E Shtunë, 31 Tetor 2026

Postieri i “peshkuar”, tërhiqte kokainën

06/01/2009  Dy trafikantët i paguanin 30 mijë lekë. I pavetëdijshëm ai u sillte “postën” në shtëpi

Droga fshihej në shiritat e filmave dhe në xhepat e hollë të çantave sportive

TIRANE- Dy të arrestuarit e operacionit “Asta la Vista” Eduart Smajli dhe Egland Muka, kishin zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë për trafikimin e kokainës nga Argjentina në drejtim të Shqipërisë. Me anën e dërgesave postare ata trafikonin sasi të ndryshme lëndësh narkotike, të cilat pasi mbërrinin në Shqipëri tërhiqeshin në sportelet e postës nga postieri Ermir Huqi. Nga hetimet profesionale të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është faktuar se punonjësi i postës Huqi, nuk është i implikuar në këtë rrjet trafiku, ndërsa të pandehurit Eduart Smajli dhe Egland Muka janë dy organizatorët e trafikimit të 500 gr kokainë. Nisur nga ky konstatim, por edhe nga informacionet e ardhura nga autoritet gjermane, në datën 19 shtator 2008 organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal nr: 78 për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve kryer në bashkëpunim”. Veprimet hetimore si dhe provat e administruara, kanë sjellë në datën 26 shtator 2008 arrestimin në flagrancë të dy të pandehurve Eduart Smajli dhe Egland Muka. Këta të fundit me ndihmën e shtetasit Ermir Huqi, (merrte vetëm 30 mijë lek të vjetra) që punonte në postën qendrore morën pakon postare EMS që kishte rreth 500 gr kokainë e ardhur nga kryeqyteti i Argjentinës, Buenos Airesi. Mësohet se adresa e shënuar mbi kutinë postare ishte e shtetasit Vladimir Mema, rr. “Maliq Muka”, P 11, Ap. 6 Tiranë, Albania. Mirëpo nga veprimet hetimore të kryera është konstatuar se adresa e shtetasit Vladimir Mema nuk ekzistonte.

Paketimi

Dy të pandehurit Smajli dhe Muka, gjatë harkut kohor prej 8 muajsh kanë trafikuar edhe 4 pako të tjera me kokainë nga Argjentina në drejtim të Shqipërisë. Ata kishin mundur të lidheshin me një grup argjentinas, ku pasi i dërgonin shumën financiare të parave me Wester Union, merrnin pas disa ditësh kokainën e porositur. Skema kriminale ka funksionuar disa herë, por gjatë verifikimit të pakove postare në Gjermani, është konstatuar se në çantën sportive ndodhej 4 pako me droge. Sipas burimeve, kjo e fundit ishte paketuar në pjesët anësore të çantës dhe për t’iu shmangur rrezeve trafikantët e kishin mbështjellë me disa shirita filmi fotografik. Menjëherë gjermanët kanë sinjalizuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilët pas një investigimi profesional kanë mundur të zbulojnë dy personat që do merrnin pakon në filialin e postës shqiptare. Dy shtetasit Muka dhe Smajli janë paraqitur së bashku për të marrë porosinë nga Argjentina, por në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e policisë, duke i ndaluar dy të dyshuarit në kushtet e flagrancës. Në cilësinë e provës materiale shtetasve të mësipërm iu sekuestruan sasia prej 500 gram lëndë kokainë dhe një fuoristradë ML, me targa amerikane. Ndërsa punonjësi i postës Ermir Huqi, është lënë i lirë pasi ai nuk kishte dijeni mbi veprimtarinë kriminale të dy të pandehurve të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›