E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posti në KLD, Halimi-Topit: Po krijon tension institucional, tërhiqu

TIRANË- Vendi vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë duket se po kthehet në ‘mollë sherri’ mes institucionit të Presidencës dhe përfaqësuesve të mazhorancës në KLD.  

Kreu i institucionit të Drejtësisë Eduart Halimi vlerëson se propozimi i presidentit Bamir Topi për zgjedhjen e Ilir Mustafaj në postin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është antikushtetues.

Ministri Halimi bën me dije se nëpërmjet një letre zyrtare do t’i kërkojë presidentit të vendit pezullimin e vendimit të djeshëm ku kreu i shtetit gjatë mbledhjes së KLD-së propozoi Ilir Musafaj për postin ne zv/kryetarit, post i cili mbeti vakant pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut,  ndërkohë që medias do t’i vërë në dispozicion korrespondencën e tij me kreun e shtetit. 

“Ju jeni njohur ditën e djeshme me qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë në lidhje me mungesën e Kushtetueshmërisë dhe shkeljen e Kushtetutës. Pas pak kohe unë do i drejtohem zyrtarisht presidentit për këtë dhe media duhet t’a ketë prezente të gjithë komunikimin zyrtar me presidentin e Republikës”,- theksoi Halimi. 

Ndërkohë, Enkelejd Alibeaj duke e cilësuar vendimin e presidentit Topit në kundërshtim të hapur me Kushtetutën sqaroi se anëtarët e zgjedhur nga gjyqësori nuk mund të gëzojnë postin e nënkryetarit të KLD-së. Alibeaj thekson se kjo cështje është përcaktuar në nenin 143 të Kushtetutës, ku sipas tij ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor ndalon që anëtarët e zgjedhur nga gjyqësori të zgjidhen në postin e nën/kryetarit të KLD. Sipas Alibeaj kandidati duhet të propozohet nga Kuvendi i Shqipërisë. 

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mund të zgjedhë si nënkryetar, një nga anëtarët e vet i cili vjen nga radhët e gjyqtarëve. Të mos bëjë të tjera gafa Kushtetuese. Megjithatë ai që vendos në fund të fundit ëshë Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ai nuk mund të votojë si nënkryetar një prej gjyqtarëve që janë anëtar, sepse me këtë akt jo vetëm që i heq atij cilësinë e gjyqtarit, por nuk arrin të zgjedhë në mënyrë të vlefshme nënkryetarin e vet, sepse ai do ishte i pavlefshmëm”,- deklaroi Alibeaj.

Përfaqësuesit e mazhorancës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë po përpiqen me çdo kusht të “bllokojnë” zgjedhjen e nënkryetarit të institucionit të lartë të drejtësisë, post për të cilin Presidenti i Republikës,Bamir Topi propozoi anëtarin Ilir Mustafaj. Kreu i shtetit duket se e ka humbur betejën e votave në KLD, pasi anëtari i Këshillit, Tritan Hamitaj, i cili kishte votuar pro tij dhe që konsiderohej si mbështetës atëherë kur debatohej për emrin e ri të nënkryetarit, vendosi të braktisë mbledhjen.

Gjatë mbledhjes maratonë të zhvilluar dje me dyer të mbyllura anëtarët demokratë të KLD kërkuan që zgjedhja e nënkryetarit të bëhet pas zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës që është njekohesisht dhe kryetari i KLD. Por, u kundërshtua me votim nga KLD, ku u theksua se zgjedhja e emrit për këtë post, duhet të kryhet më datën 18 prill. 

HALIMI LETËR TOPIT: TËRHIQ PROPOZIMIN PËR N/KRYETARIN E KLD, PO SHKEL KUSHTETUTËN
Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi i është drejtuar përmes një letre presidentit të Republikës Bamir Topi ku i kërkon të tërheqë propozimin e tij për zgjedhjen në detyrën e nënkryetarin e KLD, te gjykatesit Ilir Mustafaj.

“Zgjedhja e një nënkryetari të Këshillit të lartë të Drejtësisë nga radhët e gjyqtarëve përbën një akt të paprecedentë në traditën Kushtetuese të ushtrimit të veprimtarisë së presidentit në detyrën e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky propozim krijon tension institucional artificial në organizimin dhe funksionimin e KLD. Në bazë të Kushtetutës dhe një vendimi të gjykatës Kushtetuese nënkryetari i KLD nuk duhet të jetë nga radhët e gjykatësve, të cilët ushtrojnë efektivisht detyrën. Zoti Mustafaj është zgjedhur anëtar i KLD në vitin 2010 nga konferenca gjyqësore kombëtare”,- thuhet ndër të tjera në letrët që minsitri i Drejtësisë Eduart Halimi i dërgon presidentit Bamir Topi.

MBLEDHJA E KLD NUK DO TË ZHVILLOHET NESËR
Presidenca nëpërmjet një njoftimi për mediat ka bërë me dije se mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të parashikuar për ditën e nesërme nuk do të zhvillohet. Shkak për këtë është bërë vizita zyrtare që kreu i lartë i shtetit Bamir Topi do të zhvillojë nesër në Maqedoni. Mbledhja e radhës,e cila do të vendosë edhe nënkryetarin e ri të KLD do të njoftohet pas vizitës së presidentit Topi në shtetin fqinj.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›