E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora mbulon vendin, reshje edhe në bregdet

Dëbora ka prekur dje edhe qytete që nuk e kishin provuar atë prej vitesh, ndërsa temperaturat e ulëta dhe reshjet kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e makinave

Reshjet e dëborës që kanë filluar që të bien që në orët e para të mëngjesit të së premtes, kanë zbardhur të gjitha qytetet kryesore të vendit. Në Tiranë reshjet nisën në mëngjes dhe vijuan gjatë ditës, duke krijuar një atmosferë të rrallë për kryeqytetin. Shtresa e dëborës ka krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve në qytet, por më shumë këto probleme janë venë re në periferi dhe në rrugët drejt Dajtit për shkak të akullit.

Ndërsa qyteti i Durrësit është zbardhur tërësisht brenda pak minutave dhe reshjet e forta të dëborës e kanë zbardhur gjithë zonën bregdetare. Dëbora, një fenomen i rrallë për këtë qytet, është shfrytëzuar nga banorët, por në rrugët e qytetit nisën vështirësitë e para në lëvizje, për shkak se trashësia e dëborës ka kaluar mbi 10 centimetra.

Korça prej disa ditësh është e mbuluar nga dëbora, e cila vijon të rrisë trashësinë e saj. Qyteti është zbardhur ndërsa në zonat malore disa rrugë kalohen me vështirësi, megjithatë po punohet vazhdimisht për hapjen e tyre. Reshjet e rëna gjatë natës, duke u gdhirë, krijuan një trashësi deri në 30 centimetra, por në zonat e larta malore edhe më shumë, duke vështirësuar së tepërmi lëvizjen e mjeteve. Në rrugët nacionale, por dhe në rrugët e qytetit, lëvizja e mjeteve bëhet me zinxhirë.

Reshjet e dëborës kanë prekur edhe qytetin e Sarandës, ndërsa në Qafën e Muzinës ka mjaft vështirësi në qarkullimin e mjeteve për shkak të akullit në rrugë. Edhe Gjirokastra vijon ditën e dytë të mbuluar me dëborë. E njëjta situatë është dhe në Përmet, Këlcyrë dhe Tepelenë.

Në Kukës e Peshkopi, përveç dëborës janë edhe temperatura të ulëta që kanë shkaktuar ngrica në rrugët rurale dhe ato nacionale. Megjithatë, lëvizja e mjeteve nuk është ndërprerë për asnjë çast edhe në autostradë ku dora dhe akulli kanë pushtuar asfaltin. Ndërkohë që në Bulqizë po përjetohen orët më të acarta pas shumë vitesh. Temperaturat kanë shkuar deri në minus 2-3 gradë, ndërsa segmenti rrugor Qafa e Buallit është thuajse i pakalueshëm.

Moti i keq, ja situata e rrugëve në gjithë vendin

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit njoftoi dje se si rezultat i reshjeve të dëborës të rëna në të gjithë vendin, uljeve të temperaturave dhe kthimit të dëborës në disa raste në akull, situata e akseve rrugore paraqitet me probleme. Ministria rekomandon përdorimin e zinxhirëve. Akset Qafë-Qelë – Pukë – Fushë-Arrëz – Qafë-Mali – Qafë-Shllak, Qafë-Mali – Fierzë, Kryqëzim Hadroj – Qafë-Benë rrugët janë të kalueshme me zinxhirë, punohet për pastrimin e dëborës dhe shpërndarjen e kripës. Në aksin rrugor Kukës – Krumë, Kukës –Topojan – Shishtavec, nga Topojani – Shishtavec ka prezencë akulli, qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi dhe me zinxhirë. Në aksin Kukës – Qafë-Shllak, qarkullimi kryhet me dy kalime pa zinxhirë. Punohet vazhdimisht për mbajtjen nën kontroll të situatës. Në aksin Kukës – Thirrë (rruga e re) nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve, vazhdon të hidhet kripë. Në aksin Bajram Curri – Kam, qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhirë. Aksi Kukës – Draj Reç në 10 km e fundit rruga është bllokuar për shkak të çedimit të trupit të rrugës rreth 1m dhe dëborës.

Në segmentin rrugor Bajram Curri – Fierzë, km11, qarkullimi i mjeteve kryet me një kalim. Në rrugën e Dardhës qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhirë. Në aksin kryesor Milot – Peshkopi, vetëm segmenti rrugor Klos – Qafë-Dushku – Qafë-Bualli – Peshkopi qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në aksin rrugor Ura e Cerenecit – Steblevë, segmenti Ura e Cerenecit – Qafë-Dragalicë është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë, ndërsa segmenti rrugor Qafë-Dragalica – Seblevë është i bllokuar për shkak të dëborës. Në aksin Qafë-Bualli – Krastë qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›