E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Policia e Shtetit nuk u lejua për kontroll

Ish-inspektori Mustafa Dimo tregoi se nuk është lejuar nga rojet e punishtes. Pas lirimit nga policia, punoi në fabrikë

“Policia e Shtetit nuk është lejuar të hyjë në ambientet e fabrikës së demontimit në Gërdec”. Kështu ka deklaruar gjatë seancës së djeshme ish-inspektori i krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.2 në Tiranë, Mustafa Dino. Sipas tij, në kohën kur fabrika kishte filluar të ndërtohej në mars 2007 ai kishte tentuar të kontrollonte punishten, por nuk ishte lejuar. “Rojet private, të cilat ruanin fabrikën, deklaroi Dino, më thanë që nuk lejohej të hyja, sepse për ndërtimin e fabrikës po punonte një firmë amerikane”. Ndërkaq, i pyetur nëse kishte raportuar te shefat e tij për këtë rast, ai u përgjigj se “kam raportuar, por asnjëherë nuk mora përgjigje nga shefat e mi, por pas disa kohësh na thanë që një mbrëmje në fabrikë kishte rënë zjarr dhe ishte lajmëruar grupi i gatshëm”. Më tej shtoi se në korrik të vitit 2007 është liruar nga forcat e policisë. “Duke qenë së mbeta pa punë, kërkova të filloja punë në fabrikë dhe pas disa ditësh fillova punë në fabrikën e demontimit në Gërdec. Aty punova nga muaji korrik deri në datën 5 tetor të vitit 2007. Unë kisha për detyrë të magazinoja barutin dhe të bëja evidencat për gjendjen e tij në fabrikë. Baruti futej në kuti 20 kg dhe më pas depozitohej në magazina. Në fabrikë ishin 3 magazina ku mbahej baruti në varësi të kalibrave të fishekëve që demontoheshin. Në kohën kur ika nga puna, besoj se kanë qenë afërsisht rreth 24000 kuti të magazinuara në të tri magazinat”, deklaroi Dino.

Menjëherë pas dëshmisë së ish-shefit të krimeve të Vorës, Dritan Minxolli dha një deklaratë në të cilën akuzoi sërish Patrik Henrin. Ai tha se puna për ndërtimin e fabrikës në “Gërdec” filloi menjëherë pas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes në maj 2007, ndërsa në qershor puna po ndiqej dhe nga Patrik Henri. Ai urdhëroi që baruti të futej në kuti 20 kg të standardeve europiane. “Henri, tha Minxolli, e konsideronte biznesin e barutit të rëndësishëm dhe fitmiprurës. Për këtë arsye, nga muaji qershor deri në muajin tetor 2007 baruti mbahej i magazinuar në fabrikë pa u transportuar asnjë kilogram. Në tetor të vitit 2007, në fabrikë bashkë më Henrin erdhën dhe disa shtetas belgë për të kontrolluar sasinë dhe cilësinë e barutit, të cilin e blenë më pas. çdo proces në fabrikë është bërë në bazë të rregullores së miratuar nga Patrik Henri”, deklaroi Minxolli, ish-drejtori i punishtes së demontimit në Gërdec, duke hedhur dritë për çështjen e barutit, ndoshta për të zbardhur se përse ditën e shpërthimit më 15 mars ndodheshin qindra tonelata të depozituara brenda në repart.
Minxolli ripërsëriti disa herë se ishte urdhëruar nga Patrik Henri që magazina e barutit të zhvendosej nga ambientet e jashtme në brendësi të punishtes. Sipas të pandehurit, amerikani Patrik Henri e kishte urdhëruar që të grumbullohej sasia e barutit, sepse do mbërrinin disa ekspertë belgë për ta blerë. Minxolli theksoi se Patrik Henri ishte shprehur se grumbullimi i barutit brenda ambienteve nuk përbënte rrezik dhe se Henri nuk e kishte parashikuar se çfarë do ndodhte pas kësaj.

Pas kësaj deklarate të Minxollit, seanca u ndërpre për shkak se avokati Maksim Haxhia u largua nga seanca. Kryetari i trupës gjykuese verifikoi sërish palët prezente dhe vuri re mungesën e Haxhisë, i cili mbron të pandehurin Mihal Delijorgji. Gjyqtari Ridvan Hado tha se leja është 10 minuta vetëm për probleme personale dhe duke parë mungesën seanca u ndërpre. Gjykata shtyu procesin për të premten e ardhshme, kjo sepse në trup gjykues ndodhen edhe dy femra, të cilat duhet të respektohen për festën e gruas që është të hënën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›