E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga Rrëshen-Kalimash krijoi flluskë ekonomike

Investimet e vitit 2009 frynë statistikat dhe krijuan një realitet virtual

Një numër shumë i madh treguesish makroekonomikë janë fryrë përtej realitetit gjatë vitit të kaluar, si pasojë e investimeve të larta nga buxheti i shtetit, gjë që mund të sjellë një kthim të dhimbshëm në realitet këtë vit, bëhet e ditur nga opinione të mbledhura prej ekspertëve të ndryshëm të ekonomisë, nga sektori bankar deri tek administratat tatimore e doganore. Qeveria shqiptare shpenzoi rreth 900 milionë dollarë për të ndërtuar rrugë e objekte të tjera dhe i financoi këto shpenzime duke marrë hua apo duke përdorur të ardhurat e krijuara nga privatizimet. Kjo masë e stërmadhe shpenzimesh, e cila teknikisht u quajt “stimul fiskal”, solli importe relativisht të larta për një vit krize, të ardhura relativisht të larta doganore e tatimore, si dhe rritje nominale të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të gjitha këto ndryshime krijuan përshtypjen se vendi po ecte mirë, ndoshta shumë mirë. Qeveria për shembull u mburr gjerësisht për rritjen ekonomike të vitit 2008 në masën 8 për qind, shifër kjo shumë e lakmueshme. Por gati gjysma e rritjes ekonomike pati ardhur nga investimet publike, të cilat qenë financuar me huamarrje. E njëjta gjë u përsërit edhe në vitin 2009, ku falë investimeve të stërmëdha publike, të ardhurat e qeverisë në dukje nuk u prekën nga kriza botërore.

“Investimet e larta publike sollën shifra të fryra për vitin 2009 dhe askush nuk mori përsipër t’i korrigjojë për të parë realitetin ekonomik ashtu siç qe. Normalisht efektet e rrugës Durrës-Kukës duhej të klasifikoheshin veçmas si ngjarje të jashtëzakonshme”, thotë një ekspert i doganave.
Në fakt, investimi për këtë rrugë filloi që në vitin 2007 dhe flluska e krijuar prej saj vijon të fryhet tashmë që prej tre vjetësh. Statistika më e dukshme është treguesi i konsumit të naftës. Rruga konsumoi një sasi të stërmadhe nafte, e cila u importua. Importet rritën të ardhurat doganore e tatimore, por ky qe vetëm një zhvillim statistikor, për shkak se praktikisht qeveria i nxori lekët nga njëri xhep dhe i futi te tjetri. Kështu, importet e karburanteve u rritën në vitin 2007, kur rruga filloi të ndërtohej, me 60 mijë tonë ose 16 për qind, dhe vijuan të rriten edhe më tej në dy vitet në vijim. Por në janar të këtij viti, importet e karburanteve zbritën në nivelin e vitit 2006. Problemi është se edhe të ardhurat e qeverisë rrezikojnë të shfryhen, gjë që mund të sjellë një periudhë të gjatë destabiliteti në rritjen ekonomike të vendit. Rruga krijoi flluska joreale jo vetëm në nivelin e importeve, por edhe në sektorë të tillë si dhënia e makinave me qira. Disa agjenci turistike që japin makina me qira në Tiranë, i shumëfishuan flotat e veta për shkak se konsorciumi që po ndërtonte rrugën e kombit, mori me qira pothuajse çdo makinë të disponueshme.

Një flluskë e tillë nuk mund të vijojë të fryhet përgjithmonë. Në një pikë të caktuar, qeveria duhet të ndalojë huamarrjen dhe të shohë realitetin. Pikërisht kjo duket se është situata për vitin 2010. Rruga përfundoi së ndërtuari. Rrjedhimisht edhe importet e vendit po rikthehen në nivelin e katër viteve të shkuara. Qeveria ka pasur të ardhura tatimore e doganore për muajt e parë të këtij viti më të ulëta se një vit më parë, ndërkohë që shpresonte se të ardhurat do t’i rriteshin me 10 për qind. Të ardhurat e ulëta sjellin edhe shpenzime të ulëta e inflacion të lartë, gjë që rrezikon të kthehet në një spirale për poshtë. Rritja ekonomike për këtë vit mund të jetë edhe më e ulët se vitin e kaluar.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›