E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Presidenti të zgjidhet nga populli

Nisma e PD-së për të ndryshuar Kushtetutën ka zbuluar edhe një herë se tashmë në selinë blu ka dy rryma. Dhe njëra prej tyre është ajo e Presidentit Topi, mbështetësit e të cilit kanë ende forcë e peshë në grupin parlamentar të PD-së. Këta të fundit, në nismën e demokratëve për ndryshimet kushtetuese, kanë kundërshtuar ndryshimet që po kërkohen të bëhen në disa nene ku përcaktohet mënyra e zgjedhjes së Ëresidentit dhe disa nga kompetencat e tij. Mbështetësit e Topit në grupin e PD-së kanë ngritur zërin që ditën e parë se Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Zërit të Mustafajt, Leskajt e të tjerëve, dje u është bashkuar edhe deputeti Aleksandër Biberaj, i cili nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka theksuar se zgjedhja e Presidentit të Republikës duhet të bëhet nga vota e popullit. Sipas Biberajt, kjo është mënyra më e mirë dhe më demokratike. "Zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli do të ishte njëkohësisht shprehje dhe ushtrim i demokracisë direkte, i demokracisë së drejtpërdrejtë të popullit, gjë që përfaqëson edhe nivelin më të lartë të demokracisë", shprehet deputeti Biberaj në njoftimin e tij. Më tej, ai thekson se zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli do të krijonte kushte dhe mundësi që në postin e kreut të shtetit të zgjidheshin personalitete politike me reputacion popullor.

Kjo mënyrë zgjedhjeje, nënvizon Biberaj më tej, do të shmangte pazaret dhe kulisat politike, gjithashtu, krizat e mundshme politike që mund të vijnë nga moszgjedhja e Presidentit nga Parlamenti. Gjithashtu, ai kujton se një element shumë i rëndësishëm i zgjedhjes së Presidentit nga populli do të ishte edhe rritja dhe forcimi i pavarësisë së institucionit të Presidentit të Republikës, element ky shumë i rëndësishëm për funksionimin e shtetit ligjor dhe balancimin e pushteteve në demokraci. Diskutimi për ndryshimet kushtetuese ka gati një javë që ka nisur në politikën shqiptare pas zyrtarizmit të kërkesës së PD-së në Komisionin e Ligjeve, ku nëpërmjet relatores, Arenca Trashani, u propozuan ndryshimet konkrete që PD-ja kërkon të bëjë njëherë e mirë në Kushtetutë. Ndryshime të cilat në mënyrë indirekte janë mirëpritur nga PS-ja, e cila ka lënë të kuptohet se nëse mazhoranca do të mbështesë propozimin e tyre për ndryshimin e reformës zgjedhore, duke mbështetur sistemin proporcional rajonal, atëherë deputetët e PS-së do të miratojnë në Kuvend ndryshimet kushtetuese. Por këto ndryshime nuk janë mirëpritur nga partitë e vogla parlamentare si të spektrit të majtë, ashtu edhe të spektrit të djathtë. "Të vegjlit" janë shprehur kundër ndryshimeve dhe nuk kanë kursyer as akuzat ndaj dy partive të mëdha, të cilat po bashkëpunojnë për të forcuar pozitat e njëri-tjetrit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›