E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradohen dy persona të kërkuar për vrasje

Dy të kërkuar për vrasje nga drejtësia shqiptare janë ekstraduar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana. Sipas informacioneve zyrtare, është deportuar nga Italia 31-vjeçari Ton Rroku, lindur në Shkodër. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr. 60, datë 28.02.2005, e ka dënuar Ton Rrokun me 10 vjet burg për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje”. 31-vjeçari akuzohet se më datë 6 korrik 1998, pas një grindjeje, për një konflikt të vjetër, ka qëlluar me armë zjarri duke vrarë shtetasin Çesk Ndoci. Ai kishte arritur të fshihej në Itali, ku dhe u arrestua nga forcat italiane dhe më pas u soll në Shqipëri. Ndërkohë, u krye ekstradimi nga Londra, Britani e Madhe i shtetasit Afrim Sinani, lindur në Shëmri, Kukës. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, me vendimin nr. 104, datë 29.10.1996 e ka dënuar 36-vjeçarin me 20 vjet burg, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje”. Ai akuzohet se më datë 4 janar 1996, rreth orës 10:00 në fshatin Shëmri, Kukës, në bashkëpunim me shtetasin Sokol Sinani, kanë vrarë më armë zjarri shtetasin Mehmet Sinani. 36-vjeçari u arrestua në Londër, edhe fshihej prej disa vitesh.
Dy të dënuarit iu dorëzuan punonjësve të drejtorisë së burgjeve në aeroportin “Nënë Tereza”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›