E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkë për kulturën e përjashtimit

Shfaqja “Yue Medelin Yue”, e Jeton Nezirajt, u dha më 23 maj, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor (Centar za Kulturnu Dekontaminaciju) në Beograd. Regjinë e shfaqjes, që është pjesë e projektit “Nove Politike Solidarnosti: Meni Treba Ovde Jedna Zemlja” (Politikat e Reja të Solidaritetit: Mua më Duhet Një Shtet Këtu), e bëri Blerta Rrustemi.

Kultura si sinonim i përfshirjes/përjashtimit të romëve nga shtetet dhe shoqëritë rajonale, gjegjësisht studimi i këtij rasti në kuadër të projektit ‘Politikat e Reja të Solidaritetit’, filloi të prezantohet të mërkurën (më 23 maj), dhe do të vazhdojë edhe të enjten (më 24 maj), në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, në Beograd.

Përmes një analize dhe rekapitullimi të përvojave të produksionit të përbashkët në kuadër të projektit ‘Politikat e Reja të Solidaritetit’, gjegjësisht nëpërmjet prezantimit të aktiviteteve të planifikuara për të ardhmen, ekipi i aktivistëve, punonjësve të kulturës dhe iniciativave të ndryshme në Beograd, Novi Sad, Nish dhe Prishtinë synon të shqyrtojë se cilat janë mundësitë e ndikimit të kulturës në forcimin e kohezionit shoqëror.

Duke pasur parasysh faktin se gjatë “Dekadës së Romëve” vihet re një diskriminim edhe më i madh i tyre dhe një rritje e qasjes raciste ndaj romëve – krahasuar me gjendjen e mëparshme të “padukshmërisë” së tyre – kulturën duhet vështruar si një fushë që nuk duhet të jetë vetëm një vend i amortizimit, por edhe i artikulimit të një përgjigjeje shoqërore ndaj këtij problemi. Historia e skandaleve dhe reagimeve që i përjetoi hapja e çështjes së racizmit të manifestuar si latent dhe imanent në shoqëritë e Serbisë dhe Kosovës, para kulturës shtron detyrën e pjesëmarrjes së saj në procesin e ripolitizimit të çështjes. Ky është pikërisht edhe synimi i projektit dhe platformës ‘Politikat e Reja të Solidaritetit’. Si rrjedhojë, për kushtet dhe për rezultatet e punës së iniciativave kulturore të romëve do të flasin punonjësit dhe aktivistët kulturorë, duke krijuar kështu një mundësi për artikulimin e strategjive të përbashkëta për procesin e një kohezioni shoqëror në të dy vendet.

Shfaqja “Yue Medelin Yue” është drama më e re e shkrimtarit dhe skenaristit kosovar, Jeton Neziraj. Bëhet fjalë për një tragjikomedi të absurdit, e cila në fokus ka një familje rome që dëbohet me dhunë nga Gjermania. Pas kësaj, e përballur me një realitet të ri, familja përballet me sfidat e shtetit të ri dhe të sapokrijuar të Kosovës. Vajza rome e kësaj familje, Medelin, një ditë bie në gropën që e kishte hapur një kompani ndërtimore. Dhe, përderisa vajza bie në komë dhe lufton për jetë, babai i saj lufton për drejtësi, duke u përballur kështu me burokratë, biznesmenë, politikanë dhe punonjës të ambasadës. Në fakt, është kjo një dramë politike që trajton kaosin në Kosovën e pasluftës, megjithëse, para së gjithash, është një dramë që flet për romët, si një komunitet i padëshirueshëm në Evropë.

E punuar jashtë stereotipeve të zakonshme për romët, dhe pa asnjë ekzotizim, që zakonisht i përcjellë temat që trajtojnë komunitetin rom, shfaqja “Yue Medelin Yue” është një dramë inteligjente, e cila ofron një pasqyrë të mrekullueshme të procesit emocional nëpër të cilin kalojnë me mijëra romë në Evropë gjatë procesit të dhunshëm të rikthimit në vendet e tyre të origjinës.

Në shfaqjen “Yue Medelin Yue” luajnë aktorët kosovarë Anisa Ismaili, Fisnik Sykaj, Kujtim Paçaku, Fitore Broqi, Bajram Kinolli, Skender Latifi, Kushtrim Hoxha, etj. Muzika u kompozua nga Susanna Tognella dhe Gabriele Marangoni.

Shfaqja u përcoll me debatin e titulluar “Konteksti Social dhe Politik i Produksionit Kulturor të Romëve në Rajon, në të cilin morën pjesë Borka Pavicevic, Jeton Neziraj, Jovan Cirilov, Djokica Jovanovic, Zoran Tairovic, Osman Balic, Danijel Ramadanovik, Vladimir Tupanjac dhe Dragana Jovanovic. Debati u udhëhoq nga Zoran Jovanovic e Ana Isakovic, ndërsa u përkthye dhe u udhëhoq në shqip nga Kujtim Paçaku.

Të enjten (sot), me fillim nga ora 12, do të organizohet prezantimi i produksionit kulturor të romëve në rajon. Pjesëmarrës në prezantim janë Zoran Jovanovic, Jovan Cirilov, Zoran Tairovic, Osman Balic, Vladimir Tupanjac dhe Nebojsa Petrovic. Përkthimi, leximi dhe udhëheqja prezantimit në gjuhën shqipe do të bëhet nga Kujtim Paçaku.

Ndryshe, projekti ‘Politikat e Reja të Solidaritetit’ mbështetet nga Fondi për Shoqëri të Hapur, Programi Zviceran për Kulturë dhe nga Bashkimi Evropian (IPA).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›