E Diel, 1 Nëntor 2026

Preu shkurre e mbolli ullinj, dënohet nga gjykata

TIRANE- Gjykata e Tiranës dënoi me 50 mijë lekë gjobë, Florand Hoxhën, pasi preu disa shkurre dhe në vend të tyre mbolli ullinj. Vendimi u mor pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, e cila e cilësoi fajtor të pandehurin Hoxha për akuzën e shpërdorimit të tokës. Për shkak se pranoi akuzën dhe përfitoi gjykim të shkurtuar, Florand Hoxha do të paguajë vetëm 33 mijë lekë gjobë.
 
Në vendimin e gjykatës sqarohen rrethanat e ngjarjes për të cilat u vu nën akuzë Hoxha, ku thuhet se; "Në datë 10.03.2011, Florand Hoxha, ka bërë shpërdorimin e tokës, duke ndërruar destinacionin e saj, nga sipërfaqe e veshur me bimësi pyjore në sipërfaqe bujqësore me destinacion bllok frutor ullishte, pa marre më parë asnjë miratim apo leje nga organet kompetente.

Konkretisht, shpërdorimi i tokës ka ndodhur në ngastrën nr 8 në vendin e quajtur "Kodra e Hoxhajve" të ekonomisë Krrabë-Gurrë. I pandehuri Florand Hoxha ka dëmtuar tërësisht shkurret ekzistuese në një sipërfaqe rreth 0.4 ha duke shkaktuar një dëm në vlerë ekonomike 180.000 (njëqind e tetëdhjetë mijë) lekë", - thuhet në vendimin e gjykatës. Në vendim sqarohet më tej se, i pandehuri Florand Hoxha e ka pranuar akuzën duke u treguar thellësisht i penduar për veprimet e kryera prej tij.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›