E Diel, 1 Nëntor 2026

Pr/Ligji i arsimit para- universitar, Kisha Ortodokse: Cënon lirinë

TIRANE- Pr/ligji i arsimit parauniversitar ka sjellë reagimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Nëpërmjet një deklarate publike Kisha Ortodokse shpreh shqetësimin për nenin 36 paragrafin 4 të këtij pr/ligji i cili ndalon simbolet fetare për nxënësit e shkollave. Sipas Kishës kjo përbën “cënim të së drejtës së mendimit, bindjeve dhe ushtrimit fesë, të drejta këto të garantuara për të gjithë qytetarët e Shqipërisë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe nga konventat dhe rezolutat ndërkombëtare të njohura dhe ratifikuara nga Shteti shqiptar”- thuhet në deklaratën e shpërndarë sot nga Kisha Ortodokse.

“Bindjet fetare dhe per rrjedhoje dhe mbajtja e simboleve –vijon më tej deklarata- nuk mund të përbëjnë pengesë ose kërcënim për nxënësit dhe shkollat pasi shoqëria shqiptare edhe pse multifetare është e njohur për harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare. Për më tepër, në Shqipëri ne nuk kemi konflikte rreth simboleve fetare”.

Sipas Kishës Ortodokse Autoqefale pikërisht pr/ligji i hartuar nga MASH mund të japë efektin e kundër duke cënuar tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore.

Në nenin 36 të projektligjit për arsimin parauniversitar përcaktohet se në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre. Sipas këtij projektligji, në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve. Ndërkaq, ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit. Dhe së fundi projektligji përcakton se ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveç shkollave ku mësohen lëndë fetare.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›