E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:Sukses me pranimet në universitete, tani provime pa korrupsion

Pranimet e studentëve në universitete prej 5 vitesh kanë arritur të dalin nga kthetrat e korrupsionit. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi dje sistemin e ri të pranimeve një histori suksesi dhe kërkoi që kjo praktikë të përdoret edhe në provime. Në konferencën “Cilësia në arsimin e lartë dhe procesi i Bolonjës, gjendja dhe perspektiva”, e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me pjesëmarrjen e drejtuesve të universiteteve në vend, akademikë dhe pedagogë, kreu i qeverisë kërkoi gjithashtu ndryshimin e raportimit në numër studentë-pedagogë si dhe përshtatjen e degëve dhe fakulteteve me dinamizmin e tregut.
Reformat
“Në një hark kohor të shkurtër, arsimi i lartë në vend ka njohur arritje madhore dhe në disa aspekte edhe unike, një ndër të cilat është pothuajse trefishimi i numrit të studentëve në vetëm 5 vite, - tha Kryeministri Berisha. - Sot së bashku me universitetet private, ne numërojmë 135 mijë studentë, kundrejt 52 mijë studentë në vitin 2005”. Teksa drejtoi sytë për tek pedagogët kreu i qeverisë e quajti situatë absolutisht të papranueshme raportin në numër pedagog-studentë, ku një pedagog zhvillon mësim me 50 studentë. Për këtë ai u bëri thirrje rektorëve dhe dekanëve që rekrutojnë më të mirët pasi vetëm kështu mund të flitet për cilësi në arsimin e lartë. Arsimi vazhdon të jetë prioritet i qeverisë dhe financimet në këtë fushë nuk kanë munguar, madje Berisha deklaroi se ka fakte që financimet e bëra në disa universitete rezultojnë zero.
Takimi
I pranishëm ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve me nivel të lartë kualifikimi dhe është në dorën e universiteteve të përzgjedhin më të mirët në treg. “Universitetet që do të kenë më të mirët, - tha ministri Tafaj, - do të jenë edhe universitetet më të suksesshme”. Ministri vlerësoi maksimalisht implementimin në një kohë shumë të shkurtër të reformës më të thellë të arsimit të lartë evropianë në shekullin e fundit, të Kartës së Bolonjës.
Ndërsa drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore, Jane Armitage, u shpreh se “përqafimi që i bën Shqipëria procesit të Bolonjës dhe hapat e bërë në këtë drejtim, drejt evoluimit të standardeve të mësimdhënies, tregon një angazhim serioz për përmirësimin e arsimit të lartë, duke zgjeruar kapacitetet dhe kapitalin njerëzor dhe duke siguruar një akses më të madh dhe mundësi për tregun e punës në vend”. Armitage tha se Banka Botërore do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Banka Botërore, me Bankën për Zhvillim e Këshillit të Evropës, Bankën Evropiane të Investimeve dhe qeverinë shqiptare financojnë projektin për cilësi dhe barazi në arsim, që, sipas znj. Armitage, përfshin mbështetje për investime dhe novacione në sektorin e arsimit të lartë. Financimet e këtij projekti kanë ndihmuar në pajisjen e 25 laboratorëve të arsimit dhe kërkimit shkencor dhe 35 të tjera janë në proces.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›