevenimit të risqeve etj. Përndryshe ne nuk do të ndërmarrim asnjëherë veprime dhe politika që kërkojnë sforco më të mëdha se dy ose katërvjeçare, e shumta. Po kështu, formësimi dhe dhënia e një statusi të vërtetë administratorëve publikë duhet t’i bëjë ata të kapërcejnë frikërat dhe interesat dy deri katërvjeçarë.
Se dilema e politikës është e thjeshtë, në fakt, sa e thjeshtë aq edhe dramatike. Më mirë të ndërmarrë një kantier që sjell rezultate brenda katër vjetësh, bashkë me një opinion elektoral të favorshëm apo të planifikojë diçka që do t’i sjellë pasojat brenda tridhjetë vjetësh të ardhme, por me kusurin se në katër vjetët e para do të ketë mundime, vështirësi, privime, që mund ta bëjnë elektoratin të votojë për partinë kundërshtare, pra për opozitën? Nuk është e vështirë të kuptohet pra se shumë e shumë faktorë e shtyjnë politikën drejt alternativës së parë. Kjo përbën edhe një nga ato arsye se përse sot flitet për pushtet të mirë, por edhe për qeverisje të mirë. Qeverisja e mirë nuk është medoemos e thjeshtëzuar te liritë politike. Por, ta lemë për ta folur një herë tjetër këtë problem, sepse koncepti i qeverisjes së mirë ende nuk është shtjelluar fort ndër ne...
Sikurse thoshte dikur një nga analistët dhe dijetarët më të njohur të komunikimit, mediat demokratike i kanë të gjitha të mirat e mundshme, por kanë një të keqe “të vockël” fare, çka bëhet me rrezik (nëse nuk kuptohet): ato janë efemere.
Çfarë do të thotë efemere?
Në njëfarë mënyre mund të anojnë nga informacioni i sipërfaqshëm i evenimenteve të bujshme shoqërore, politike të ditës dhe pastaj me një prirje të fortë për t’u marrë me aktualitetin e nxehtë, me një temë të ditës, që qëndron sot në faqe të parë, që vazhdon disa ditë e shumta dhe pastaj del nga prioritetet e faqes së parë. Mediat bëhen amnezike. Harrojnë nesër atë që trajtuan sot. Mediat kërkojnë publikun e gjerë dhe publiku i gjerë nis e mërzitet kur trajtesat bëhen shumë teknike, ekonomike, financiare, inxhinierike. Ja përse një psikolog si rregull ka më shumë sukses në media sesa një fizikan i mirë. Ja përse një mjek ka si rregull më shumë sukses sesa një kimist. Ja përse një shkrimtar ka më shumë sukses si rregull sesa një gjuhëtar. Opinioni shpesh priret drejt më të lehtës për t’u kapur, atë që e intereson në çastin e dhënë, kurse analizat e rënda dhe të thella e largojnë audiencën, dhe bashkë me to edhe reklama-paguesit.
Ajo pjesë e mediave që bëhet efemere e ka vështirë të thërrasë në studio apo të bëjë intervista me gjeologë, me inxhinierë urash a hidrocentralesh, sepse, së pari këta nuk janë dhe nuk kanë përse të jenë specialistë të trajtimit të audiencave, së dyti sepse shpesh ata merren me probleme pasojat e të cilave mund të jenë aq të largëta saqë askush nuk ua vë veshin. E kush të dëgjon sot nëse i flet për prirje shumë të thella që do të kenë pasoja pas pesëdhjetë vjetësh! Më mirë dëgjon një sherr militantësh që grinden me sharjet nga më banalet në një studio të ngrohur mirë dhe me kolltukë të rehatshëm. Politika spektakël është më tërheqëse se analizat e rënda shkencore që nuk kuptohen dot për shkaqe që dihen.
Ja arsyeja, ndofta kryesore, por jo e vetmja, se përse ata që kanë kompetenca dhe detyra për t’i paralajmëruar dhe paraprirë katastrofat e mëdha, nuk kanë hapësira në sheshet publike, nuk i njeh pothuajse kurrkush, ndonëse, në fakt, janë vlera të vërteta të një shoqërie. Shpeshherë “njeri i vitit” përzgjidhet një individ që ka bërë më shumë zhurmë mediatike atë vit, kurse një shkencëtar që punon në heshtje, një inxhinier i zoti që ka vlera të paçmueshme në kokën e tij, është i detyruar të jetë askushi për publiku. Të mësuar me neglizhencën e mediave dhe të publikut, këta teknicienë dhe inxhinierë nisin t’i largohen vetiu detyrës për ta thënë fjalën e tyre në sheshet e qytetit, mblidhen në vetvete, tkurren, derisa katastrofa e radhës, t’i kthejë vetëm për disa ditë në vëmendjen e të gjithëve.
Vëmendja e gjithë shoqërisë është afatshkurtër sepse vlerësohet ajo që jep rezultate të shpejta, edhe sferat e shoqërisë adaptojnë dinamika afatshkurtra. Vetë kërkimi shkencor punon përgjithësisht me logjika më së shumti individuale dhe së dyti për projekte kërkimore afatshkurtra. Edhe subvencionimi këtij kërkimi bëhet afatshkurtër sepse politikat buxhetore janë medoemos të tilla, fatkeqësisht.
Përgjegjësit e institucioneve të kërkimit shkencor, shpesh, edhe ata, kërkojnë rezultate të shpejta sipas mandateve që kanë marrë apo sipas ciklit politik. Shumat e investuara në kërkimin shkencor jepen nga burime që edhe ato i kanë këto buxhete të limituara, për më tepër, të ndara në forma barazimtariste, meqë duhen kënaqur sa më shumë vete, sipas lobingjeve, sipas korporatave, sipas sfera të influencave elektorale. Në këtë mënyrë edhe shkenca bëhet afatshkurtër, kërkimi shkencor detyrimisht bëhet miop, sheh afër dhe nuk sheh dot larg.
Mbi të gjitha, këto janë “qametet” e një kërkimi shkencor që është katërcipërisht i lidhur me marrjen e një grade, doktor në shkencë apo të një titulli, si profesor për shembull. Nuk ka kohë dikush të ndërmarrë një studim afatgjatë për t’u bërë doktor pas tridhjetë vjetësh. Do të bëhet doktor shkencash pas dy e shumta tre vjetësh, prandaj investohet detyrueshëm, fatkeqësisht, në afate të shkurtra kërkimi shkencor dhe nuk ka mundësi, mjete, kohë për të shpalosur strategji kërkimi shkencor dhe parashikimi me afate prej disa dekadash. Kjo ndofta është edhe arsyeja sepse edhe specialistët që marrin fjalën për të na shpjeguar tani “postfactum” arsyet e katastrofës së përmbytjes, aspak për faj të tyre sepse askush nuk ka dëshirë t’i dëgjojë në kushte të tjera, në përqindjen më të madhe të tyre janë njerëz që kanë marrë një formim të dikurshëm, janë investime të para njëzet vjetësh. Ku janë inxhinierët me nivel të lartë të formuar tani, në këto dy dekada?
Çfarë po thonë ndër të tjera këta specialistë? - dhe kam prirjen t’u besoj atyre.
Ata po dëshmojnë se duhet parë fakti se ka një ngritje të detit, ka një vështirësi në derdhjen e Bunës në det, ka nevojë për investime afatgjata për mirëmbajtjen e anëve të shtretërve të lumenjve, se ka nevojë që të ketë një administrim më të mirë të ujërave malorë në mënyrë që ata veç derdhjes në liqenet e baseneve artificialë që ushqejnë digat me ujë, të administrohen përkohësisht edhe në liqene artificialë malorë, që duhen pyllëzuar në lartësi të mëdha shpatet malore të zonave ku janë liqenet e hidrocentraleve etj., etj.
Po t’i përmbledhim të gjitha këto ide, ato kërkojnë investime të mëdha. Si janë logjikat e aktorëve ekonomikë ndër ne? Fakti se pjesa më e madhe e tyre funksionojnë mbi një dinamikë të një kapitali privat individual, por edhe kur janë ndërmarrje publike, fakti se presionet buxhetor janë një e shumta katërvjeçare, bëjnë që aktorët ekonomikë të veprojnë me miopi, pra në afatshkurtër. Logjikat financiare dhe ekonomike orientohen në fitime që sjellin maksimume tani dhe këtu dhe jo pastaj dhe më larg. Nuk ka fonde pronari privat individual, me madhësi kapitalesh shumë të kufizuara, të investojë në projekte afatgjatë që do të mirëmbanin territore dhe pasuri natyrore sepse bllokimi apo ngurtësimi i kapitaleve në këto kantiere do ta bënte të falimentonte kur të tjerët veprojnë në treg me logjika afatshkurtra. Edhe në fushën e ekonomisë vepron logjika “më mirë një vezë sot sesa një pulë mot”. Ndryshimi i këtyre strategjive kërkon medoemos përqasje të reja, mbështetje publike si edhe përllogaritje të tjera, afatgjata të maksimizimit të fitimeve, të politikave të taksave etj.
Investimet në fakt kështu bëhen aspak rentabël, meqë ndryshe fitimet e konsiderueshme të çastit i humbet pas një kohe sepse duhet të riparosh dëmet shpesh herë të pakthyeshme të katastrofave që nuk janë parandaluar.
Është vendi për të parë pra edhe politikën e taksave në funksion të strategjive sipërmarrësve në mbrojtje të territorit dhe të mjedisit, të parandalimit të rreziqeve me veprim të ngadalshëm si edhe e kontributeve publike në këto drejtime.
Edhe një herë e thamë, nuk është fjala për të bërë investiguesin juridik. Fjala është që ne kemi një prirje që na bën shpesh herë t’u kundërvihemi kantiereve afatgjata. Nuk e duam analizën afatgjatë, çka do të thotë se e kemi vështirë të parashikojmë, e kemi të rëndë të futemi në kantiere afatgjata që janë të domosdoshme për të parandaluar katastrofat dhe kjo sjell për pasojë që ne rrezikojmë gjithmonë të veprojmë pas katastrofës dhe jo para saj, të jemi në gjendje “postfactum” dhe inxhinierët tanë jo rastësisht të flasin si komentatorë gazetash, pas asaj që ndodh dhe jo t’u lemë mundësi atyre të na parathonë.
Kështu ne nuk jemi dot të mbrojtur nga rreziqet që na kanosen në të ardhmen.
Duhet të ndodhë e keqja, pa të merremi me të.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›