Shefi i FMN-së paralajmëron:Mijëra njerëz drejt shfarosjes
Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se qindra e mijëra njerëz do të përballen me shfarosjen dhe urinë nëse çmimet e ushqimeve do të vazhdojnë të rriten. Dominik Straus-Kahn, tha se zemërimi social nga rritja e vazhdueshme e çmimit të ushqimeve, mund të shkaktojë konflikte. Ka pasur ndërkohë protesta për ushqimin, kohët e fundit, në një numër vendesh përfshirë Haitin, Filipinet dhe Egjiptin. Në një takim në Uashington, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka apeluar për veprim të fuqishëm dhe ndërhyrje në çmimet e ushqimit dhe krizën ndërkombëtare financiare. Edhe pse problemet në tregjet globale të kredive, ishin epiqendra e takimit të komitetit drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që mbledh ministrat e Financave të 24 vendeve të botës, Straus-Kahn, paralajmëroi për pasoja të rënda nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të ushqimeve. "Qindra e mijëra njerëz do të shfarosen. Fëmijët do të vuajnë nga kequshqimi, ndërkohë që pasojat për jetët e tyre do të jenë të rënda", tha ai para gazetarëve. Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, theksoi se ky problem mund të çonte në disbalanca që do të preknin madje edhe vendet e zhvilluara, "ndaj nuk është thjeshtë një çështje humanitare". Çmimet e ushqimeve janë rritur në mënyrë drastike muajt e fundit, çka është shoqëruar me një rritje kërkese, mot të keq në disa vende dhe rritje të përdorimit të të korrave për karburante biologjike. Komiteti drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar apeloi për "veprim të fuqishëm" të 185 anëtarëve në mënyrë që të përmirësohet situata në tregjet financiare të trazuara dhe të parandalohet përkeqësimi i tregjeve imobiliare dhe krizës së kredive. Ministrat e Financave ndërkohë nuk kundërshtuan parashikimet e mëparshme të FMN-së se vetëm një ngadalësim i moderuar i rritjes ekonomike botërore ka gjasa të ndodhë gjatë dy viteve të ardhshme. Ndërkohë, një vit më parë, zyrtarët e financave botërore flisnin për një rritje të fuqishme globale, por nuk e dinin asokohe se bumi në sistemin imobiliar amerikan, do të sillte pas pasoja të rënda aq sa do të tronditnin tregjet në një mënyrë që nuk ishte parë që nga koha e Depresionit të Madh. Por, tani, gjërat janë krejt të ndryshme. Takimi i djeshëm i komitetit drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, u kryesua nga ministri italian i Ekonomisë, Tomaso Padoa-Schioppa. "Diskutimet mbi ekonominë globale dhe tregjet financiare, reflektojnë situatën e momentit, ndjesinë se zinxhiri i lajmeve të këqija nuk po njeh fund", tha ai. Ndërsa komisioneri evropian për çështjet monetare, Joakim Almunia, tha: "Çështje ekstremisht shqetësuese për vendet më pak të zhvilluara, por edhe për ato të zhvilluara, janë çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera. Është një sfidë e re, në këto kohë të vështira të ekonomisë globale". Dhe në të vërtetë, shqetësimet mbi çmimet në rritje të ushqimeve, kanë tronditur ekonomitë në zhvillim, në mbarë botën.