E Diel, 1 Nëntor 2026

Lehtësohet situata, por mbeten të izoluar mijëra banorë

06/01/2009  Reshjet e borës kanë pushuar, por shumë komuna mbeten pa komunikim

Situata e krijuar nga reshjet e dëborës në disa zona të vendit tashmë paraqitet me e përmirësuar falë edhe një përmirësimi të lehtë të kushteve të motit. Sipas të dhënave të marra nga Ministria e Brendshme bëhet e ditur se të gjitha rrugët nacionale janë të lira e të kalueshme pa probleme me përjashtim të disa segmenteve ku është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve.

Izolimi

Forcat e organizuara nga shtabet e emergjencës kanë arritur të zhbllokojnë komunat Shtiqen, Tërthore dhe Surroj në qarkun e Kukësit, dy komuna në qarkun e Dibrës si dhe po vijon puna për zhbllokimin e rrugëve që lidhin komunat e tjera me akset rrugore nacionale. Ndërkohë vazhdon puna për zhbllokimin e rrugës për në Shishtavec dhe Topojan në Kukës dhe në Sllovë e Kala të Dodës në Dibër. Aktualisht në qarkun e Kukësit vijojnë të jenë të bllokuara komunat Zapod, Kalis, Ujëmisht, Bushtricë, Grykë Çajë, Arrën dhe Lekbibaj dhe Bytyç të rrethit të Tropojës. Ndërsa në qarkun e Dibrës vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat: Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Reç të rrethit të Dibrës, komunat Ostren, Trebisht e Martanesh, në rrethin e Bulqizës dhe komunat Xibër dhe Macukull në rrethin e Matit. Për sa i takon qarkut të Shkodrës po vazhdon puna intensive për hapjen e rrugëve të bllokuara në komunat Iballë dhe Qelzë të Pukës, si dhe për zhbllokimin e rrugës Tamarë-Vermosh në Malësinë e Madhe. Në këtë qark kanë mbetur të izoluar rreth 20 mijë banorë, kryesisht në zonat e thella dhe problematike të Pukës, Malësisë së Madhe dhe Shkodrës. Ndërkohë nga shtabi i emergjencës civile i ngritur në prefekturën Shkodër mësohet se në zonat problematike, po vazhdon puna me mjetet bore pastruese dhe hedhja e skorieve si dhe janë në gatishmëri rezervat ushqimore nëse duhet operuar me helikopter në zonat e thella. Në qarkun e Korçës nuk ka komuna të bllokuara përveç komunës Velçan në rrethin e Pogradecit. Gjithsesi që të gjitha rrugët nacionale që përshkojnë qarkun e Korçës ku bëjnë pjesë dhe dy doganat, ajo e Kapshticës si dhe ajo e Tre Urave po mbahen vazhdimisht të hapura. Kalimi në këto rrugë mund të bëhet vetëm me zinxhirë, pasi ulja e temperaturave nën zero gradë i mban ato të veshura me akull. Ndërsa në qarkun Elbasan, Librazhdi është zona më e goditur nga dëbora e këtyre ditëve të para të janarit. Nё qytet dёbora ka arritur deri nё 50 cm, ndërsa nё fshatra mbi njё metër. Mё e rëndё paraqitet situata nё pjesën veriore tё kёsaj nënprefekture. Dёbora ka izoluar krejtësisht disa fshatra nё komunat Orenjë, Stëbleve, Rrajcë, Polis, Qendër, Qarrishte etj. Probleme serioze me qarkullimin ka patur nё aksin rrugor Elbasan-Librazhd-Pogradec. Qaf-Thana u bllokua dhe zhbllokua disa herë dhe aktualisht është e kalueshme.

Shfaqen virozat e stinësDurrës, 70 fëmijë në urgjencën e pediatrisë

DURRES- Viroza e stinës ka vënë në gjendje gatishmërie të gjitha repartet dhe pavijonet në qendrën spitalore në Durrës. Bluzat e bardha janë ndeshur ditët e fundit me shfaqjen e problemeve tek të gjitha moshat, por më e rënduar gjendja shëndetësore është shfaqur tek fëmijët. Shefi i repartit të pediatrisë, Dhimitraq Gjergo, ka pohuar se në një ditë në urgjencën e spitalit paraqiten deri në 70 fëmijë në 24 orë dhe kjo ka detyruar përforcimin e gatishmërisë si dhe shtimin e personelit tek salla e pritjes së urgjencave si dhe në sallën e reanimacionit. Gjergo ka pohuar se kemi të bëjmë me virozën e stinës së shkaktuar nga ulja e ndjeshme e temperaturave, të cilat në Durrës kanë shënuar deri në -2 gradë. Komplikacionet tek shëndeti i të vegjëlve është dukur kryesisht në vështirësi frymëmarrjeje, rritje e temperaturës së trupit, kollë e thatë, acarim të rrugëve të frymëmarrjes dhe ftohje të laringjiteve. “Situata është tërësisht nën kontroll dhe nuk ka të bëjë me simptomat e asnjë lloj frike për epidemi”, ka thënë shefi i pediatrisë Dhimitraq Gjergo. Bronkolitet kanë shtuar fluksin e fëmijëve në pediatri dhe nga dita në ditë numri i të prekurve nga viroza e stinës është rritur. Kryesisht kanë shfaqur imunitet të dobët përballë rënies së temperaturave fëmijët 0-1 vjeç, por jo më pak të rriskuar kanë qenë edhe më të rriturit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në pediatri. Gjergo ka bërë të ditur se në sallën e pranimit të urgjencave, në reanimacion si dhe në pavijon nuk ka asnjë mungesë të medikamenteve për të kuruar të vegjlit, ndërkohë që në mesin e dhjetorit është vënë në gjendje pune sistemi i ngrohjes. Që nga fillimi i janarit dhe deri në ditën e pestë të muajit në pediatri janë trajtuar 297 urgjenca dhe se një pjesë e tyre janë mbajtur nën trajtim spitalor për 24-48 orë për të marrë më pas mjekimin dhe këshillat e mjekut specialist. Për të shmangur zgjatjen e situatës virusale është ushtruar kontroll në ujin e pijshëm lidhur me pastërtinë.

Xh. Gradica

Moti, parashikime të zymta

Korçë, kalimi i mjeteve vetëm me zinxhirë

KORÇE- Të gjitha rrugët nacionale që përshkojnë qarkun e Korçës ku bëjnë pjesë dhe dy doganat e përmendura po mbahen vazhdimisht të hapura. Kalimi në këto rrugë mund të bëhet vetëm me zinxhirë, pasi ulja e temperaturave nën zero gradë celsius i mban ato të veshura me akull. Ndërkaq parashikohet që në qarkun e Korçës temperaturat të zbresin edhe më tej deri në minus 7 gradë celcius. Në qendër të vëmendjes janë jo vetëm rrugët kombëtare, por edhe rrugët që çojnë fëmijët nëpër shkolla si dhe të gjitha pikat e kalimit kufitar që gjenden në këtë rajon.

Vepror Hasani

Akset e pakalueshme Shkodër, bllokohen nga bora 20 mijë banorë

SHKODER- Drejtuesit e shtabit të emergjencave civile të prefekturës Shkodër kanë deklaruar mbajtjen nën kontroll të situatës në zonat e thella malore të qarkut, por megjithatë mjaft zona kanë mbetur ende të bllokuara. Për pasojë mbeten të izoluar rreth 20 mijë banorë. Të bllokuar janë akset në Malësi të Madhe Tamarë-Vermosh, Lëpushë-Selcë, Bogë-Theth. Në Shkodër janë bllokuar rrugët Prekal-Mali i Shoshit, komuna Shosh dhe komuna Shalë në zonën e Dukagjinit, ndërsa në Pukë akset rrugore Pukë-Qelëz, Kryezi-Iballë, komuna Iballë dhe tepër problematike është kalimi në komunën e Fierzës që herë pas herë bllokohet nga era, e cila e ngrin vazhdimisht dëborën. Rrugët nacionale Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Mjedë-Koman, Qafë Mali-Fierzë, janë të kalueshme, por vetëm me zinxhirë.

V. Abdyli

U këputën shtyllat e tensionit të lartë

Librazhd, shumë fshatra të bllokuar dhe pa energji

ELBASAN- Librazhdi është zona më e goditur nga dëbora e këtyre ditëve të para të janarit në qarkun e Elbasanit. Nё qytet dёbora ka arritur deri nё 50 cm ndërsa nё fshatra mbi 1 metër. Mё e rëndё paraqitet situata nё pjesën veriore tё kёsaj nënprefekture. Dёbora ka izoluar krejtësisht disa fshatra nё komunat Orenjë, Stëbleve, Rrajcë, Polis, Qendër, Qarrishte etj. Probleme serioze me qarkullimin ka patur nё aksin rrugor Elbasan-Librazhd-Pogradec. Qafë-Thana u bllokua dhe zhbllokua disa herë. Problem mbetet gjendja e furnizimit me energji pёr shkak tё këputjes sё shtyllave dhe telave tё tensionit. Pёr normalizimin e gjendjes janë aktivizuar edhe banorёt e zonave tё izoluara.

L. Lleshi

Po punohet për zhbllokimin

Skrapar, pa energji, ushqim dhe komunikim 56 fshatra

SKRAPAR – Moti i keq i këtyre ditëve të fundit me reshje shiu dhe bore ka bllokuar 4 komuna të rrethit të Skraparit. Burime nga shtabi i emergjencave pohuan se dje banorët e disa fshatrave që janë izoluar jo vetëm nga bora, por edhe nga shkarjet e masivëve me dhera në disa segmente të rrugësh, kanë ndërhyrë për hapjen e rrugëve që i lidhin me komunat dhe qytetin e Çorovodës. Sipas burimeve zyrtare nga pushteti vendor Skrapar, më të izoluara kanë qenë fshatrat e komunës Gjebës, Konak Potom, Vendresh etj. Në të gjitha komunat malore të rrethit të Skraparit ka pasur edhe mungesë të energjisë elektrike si dhe të furnizimit me ushqime.

S. Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›