Pozitë-opozitë ashpërsojnë klimën para vizitës së Fule
Komisioneri europian për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Stefan Fule, do ta gjejë klasën politike shqiptare në mes të “luftës”. Vizita e diplomatit të Brukselit vjen vetëm një ditë pasi skadon afati i shqyrtimit dhe miratimit të nismave të propozuara nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
AxhendaBurimet diplomatike sqaruan për “Shqip” se Fule do të jetë pas mesditës në Tiranë dhe ka programuar takimet me krerët më të lartë të vendit. Ai do të bashkëbisedojë posaçërisht me Presidentin Bamir Topi, me Kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Mazhoranca, nga ana e saj, mësohet se ka tentuar të ftojë zotin Fule në një seancë të posaçme parlamentare për të bërë përshëndetjen para deputetëve. Diçka e tillë, ndonëse jo e konfirmuar zyrtarisht, nuk do të ndodhë më datën 19 mars kur Fule do të jetë në Tiranë. Mesazhi që pritet të lëshojë ai ndaj klasës politike është vendimtar për çështjet integruese. Deri më tani, ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë kanë deklaruar publikisht koston që ka zvarritja e krizës politike në Shqipëri. Për Bashkimin Europian ka dy momente të rëndësishme; nga njëra anë një këshill stabilizim-asocimi në nivel ministrash mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë më 10 maj, i cili mblidhet vetëm një herë në vit. Ky këshill do të orientojë marrëdhëniet politike mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë përgjatë një viti dhe është shumë e rëndësishme se çfarë do të jetë në qendër të vëmendjes atje. Përpara kësaj, më 11 mars do të mbahet një komitet asocimi, që është takimi përgatitor i Këshillit të Stabilizim-Asocimit. Sipas asaj çka duket në horizont, palët politike nuk ka aspak gjasa që të gjejnë së bashku gjuhën e mirëkuptimit për të kapërcyer krizën politike. Rrjedhimisht mesazhi që do duhet të japë Fule do të jetë agresiv përballë një klase politike që nuk reagon ndaj paralajmërimeve.
DështimiAjo çka prej shumëkujt u konsiderua si një shans për zgjidhjen e krizës politike, pra tryeza te kreu i shtetit, Bamir Topi, tanimë është spostuar kategorikisht. Që prej largimit të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Presidencë nuk ka ndodhur asgjë. Teorikisht negociatat duhet të vijonin, por kjo nuk ka ndodhur ndërsa palët u janë rikthyer akuzave publike dhe foltoreve të partive. Risia më e fundit në replikat midis pozitës dhe opozitës ka të bëjë me nxjerrjen e përgjegjësit përpara një dështimi të mundshëm në procesin e liberalizimit të vizave.
#